Zërat

Bardh Frangu

Është koha të ndalet Cezari

03 prill 2018 • 14 : 13

Nuk themi gjë të re nëse konstatojmë se liderët tanë politikë janë të papërgjegjshëm, të korruptuar dhe të strukturuar nëpër grupe interesi të kriminalizuara.

Nuk është i ri as konstatimi se këta liderë kanë arritur ta kriminalizojnë shoqërinë, duke e zhveshur atë nga përgjegjësia dhe duke mbjellë tek ajo instinktin e grabitjes si të vetmen filozofi funksionale.

Në këtë mënyrë e keqja ka mundur të mirën në këtë vend, madje mund të themi lirshëm se e ka dërrmuar, ndërsa shembulli i keq tashmë është koduar si shembull i mirë. Prandaj të jesh sot njeri i politikës në këtë vend nuk mund e të mos identifikohesh me hajnin a kriminelin.

Në kuadër të ndërtimit të kësaj filozofie janë përdorur dhe vazhdojnë të përdoren të gjitha instrumentet që mundësojnë institucionet e shtetit, i cili është i mbërthyer nga logjika e partisë shtet. Dhe nuk mund të jetë ndryshe, sepse organizimi shtetëror është reflektim i organizimit partiak. E organizimin partiak e kemi si është më së keqi.

Dhe kështu keq e duan edhe liderët politikë, të cilët të vetmin pajtim mes vete e kanë kundërshtimin e reformave zgjedhore, gjë kjo kaq e nevojshme për një vend, ku instalimi i sistemit demokratik është shumë i zorshëm shkaku i mungesës së sovranitetit dhe standardeve të përbashkëta për të gjithë qytetarët.

Ndërsa liderët tanë politikë mund t'i shohësh të shtrirë nëpër shilte me gotat e çajit të rusit përpara dhe me revole në dorë, nuk mund të presësh një sjellje ndryshe të tyre karshi institucioneve, karshi vetë shtetit.

Kështu është puna edhe me të zgjedhurit tanë në Kuvend, në institucionin më të rëndësishëm të shtetit, sepse të tillët së pari janë të përzgjedhur nga liderët e tek pastaj nga vullneti ynë, i cili vazhdon të dominohet nga vota e papërgjegjshme.

Prandaj të tillët sillen si një klasë problematike nxënësish, ku ora e mësimit mbahet me vështirësi, ndërsa shumica e nxënësve mungojnë e ata që janë të pranishëm nuk dinë çka bëjnë e nuk dinë çka thonë.

Prandaj këta liderë politikë dhe kjo klasë politike në përgjithësi nuk është për t'i zgjidhur problemet e kësaj shoqërie, por për të qenë vetë problemi i shoqërisë dhe këtij vendi, ndërsa prioritet të vazhdueshëm kanë zgjidhjen e problemeve të tyre dhe të grupeve të interesit që përfaqësojnë.

Duke u bazuar në këtë, vështirë është të gjesh një shteg nga mund të dilet nga kjo krizë e madhe politike dhe morale, nga ky udhëkryq i madh. Kjo më shumë për faktin se të gjithë ata që e dinë çka është përgjegjësia dhe interesi publik janë shtyrë thellë në margjina dhe janë vënë në një pozitë, ku duhet të përballen me mbijetesën.

Në këtë vend zëri i ndërgjegjes është vrarë. Tjetër gjë janë zërat opozitarë që shfaqen si të tillë në kuadër të improvizimeve të përgjithshme të funksionimit të shtetit dhe të institucioneve.

Madje edhe të tillët duken sikur janë në koordinim të plotë me logjikën vepruese të papërgjegjësisë së liderëve politikë, duke luajtur në këtë mënyrë rolin e zhurmuesit vetëm e vetëm që të mos dëgjohet zëri i arsyes në këtë vend.

Shihni këta të ashtuquajturit analistë politikë si shfaqen nëpër televizionet tona nacionale kinse me opinionet e tyre (po në asnjë rast me analizat, sepse nuk janë analistë) bëjnë rolin e opozitës, ndërsa të gjithë e kemi të qartë se të tillët i shfrytëzojnë mediet si trampolinë vetëm e vetëm për t'u ngjitur shkallëve të pushtetit, gjë kjo e dëshmuar katërçipërisht gjatë gjithë këtyre viteve.

Ndryshe, ne praktikisht nuk kemi opozitë, sepse po të kishim parimisht do t'i takonte që të merrte përgjegjësi më shumë se vetë pozita, ndërsa i takon shumica e vullnetit të shumicës shqiptare të shprehur me votë.      

Në kontekst të gjithë kësaj kushdo që shtegun e shpëtimit e sheh nëpërmjet zgjedhjeve të jashtëzakonshme e ka gabim. Zgjedhjet në një klimë të tillë, pa reformë zgjedhore dhe me grupe të kriminalizuara nuk mund të prodhojnë qeveri të hairit.

Për më keq, edhe po të prodhonin një qeveri më të përgjegjshme se kjo (ndërsa më të papërgjegjshme nuk mund të prodhojnë), vështirë se do të mund të ishte funksionale, sepse përtej këtij modeli politik asgjë nuk funksionon, gjë kjo e cila u provua me qeverinë “Mustafa”, kur LVV-ja u çart për ta ndjekur jo vetëm nga objekti i Qeverisë, por edhe nga shtëpia e tij! Madje në këtë përpjekje këta militantë anarkistë gjetën edhe përkrahjen e liderëve aktualë politikë.

E kur kihet parasysh fakti se edhe optimistët më të mëdhenj kanë parashikuar se ky vit politik do të jetë shumë i vështirë dhe me paqartësi të mëdha, bën dëshminë më të mirë se ndodhemi në një moment kur do të duhej të klithnim si romakët: ‘Është koha të ndalet Cezari!”, por çështja është se kush do të mundë ta ndalë atë!?                       

 

© zëri.info