Zërat

Driton Qeriqi

Zgjedhje, reformë apo vazhdim i krizave institucionale

12 maj 2018 • 16 : 40
Me një shumicë të ngushtë të deputetëve të koalicionit qysh nga formimi i saj kjo qeveri nuk ka premtuar shumë. Kriza ishte e pritshme me koalicionin që varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët madje u larguan për kauza të mbrojtjes së kundërligjshmërive të qeveritarëve të Serbisë në Kosovë.
 
Në një situatë të tillë as opozita nuk është shumë e entuziazmuar që të kërkojë largimin e këtij koalicioni, i cili po përballet me vështirësi qeverisëse. Mungesa e fuqisë së votës, por edhe faktori i quajtur Lista Serbe, po e bën opozitën më të përmbajtur. Kjo për arsye se opozita e tanishme do të mundë të ndodhet në të njëjtën situatë – që të varet nga deputetët e Listës Serbe. 
 
Artikulli është hartuar në kuadër të projektit “Avancimi i proceseve demokratike” përmes institutit “Demokraci për Zhvillim”  
 
Ideja për takime të përbashkëta dhe arritje të konsensusit politik për tema të rëndësishme shpreh një avancim të reflektimit politik në Kosovë. Megjithatë, duke pasur parasysh iniciativat e tilla të mëhershme rezultatet eventuale nga këto takime duhet marrë me rezervë. 
 
Ngritja e sërishme e çështjes së reformës zgjedhore duket të jetë një kërkesë e qëlluar. Megjithatë, reforma zgjedhore nuk duhet të jetë pjesë e marrëveshjes politike për vazhdimin ose jo të qeverisjes, qoftë edhe deri në një datë të caktuar. Subjektet politike duhet t’i rikthehen reformës zgjedhore duke qenë të bindura se ekziston nevoja për t’i përmirësuar edhe më tej proceset zgjedhore në vend.
 
Ndërkaq, reforma zgjedhore nuk duhet të përdoret si karrem nga ana e opozitës për të siguruar datën e zgjedhjeve të reja. Kushtëzimet eventuale për procese kaq të rëndësishme, nëse asgjë më shumë, do të mundë ta dëmtojnë vetë reformën zgjedhore. Andaj, pozita dhe opozita bashkë do të duhej t’i trajtojnë të ndara çështjen e reformës zgjedhore dhe atë të zgjedhjeve të reja.
 
Proceset zgjedhore në Kosovë janë duke u përmirësuar në vazhdimësi. Këtyre përmirësimeve i kanë ndihmuar disa masa, nëse mund të quhen reformuese. Në radhë të parë bashkëpunimi i institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve dhe atyre të drejtësisë ka rezultuar të jetë shumë efektiv. Një kontribut në këtë drejtim ka dhënë edhe shoqëria civile.
 
Përmes institutit “Demokraci për Zhvillim” është koordinuar arritja e memorandumit të bashkëpunimit në mes të Komisionit Qendror Zgjedhor, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurorisë së Shtetit, Policisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për mbështetje reciproke në procese zgjedhore. 
 
Nëse arrihet pajtueshmëri për t’iu rikthyer reformës zgjedhore, përmirësimet që duhet bërë tashmë janë shumë të qarta. Aspektet teknike që sigurojnë mbarëvajtje të proceseve zgjedhore janë trajtuar nga ana e Komisionit të Reformës Zgjedhore (KRZ) qysh gjatë viteve 2011-12.
 
Nëse nuk ishin përfunduar në tërësi, (për shkak të largimit të deputetëve të LDK-së nga KRZ-ja)  çështjet teknike të mbetura pezull mund të trajtohen brenda një periudhe të shkurtër kohore. Përmirësimet sigurisht duhet të përfshijnë edhe eliminimin e kundërthënieve apo dykuptimësive të dispozitave të caktuara.
 
Reforma madje duhet të sqarojë edhe procedurat kur subjekti që është më i votuari në zgjedhje nuk arrin të formojë qeverinë. Këto përmirësime mund të bëhen qoftë duke u bazuar në vendimet e Gjykatës Kushtetuese për ketë çështje apo duke ndjekur praktikat e vendeve të tjera. 
 
Në kohën e inicimit të reformës zgjedhore çështjet që kërkonin vendimmarrje politike ishin lënë që të vendoseshin nga ana e liderëve politikë edhe pse këta të fundit asnjëherë nuk e bënë një gjë të tillë. Kështu që reforma zgjedhore duhet të sigurojë konsensus politik për ndarjen eventuale në zona, pragun zgjedhor, listat zgjedhore të kandidatëve, votën preferenciale apo eventualisht ridizajnimin e përbërjes së KQZ-së, si dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të Kosovës nga ana e qytetarëve. 
 
Me qëllim të arritjes së një reforme të mirëfilltë zgjedhore, shoqëria civile, e cila ka qenë e angazhuar në kuadër të Forumit Reforma, është shprehur sërish e gatshme që të kontribuojë me komente dhe sugjerime. Aspekte të caktuara të reformës zgjedhore janë të lidhura drejtpërdrejt edhe me ndryshime kushtetuese. Këto ndryshime shtrojnë nevojën për konsensus të sinqertë politik. Ndërkaq në një moment të tanishëm politik dhe qeverisës arritja e këtij konsensusi duket të jetë relativisht e vështirë.
 
Andaj përderisa këto tema nuk do të marrin drejtim, edhe për një kohë do të qeverisemi nga një qeveri me krizë të numrave në Kuvend. 
 
Në të vërtetë, nëse gjatë viteve të fundit kemi arritur të përmirësojmë proceset zgjedhore, nga prizmi i funksionimit institucional kemi prodhuar jostabilitet të vazhdueshëm. Deri më tani asnjë qeverisje e nivelit qendror nuk ka arritur të përmbushë mandatin e vet të plotë. Për pasojë, kemi organizuar zgjedhje të parakohshme duke shkaktuar shpenzime të buxhetit, por edhe presion në KQZ, që pashmangshëm ka ndikuar në kualitetin e përgatitjeve për zgjedhje. 
 
Ky trend i tillë i krizave institucionale duket sikur do të na përcjellë edhe më tutje. Në rrethana të tilla qytetari i Kosovës sigurisht që ngre dilemën nëse vendi ynë e ka komoditetin financiar, por edhe të qëndrueshmërisë institucionale për të mbajtur zgjedhje kaq të shpeshta.
 
Mirëpo, sa e mendojnë përfaqësuesit politikë një dilemë të tillë, qëndrimet variojnë varësisht nëse subjektet i takojnë koalicionit qeverisës apo opozitës. Ndërkaq në mes është vazhdimisht qytetari i Kosovës me konstatimin e saktë se asnjëra palë nuk po çan fort kokën për ngecjen e vendit dhe zhgënjimin e skajshëm shoqëror. 
 

© zëri.info