Zërat
Faton Abdullahu
Faton
Abdullahu

Mbi disa rrethana dhe efekte të arrestimit të ministrit Gjuriç

Zërat March 27, 2018 - 15:07

Pyetja pesëlirëshe është – si mund të luftohet suksesshëm korrupsioni në këto rrethana në Kosovë. Tani për tani përgjigje nuk ka

Qytetari i Kosovës e deshi shtetin e tij dje, përkundër të gjithave. Intervenimi i Policisë së Kosovës në veri preku mu atë pjesë të disponimit të tij, që rrallë e hiç ngrihet në shkallën e krenarisë në këtë përmasë. Kjo tejkaloi shumë më shumë edhe gëzimin edhe krenarinë që ngjallte ngritja e flamurit të Kosovës në arenat ndërkombëtare sportive, nga fitoret e arta të Majlindës. Fakt është se, qytetarët e Kosovës i duartrokitën frenetikisht këtij intervenimi. Arrestimi i ministrit serb Gjuriç, në Kosovë, shkaktoj eksaltim kolektiv me atë që bëri shteti i tyre. Duke parë pamjet ku policia profesionale guximshëm intervenon duke treguar se këtu ka shtet dhe rregull, qytetari i Kosovës për një çast harroi të gjitha hilet dhe padrejtësitë ndaj tij dhe vendit të tij. Por krejt kjo nuk është as për së afërmi krejt ajo që ka lidhje me këtë ngjarje. Përkundrazi.

1)    Intervenimi i Policisë së Kosovës dje hap konkretisht dhe përfundimisht një kapitull të ri në Kosovë, atë të krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Presidenti Thaçi e ka paralajmëruar këtë pak ditë më parë, në një stil dhe me qëllimin që të bëhet e ditur se, kjo tani po bëhet është punë serioze, sepse ai po e nisë këtë. Intervenimi i Policisë së Kosovës në veri grumbulloj me shpejtësi të paparë dhe pa shumë shpenzime, kapital të mjaftueshëm politik për pushtetarët aktual e cila tani ngadalë dhe gjatë do të harxhohet duke i dhënë të drejta dhe ingerenca Asociacionit, gjithsesi larg më shumë se që e parasheh këtë Kushtetuta e Kosovës.

2)    Efekti i dytë i ngjarjes së djeshme ka të bëj me Serbinë. Nëse pushtetarët aktual serb, konkretisht Presidenti i Serbisë Vuçiq ka ndërmend t’i bind qytetarët e Serbisë se në një të ardhme të afërt duhet të bëjnë lëshime të mëdha dhe të dhembshme ndaj Kosovës, në çfarëdo forme qoftë, ky intervenim në veri të Kosovës dje e ka ndihmuar më shumë se çdo gjë tjetër Vuçiqin në këtë plan. Ai tani nuk ka nevojë të dal e të flas vazhdimisht para serbëve për të gjitha lëshimet që do të bëhen ndaj Kosovës dhe të arsyetohet  në stilin - E patë është e pamundur, shqiptarët janë të vendosur dhe nuk janë vetëm, por e kanë përkrahjen e fortë të SHBA-s bile edhe të BE-së. S’ka nevojë kështu foli Policia e Kosovës, sepse tani kjo kërkohet nga miqtë tanë ndërkombëtar, ne po hyjmë në një fazë të re të bisedimeve me Serbinë me jo pak të panjohura.

3)    Nuk është Lista Serbe ajo që do ta rrëzoj Qeverinë Haradinaj me largimin, konkretisht bojkotimin e saj në shenjë proteste për atë që ndodhi me rastin e arrestimit të ministrit serb Gjuriq. Jo, Lista Serbe do të kthehet shumë shpejtë aty ku iu është siguruar rol dhe ndikim i madh që të punoj edhe më shumë përbrenda kësaj Qeverie, për jetësimin e projektit të Asociacionit. Do ta bëj këtë bashkë me pushtetarët aktual, më së shumti dhe  konkretisht me Qeverinë Haradinaj. Nëse Qeveria Haradinaj nuk do të pajtohet me projektin e Asociacionit, të cilit në Kosovë i prinë njeriu më me ndikim në politikën kosovare, Thaçi, ajo do të bije ashtu siç ra Qeveria Mustafa, nga demarkacioni. Njeriu që do të humb më së shumti nga krijimi i Asociacionit mund të jetë Kryeministri Haradinaj.

4)    Në planin ndërkombëtar, koha për ta bërë një intervenim të tillë ishte ideale. Kemi një tendosje jo të zakonshme të marëdhënieve të perëndimorëve, konkretisht Britanisë së Madhe dhe Rusisë, rreth rastit të helmimit të dy shtetasve rusë, babë e bijë, që ishin nën mbrojtjen e shtetit të Britanisë. Si zakonisht SHBA-t u solidarizuan me Britaninë shumë, nuk mbeti prapa as BE. Dhe këto ditë ka një bojkot dhe sulm të orkestruar diplomatik të perëndimorëve kundër Rusisë me masa nga më të ndryshme. Intervenimi i Policisë së Kosovës nuk doli nga kuadri i përgjithshëm i kësaj qasje të perëndimorëve, aq më shumë kur dihet se Rusia është e involvuar në Ballkan me metoda e qëllime të ndryshme, që janë krejt në kundërshtim me projektet e perëndimorëve.

5)    Efekti tjetri këtij intervenimi, i cili mund të kualifikohet si efekt anësor, por si duket shumë i mirëseardhur është, eklipsimi përfundimtar i çështjes së demarkacionit. Përfundimisht demarkacioni kaloj në histori. Kjo ju konvenoj pothuajse të gjithëve. Së pari opozitës, sepse ajo nuk ishte në gjendje të nxjerr ndonjë përfitim të theksuar nga ratifikimi i saj dhe u vetëmjaftua që të fitojë poenë aq sa lejon aktualisht projekti i të vepruarit për këtë çështje përbrenda institucioneve të Kosovës, konkretisht fjalëve akuzuese në Kuvendin e Kosovës. Pastaj i konvenoj shumë më shumë pozitës, sidomos asaj pjese që e kishte sajuar si kauzë të rrejshme e cila dëshiron që kjo punë të harrohet sa më shpejt, sepse nga aktualizimi saj ajo vetëm mund të humb pikë politike, për aq sa nuk mund të bëj kurrfarë korigjimi të kufirit.

6)    Dje u dëshmua edhe një herë se Presidenti aktual Hashim Thaçi është njeriu më me ndikim dhe me pushtetin më të madh në Kosovë. Opozita aktuale, edhe po të ishte unike, do ta kishte shumë të vështirë t’ia prishë planet Presidentit. Kështu si është ajo, jo unike dhe pa strategji të menduar mirë e gjatë, vetëm mund të çoj ujë në mullirin e tij. Deri më tani vetëm këtë e ka bërë. E keqja më e madhe është se fuqia e pakontestueshme politike e Thaçit, e cila u rikonfirmua edhe dje, është lajm i keq për Kosovën, për aq sa ai është i ndërlidhur me korrupsionin. Ai me këtë problem është i ndërlidhur shumë dhe gjithanshëm. Pyetja pesëlirëshe është – si mund të luftohet suksesshëm korrupsioni në këto rrethana në Kosovë. Tani për tani përgjigje nuk ka.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK