Zërat

Iliriana Banjska

Leja prindërore = Barazi gjinore?

10 prill 2018 • 12 : 15

“Kur është koha e duhur – është pyetje e shpeshtë midis prindërve kur është fjala për të vendosur se kur duhet të merret leja (pushimi) pas lindjes së fëmijës. Për mua ishte e lehtë sepse kishim binjakë, e mora menjëherë pas lindjes së tyre”.

Këtë histori personale e tregoi një baba lidhur me angazhimin e tij në rritjen e fëmijëve të tij. Ai sapo u kthye në punë nga leja prindërore pesëmuajshe pasi kaloi kohë cilësore me binjakët e tij, duke u kujdesur për ta së bashku me bashkëshorten.

Ai shpjegoi se në Suedi leja prindërore u fut në vitin 1974 dhe e zëvendësoi pushimin e lehonisë me qëllim të përfshirjes së më shumë grave në fuqinë punëtore ashtu që gratë të bëhen agjentë të fuqishëm ekonomikë.

Që nga fundi i vitit 2015 Ligji i Punës i Kosovës, i cili hyri në fuqi në vitin 2010, është në proces të ndryshimit e plotësimit. Për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe pasi që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e nisi transpozimin e disa prej direktivave kryesore të BE-së që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës, një pjesë e Ligjit të Punës së Kosovës tani është në formën e draftit dhe është gati për konsultime publike.

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) e shfrytëzoi këtë mundësi për t’i organizuar mbrëmjet e rregullta të diskutimit për ta nxitur një dialog lidhur me çështjen e futjes së konceptit të lejes prindërore në Ligjin e ndryshuar të Punës të Kosovës. Këtu anekdota e babait u mirëprit me buzëqeshje dhe lëvdata.

Në fakt, nuk shtrohet më pyetja nëse Kosova duhet ta përfshijë këtë lloj lejeje në legjislacionin e saj, pasi që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka rënë dakord dhe është angazhuar në punën e nevojshme për ta transpozuar një paketë të Direktivave të BE-së në legjislacionin kombëtar që përfshin Direktivën 2010/18/EU për leje prindërore.

Kjo direktivë u krijua nën ombrellën e barazisë së mundësive për burrat dhe gratë dhe për ta inkurajuar një marrëdhënie të balancuar midis punës dhe jetës familjare. Në teori kjo nuk tingëllon shumë revolucionare ose e jashtëzakonshme derisa ta testoni në një shtet që është i ri në këtë fushë, siç është Kosova.

Pse u lavdërua babai sepse mori pushim nga puna për t’u kujdesur për fëmijët e tij? Pse u është dashur shumë vendeve kaq shumë kohë për ta kuptuar se kujdesi për fëmijën e të dy prindërve është përgjegjësi e të dyve, prandaj që të dy duhet ta gëzojnë të drejtën për leje nga puna për të kaluar kohë cilësore me fëmijët e tyre?

Ndoshta përgjigjja qëndron në konceptimin e rrënjosur thellë dhe pothuajse mistik se nëna është kujdestari i vetëm i aftë. Për kohë të gjatë pushimi i gjatë i lehonisë për gratë është konceptuar si një e drejtë që u jepet grave, duke i respektuar gratë dhe të drejtat e tyre riprodhuese. Sidoqoftë, ndonjëherë nuk arrijmë që t’i shohim se si format e ndryshme të të drejtave mund ta kundërshtojnë ose madje ta dëmtojnë njëra-tjetrën. Kuptimi i pushimit të zgjatur nga puna vetëm si e drejtë e grave vazhdon t’i shohë gratë kryesisht si aktorë privatë në vend të aktorëve publikë.

Për më tepër, kjo “e drejtë” mund të ketë ndikime negative në të drejtat e tjera, siç janë e drejta për punë, e drejta për trajtim të barabartë dhe e drejta për jetë dinjitoze.

Një ekonomiste u fut në detaje lidhur me këtë çështje, duke ofruar statistika aktuale të shkallës së papunësisë dhe shkallës së pasivitetit të grave në Kosovë dhe si kjo pjesërisht lidhet me faktorët diskriminues në tregun e punës për shkak të dispozitave aktuale të pushimit të lehonisë.

Kjo u mbështet nga një shpjegim i modelit që kombinon lejen e lindjes (pushimin e lehonisë), lejen e atësisë dhe lejen prindërore në atë model të cilin Forumi Ekonomik i Grave avokon që të përfshihet në Ligjin e Punës.

Ky model është hartuar në mënyrë të tillë që e zvogëlon diskriminimin apriori me të cilin aktualisht ballafaqohen gratë në tregun e punës në Kosovë. Dëshmitë kanë treguar se punëdhënësit e parapëlqejnë punësimin e burrave për t’u ikur  shpenzimeve të larta të pushimit të lehonisë për biznes. Janë bërë argumente shtesë lidhur me atë se si dispozitat e tanishme në fakt i diskriminojnë burrat të cilën e kanë të drejtën vetëm për dy ditë me pagesë si leje e atësisë.

Për më tepër, janë ngritur shqetësime rreth rrezikut që modeli aktual i propozuar për lejen e lindjes (pushimin e lehonisë), lejen e atësisë dhe lejen prindërore, i cili u siguron grave gjithsej 16 muaj pushim (nga të cilat nëntë muaj me pagesë) dhe burrave katër muaj e dhjetë ditë (nga të cilat 10 me pagesë), nuk e trajton çështjen e diskriminimit gjinor në tregun e punës.

Audienca i ngriti disa çështje lidhur me modalitetet e ndryshme për kompensimin e disa modeleve potenciale të diskutuara, nivelin e hulumtimeve të marra në konsideratë nga Ministria përpara dizajnimit të modelit të propozuar dhe diskriminimin ndaj burrave, çka do të ndodhë pas pushimit, a do të investojë Kosova në më shumë shërbime për kujdesin e fëmijëve dhe çfarë roli ka shteti në çështjet e planifikimit familjar?

Në tërësi, diskutimi i ilustroi mendimet dhe shqetësimet e ndryshme që ende mbizotërojnë në debat, i cili kur shikohet nga më afër tregon qartë se ende ekzistojnë ndarjet gjinore të përgjegjësive dhe të detyrave në familje.

Gjatë gjithë mbrëmjes u vërejt mendimi i përbashkët për faktin se i tërë procesi i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit të Punës në Kosovë ka qenë proces gjithëpërfshirës, ënë të cilin komentet nga qytetarët, organizatat, sindikatat e punëtorëve dhe hisedarët e tjerë u mirëpritën nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Do të doja ta përfundoja këtë shkrim me një thirrje për të gjithë qytetarët dhe palët e interesuara që t’i japin mendimet dhe komentet e tyre mbi ndryshimet e propozuara përmes platformës së konsultimeve publike.

© zëri.info