Zërat

Prof. dr. Muhamet Sadiku

Pritjet e Ballkanit Perëndimor dhe premtimet evropiane

03 prill 2018 • 10 : 04

Pas publikimit të Strategjisë së Anëtarësimit të BE-së për Vendet e Ballkanit Perëndimor gjërat janë qartësuar definitivisht. Mbetet shumë pak hapësirë për komente kombëtare se vërtet ku jemi dhe sa kohë na duhet për anëtarësim, apo rruga më produktive për qasje në proces integrues.

Përpjekjet për ambalazhimin politik për nevoja të brendshme janë të paefektshme. Edhe në rastin e Shqipërisë shpresonim se dita e fillimit të negociatave për anëtarësim është afër.

Por, në trajtimin e çështjeve të Ballkanit Perëndimor Shqipëria ka se çka duhet të bëjë. Nevojitet bashkim i forcave politike, institucionale dhe ekonomike kombëtare për të vendosur vendin në binarë integrues evropian. Kërkohet veprim evropian jo vetëm për plotësimin e kritereve, por edhe për bërjen e Shqipërisë vend prosperues për qytetarët e saj.

Nuk mjafton të vërehen vetëm sheshet e bukura të Tiranës, duhen shikuar edhe viset tjera të Shqipërisë. Sidomos papunësia, varfëria dhe korrupsioni mbeten armiq të mëdhenj të Shqipërisë. Kjo situatë ka rezultuar në  largimin e popullatës nga vendi. Në këtë rast nuk nevojiten deklaratat politike për t’i qetësuar qytetarët. Në debate dhe akuza politike në mes të palëve, nuk duhet shtrembëruar konteksin evropian.

Qysh tani rruga mbetet e gjatë. Këtë distancë kohore mund ta shkurtojë qeverisja dhe menaxhimi i mirë i proceseve, fuqizimi i demokracisë dhe i ekonomisë së tregut. Definitivisht kjo ngjarje e ka paraqitur prospektin evropian edhe të Kosovës. Përveç thellimit të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut kërkohet fuqizimi i shtetit ligjor. Në kuptimin ekonomik kjo do të thotë ndërtimi i kapaciteteve konkurruese dhe bërja garë me ekonominë e BE-së.

Në terma ekonomike duhet pasur parasysh se me çfarë çmimi dhe cilësie mund të prodhojë Kosova për konsumatorin evropian. Për të bërë këtë punë nuk mjafton një mandat qeveritar i askujt.

Një mandat mund “të konsumohet” në kërkim të gjetjes së kuptimit të vërtetë të procesit të integrimeve. Kërkohet që të gjendet formula dhe paswordi i integrimeve që do të ishte drejtim i shumë qeverive të ardhshme. Realisht nga tani kërkohet punë e shumë qeverive për të parë përafrimin e vërtetë të Kosovës me BE-në. Realisht mund të kalojë koha e të mos kuptohet rruga evropiane e Kosovës: situata aktuale, progresi, kriteret, politikat dhe të tjera.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë popullata kishte shpresë të madhe në ndërtimin e demokracisë, të ekonomisë së tregut dhe në procesin integrues. Pritjet ishin të logjikshme duke pasur parasysh çlirimin nga e kaluara e hidhët dhe realitetin evropian. Në anën tjetër, në Shqipëri disa herë ishte shpallur përfundimi i tranzicionit dhe kalimi në një fazë të re të zhvillimit (konsolidimi).

Ndërsa mungonte gjykimi lidhur me kulturën e tranzicionit (rritje e sektorit privat, liberalizimi i brendshëm ekonomik, shteti ligjor, pranim-dorëzimi i pushtetit, krijimi i aleancave politike, luftimi i korrupsionit e tjerë). Në një moment kjo fazë e tranzicionit u deklarua në mënyrën më triumfale. Por ja erdhi viti 1997, vetëshkatërrimi i Shqipërisë duke e prapsur vendin në vitet e para të tranzicionit.

Kultura e tranzicionit që ka të bëjë me fuqizimin e institucioneve, sistemit gjyqësor, krijimi i aleancave në Parlament, bartja dhe marrja e pushtetit në mënyrë paqësore, partneriteti ndërkombëtar e të tjerë. Në anën tjetër, mungonte kuptimi që vlerësimet duhet nxjerrë nga indikatorët makroekonomikë e sidomos të atyre socialë: paga mesatare, paga minimale, pensionet, cilësia e arsimit dhe e shëndetësisë. Është për keqardhje se klasa politike e Shqipërisë nuk ka nxjerrë mësime se si të ruhet tranzicioni dhe si krijohet progresi në demokraci dhe ekonomi të tregut.

Duhet pranuar se edhe BE-ja tregon mungesë të konsistencës. Në të kaluarën ishte bërë një skandal integrues me pranimin e një pjese të Qipros dhe të anëtarësimit të përshpejtuar të disa shteteve tjera. Me qasjen e re tentohet të mos bëhen edhe gabime të reja. Por, në realitet integrimi vazhdon sipas gabimeve esenciale. Kjo ka të bëjë me rastin e Serbisë dhe të Malit të Zi.

Lehtë është të quhet Mali i Zi shtet miqësor. Duhet pyetur dukagjinasit se kush ishin vrastarët e tyre dhe ata që i digjen për së gjalli. Apo duhet pyetur dubrovnikasit se kush i kishte bombarduar dhe provuar ta formonte Republikën Serbe të Dubrovnikut, si formë mesjetare e pushtimit të tokave të huaja. Në anën tjetër të tregohet rruga evropiane me epilog 2015 për Serbinë mbetet gjëja më jodemokratike.

Së pari gjenocidi dhe mos gjetja e rreth 1.700 kufomave shqiptare në varrezat masive në Serbi, mos dënimi i kriminelëve dhe mosballafaqimi me të kaluarën dhe tmerret e bëra ndaj të tjerëve do të duhej të ishin arsyet e forta për stopimin e saj drejt BE-së. Kështu leksioni i BE-së për Ballkanin Perëndimor do të duhej të ishte ndryshe. Porositë e BE -së do të duhej të ishin të qarta: hyrja në BE vetëm për ato shtete dhe kombe që nuk kanë bërë gjenocid dhe tmerre ndaj të tjerëve.

Është koha që autorët e gjenocidit të dalin para pasqyrës dhe të shohin veten, apo të kërkohet lindja tjetërfare e një Serbie dhe e një Mali të Zi. Vetëm shtetet që kërkojnë falje publike për të bërat tjerëve e kanë vendin në rrugën e integrimeve evropiane. Nuk mjafton vetëm falja në mes të qeverive. Ajo duhet të vijë nga vetë populli, si garanci afatgjate e miqësisë dhe e bashkëpunimit.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë ishte një numër i vogël i njerëzve që i kuptonin shqetësimet dhe nevojat integruese evropiane. Më sa më kujtohet se krahas këtij preokupimi ishte edhe një gazetë dhe një televizion. Tani me kalimin e kohës realisht ka zënë të krijohet edhe një klasë politike dhe profesionale evropiane. Ideja dhe proceset integruese kanë zënë të akomodohen në shumë universitete, institucione dhe grupet të profesionistëve.

Në disa institucione të arsimit të lartë janë hapur departamente dhe njësi akademike për procesin integrues dhe për vetë BE-në dhe për vlerat e saja. Me fuqizimin e këtij komuniteti do të kuptohet më mirë edhe realiteti i Kosovës në raport me BE-në. Kjo krijon mundësi që të flaken pritjet jorealiste për përmasën, përmbajtjen, dinamikën dhe fillimin e një jete brenda BE-së.

Duhet larguar iluzionet dhe të kërkohen qasje realistike. Sidomos gjatë zgjedhjeve duhet të mos manipulohet me opinion me përfitimet e shpejta nga BE-ja Për të pritur përfitime nga integrimi, në radhë të parë duhet mbuluar kostot në forma të ndryshme: përshtatja legjislative, politikat ekonomike, transformimet, adresimi i sektorëve primar të rritjes ekonomike, zhvillimi human dhe aspekte tjera.

Vetëm koha dhe pritjet nuk e përafrojnë Kosovën me BE-në, por as sloganet integruese gjatë proceseve zgjedhore. Vetëm puna dhe angazhimi i të gjitha segmenteve të shoqërisë mund të lehtësojë këtë rrugëtim. Nuk mjafton që vetëm Qeveria të kuptojë BE-në. Është e nevojshme që të manifestohet edhe angazhimi i shoqërisë civile të zhvilluar (OJQ, bizneset, grupet e interesit, komunitetet, mediet).

Aspekt i veçantë mbetet se si komunikon Kosova me BE-në në këtë fazë të hershme të integrimit. Komunikimi Qeveria - BE duhet të shkojë edhe nëpër kanale tjera dhe akterë tjerë në komunikim, me qëllim të realizimit të komunikimit inkluziv. Vetëm kështu do të bëhet më e afërt BE-ja me kërkesat dhe kriteret e veta të anëtarësimit.

Se për shtetet ballkanase integrimi është një detyrë e vështirë ka treguar edhe funksionimi i tregut të lirë CEFTA. Pavarësisht theksimit të rëndësisë së këmbimit tregtar të lirë gjërat në terrenin praktik kanë shkuar vështirë. Shpeshherë lëvizja e lirë tregtare është përcjellë me mosmarrëveshje në shumë raste. Synimi i BE-së për kultivimin e një praktike të tregtisë liberale është penguar nga palët e ndryshme tregtare.

Me këtë rast duhet veçuar mungesën e gatishmërisë së Serbisë në raport me këmbimin tregtar me Kosovën dhe shtetet tjera. Kjo tregon se Serbia mbetet pengë i ideologjisë mesjetare dhe në mungesë të kuptuarit e përvojave të BE-së për promovimin e liberalizmit rajonal tregtar. Kjo njëkohësisht tregon edhe për mungesat esenciale të qeverisjes evropiane të ekonomisë dhe politikës së Serbisë.

Realisht kjo është e kuptueshme pasi që Serbia qeveriset nga të njëjtat fuqi politike dhe liderë institucionalë që e zhvilluan luftën kundër të gjithë tjerëve që kërkonin dhe bënë pavarësi. Kjo gjithashtu tregon se për të pasur sukses integrimi duhen fuqi të reja politike dhe liderë që e kuptojnë të kaluarën dhe pasojat dhe që kanë ide për prosperitet evropian dhe vlera të BE-së.

Kështu e kërkon edhe paqja evropiane dhe synimi për prosperitet për të gjithët. Vlen të paramendohet bërja e Serbisë pjesë e konsensusit të BE-së. Kjo mund të fusë pengesa të mëdha për vendet tjera rreth Serbisë. Kosova nuk e dëshiron një konsensus nga një shtet në BE, që nuk ballafaqohet me pasojat e krimeve ndaj të tjerëve. Një konsensus i tillë do të ishte pengesë e madhe edhe e anëtarësimit të Shqipërisë.

Prandaj qysh tani BE-ja duhet të gjejë formulën e përshtatshme që anashkalon mundësinë e Serbisë që nëpërmjet konsensusit evropian të bllokojë hyrjen e të tjerëve. Kjo do të shtonte siguri për anëtarësimin e të gjithëve në BE.

Megjithatë, BE-ja nuk do të duhej të bënte gabime të tilla. Vazhdimi i një përvoje të tillë mund ta rrezikonte esencën e BE-së me paraqitjen edhe të rasteve tjera potenciale të daljes nga kjo strukturë mbinacionale.

Kjo mund të bëhet realitet duke pasur parasysh edhe rritjen e europesimizmit të manifestuar nga shumë parti dhe grupe politike në disa vende anëtare të BE-së.

© zëri.info