Zërat

Rasim Alija

Kuvendi! Lëmshi që duhet gjetur fijen

03 prill 2018 • 12 : 39

Kuvendi i Republikës së Kosovës miraton ligje, rezoluta dhe akte të tjera të përgjithshme. Ky është Neni 65, pika 1 në Kushtetutën e Kosovës lidhur me kompetencat e Kuvendit.

Një pasqyrë e shpejtë e punës së Kuvendit të Kosovës na jep një raport të zymtë. Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Republikës ka plot 52 ligje të paproceduara. Në mesin e këtyre ligjeve edhe paketa e ligjeve të cilat janë pjesë e ERA-s (Agjendës për Reforma Evropiane).

Në terma të thjeshtëzuar, Qeveria procedon ligjet në Kuvend, ky i fundit sipas rregullores procedon më tutje, i miraton ose i kthen prapa. Kjo procedurë e thjeshtë në përshkrimin paraprak duket të jetë mision i pamundur për deputetët e Kuvendit të Republikës.

Anemia e punës së Kuvendit nuk është sindrom vetëm i kësaj legjislature. Një sëmundje e tillë e kishte përcjellë edhe legjislaturën e pestë të Kuvendit me një superkoalicion dhe me një shumicë dërmuese me numra.

Kjo shumicë asokohe nuk po arrinte të merrte vendime të mëdha, duke e bllokuar punën e Kuvendit me muaj të tërë. Me idenë e një formati tjetër politik që do të merrte këto vendime të munguara, koalicioni PAN erdhi në pushtet, duke u bërë legjislatura e gjashtë e Republikës së Kosovës që nga paslufta.

Përtej protestave, gazit lotsjellës, seancave kamikaze në orët e vona të mbrëmjes dhe prapaskenave të subjekteve politike të cilat bllokuan punën e Kuvendit, janë dy gjëra që shënjuan (mos) punën e Kuvendit.

Temat e mëdha

Politikën shtetërore në Kosovë e dikton urgjenca. Dy legjislaturat e fundit të Kuvendit janë diktuar nga urgjenca. Demarkacioni me Malin e Zi ka qenë urgjenca e tre vjetëve të fundit. Nga një improvizim që rezultoi me zgjidhjen e kësaj të fundit, urgjenca e radhës është Asociacioni i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Pas kësaj do të rishfaqet urgjenca e radhës, ajo e Gjykatës Speciale.

Pikërisht gjendja urgjente e emergjente e politikës shtetërore dhe nevoja e subjekteve politike që temat e tilla t’i vendosin si prioritete, Kuvendi është bllokuar me muaj radhazi, madje duke e përdorur gazin lotsjellës si formën e vetme të kundërshtimit.

Në lëmshin e madh të kundërshtimeve pozitë e opozitë për temat e mëdha vendi ka mbetur pa ligjet me rëndësi vitale për funksionimin normal të tij. Një grumbull ligjesh që vendosin infrastrukturën ligjore të një shteti demokratik kanë mbetur krejt në harresë.

Ligji për Subjektet Politike, reforma zgjedhore, reforma e administratës publike e reformimi i sistemit të drejtësisë janë vetëm disa nga prioritetet që do të duhej të ishin në krye të kësaj legjislature, por që nuk janë.

Prej bllokadës në bllokadë, nga improvizimi në improvizim Kuvendi është shndërruar në një forum diskutimesh, ku debatet për matjen e patriotizmit ndërmjet deputetëve vazhdojnë të jenë temat më të nxehta të tyre, duke e shkrirë krejt dijen e përvojën prej ligjvënësish. 

Deputetë sa për të qenë

Jorrallë, madje bukur shpesh, deputetët nuk kanë pasur idenë për çfarë po votojnë. Madje për këtë janë deklaruar pas seancave në të cilat kanë votuar për diçka të cilën as nuk e kanë lexuar e as nuk kanë kërkuar ta lexojnë. Jorrallë e shumë shpesh kemi parë seanca ku nuk është siguruar kuorumi për mbajtjen e seancave të rregullta të Kuvendit, duke e përçudnuar Kuvendin e Republikës në më pak se 40 deputetë të pranishëm në seancë.

Shumë shpesh e rrallëherë shumica e deputetëve të Kuvendit nuk denjojnë të marrin fjalën për të dhënë alternativa konkrete në seancat e Kuvendit. Edhe atëherë kur e bëjnë cilësia e diskutimeve dhe propozimeve ngjason me seminaret ku arsyeja e vetme pse ke marrë pjesë në to është mëditja dhe certifikata e pjesëmarrjes.

E kuptoj që është e vështirë për subjektet politike që të fillojnë fazën e demokratizimit të brendshëm. Kjo në shumicën e herëve nënkupton ndarje të dhimbshme, shkëputje nga trashëgimia e tyre e si pasojë edhe shkëputje me njerëzit që janë makineri e mbledhjes së votave.

E të tillët duhet të jenë në listat zgjedhore jo për cilësinë e tyre prej ligjvënësi, as për aftësinë e tyre për të analizuar, propozuar e marrë iniciativa ligjore, por për të vetmen cilësi që e kanë, atë të mbledhjes së votave për partinë.

Do të ishte krejt në rregull kjo aftësi e tyre po të kombinohej edhe me cilësitë më lart, të cilat nuk i kanë. Subjektet politike duhet të krijojnë një mekanizëm të brendshëm të tyre të bazuar mbi kritere në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë në listat zgjedhore.

Qytetari duhet të shkojë drejt kutisë së votimit me idenë e përzgjedhjes së një pesësheje cilësore, përfaqësuese e mbrojtjes së interesave të tij dhe pa histori të veprave penale. Një pesësheje që qëllim në vetvete nuk e ka pagën dhe mëditjen prej deputeti, as votën e dhënë pa e ditur për çfarë ka votuar, as për mungesën e shndërruar në trend gjatë seancave të Parlamentit.

Subjektet politike dhe deputetët e tyre kanë përgjegjësi kushtetuese, në raport me këtë uroj të heqin dorë nga trajtimi i vendit dhe Kuvendit me sindromen e urgjencave, ndryshe do të mbesim në gjendjen e përhershme të trajtimit si pacientë në spitalin që nuk e dimë a ekziston.  

© zëri.info