Zërat
Ramadan Qehaja
Ramadan
Qehaja

Plani serb për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës

Zërat March 31, 2018 - 13:18

S’do mend se situata e krijuar në veri të Kosovës me rastin e përdorimit të një njësiti special të Policisë së Kosovës për arrestimin e zyrtarit të lartë serb, Marko Gjuric, si duket nuk do të mbarojë me kaq.

Paralajmërimet serbe për “domosdonë” e formësimit të Asociacionit të Komunave Serbe në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, vetëm se do t’i komplikojë edhe më tepër marrëdhëniet kosovaro-serbe. Mendoj se pas kësaj situate Beogradi zyrtar do të shkojë më tutje në kuptim të fillimit të përgatitjeve për shkëputjen e veriut të Kosovës me forcë, përkatësisht me aneksimin e kësaj pjese dhe bashkëngjitjes së Serbisë.

Nëse vetëm sipërfaqësisht e bëjmë një analizë të ngjarjeve dhe veprimeve të deritanishme serbe atje që pas përfundimit të luftës e deri në ditët e sotme, atëherë lirisht mund të themi se ato përputhen me disa metoda të avancuara të luftës speciale e që ishin dhe mbetën të pranishme në vazhdimësi. Kjo luftë speciale gërshetonte forca dhe mjete të veçanta të shërbimit inteligjent serb e që patën detyra të veçanta për ta përgatitur terrenin që në fazën e parë të bëjnë përgatitjen për shkëputjen e kësaj pjese të territorit të Kosovës.

Nëse ky konstatim analizohet diç më detajisht, atëherë vijmë në konkludim se në fazën e dytë, siç thamë pas ngjarjeve të këtyre ditëve, Beogradi zyrtar mund t’i përdorë forcat e caktuara ushtarake e të xhandarmërisë serbe, ashtu siç deklaroi presidenti serb Vuçiq se “Isha duke menduar të dërgoj ushtrinë dhe policinë në pjesën veriore”. Jam i prirë te mendoj se kjo situatë edhe mund të ndodhë. Aq më parë që një përkrahje ruse në këtë drejtim, jo vetëm në suaza verbale, i është premtuar Vuçiqit duke u bazuar në metodën e Krimesë, ku veriu i Kosovës do t’i bashkëngjitej Serbisë.

Edhe pse tërheqja e paraleles në mes të Kosovës dhe Ukrainës nuk do të ishte e qëlluar sidomos në aspektin kontekstual e politik, duke marrë parasysh dallimet në aspektin politik dhe gjeostrategjik, instrumentet megjithatë që janë përdorur atje mund të aplikohen në rastin e Kosovës. Me një fjalë, Beogradi zyrtar mendon që ketë pjesë ta marrë me detashimin dhe desantimin e “rrufeshëm” të forcave dhe të mjeteve në pozicione të rëndësishme orografike-topografike dhe drejtime të caktuara të veriut e më pas t’i dërgojë përforcimet e duhura, si dhe logjistikën e nevojshme. Situatën për aneksim e bën edhe më të volitshme dëgjueshmëria e atjeshme qytetare ndaj këtij pretendimi të Vuçiqit, lojaliteti i vazhdueshëm ndaj Beogradit zyrtar i një pjese të Policisë së Kosovës, e cila është e përqendruar dhe vepron atje. Sidoqoftë, është më se e qartë se plani rus për depërtim në rajonin e Ballkanit nëpërmjet Serbisë tanimë po bëhet gjithnjë e më i realizueshëm. Në këtë kuadër ndarja e Kosovës, përkatësisht tentimi serb për aneksimin e veriut të saj, po bëhet gjithnjë e më i qartë.

Në këtë situatë, kujtoj se është më se i nevojshëm dislokimi i njësiteve të caktuara të KFOR-it, të cilët do të ishin në gatishmëri vepruese në rast se ky plan serb fillon së zbatuari. Nëse në planin diplomatik serbët një tendencë të tillë do ta mohonin, kjo nuk do të thotë se do të zmbrapsen nga plani i tyre në praktikë. Gatishmëria vepruese jo vetëm në Policinë e Kosovës në jug të lumit Ibër duhet të analizohet, por edhe në njësitet policore, të cilat mund të kontribuojnë në mbrojtje të pjesës veriore dhe për kundërvënie eventuale. Rol të rëndësishëm në këtë proces ka Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, e cila duhet të jetë vigjilente në funksion të mbledhjes dhe procesimit të informacioneve e që do të ishin tejet të rëndësishme me qëllim të parandalimit të këtij skenari. Pa rol në këtë drejtim nuk duhet parë as Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila pavarësisht mandatit të saj të kufizuar duhet të jetë në gatishmëri për mbështetje të Policisë dhe kryerje eventuale të detyrave ushtarake vetëmbrojtëse.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK