Zërat
Adnan Rrustemi
Adnan
Rrustemi

“Zajednica” – kjo gjendje e përhershme kundërkushtetuese

Zërat March 26, 2018 - 13:07

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese mbi Marrëveshjen e Parimeve për themelimin e “Zajednicës”, si njëra nga shfaqjet më të dëmshme të dialogut politik me Serbinë, më shumë sesa mospërputhje të plotë të kësaj marrëveshjeje me Kushtetutën, për së pari ka shpalosur një gjendje të përhershme kundërkushtetuese, në të cilën ka zënë fill dhe është etabluar tërë dialogu politik dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme me Serbinë, si dhe vetë Qeveria e Kosovës në raport me këtë dialog dhe këto marrëveshje.

Kundërkushtetutshmëria e Marrëveshjes së 25 gushtit jo vetëm që e rrëzoi Marrëveshjen për “Zajednicën”, e për rrjedhojë pamundëson çdo hap tjetër rreth kësaj çështjeje, por nën dritën e këtij verdikti duhet të vështrohen edhe të gjitha marrëveshjet tjera të deritanishme, por edhe përgjithësisht dialogu politik me Serbinë, të cilat  jo vetëm që bazohen në premisa të njëjta që e mundësuan “Zajednicën” si ngrehinë, por edhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, po aq sa Marrëveshja e 25 gushtit.

Vërtitjet e Hashim Thaçit për t’i kontrabanduar marrëveshjet me Serbinë shpërfaqin një fakt të thënë në vazhdimësi se edhe shkelja e Kushtetutës, edhe pezullimi i saj flagrant e me vetëdije ka ndodhur si pasojë e dialogut me Serbinë. Brenda kësaj vazhdimi i dialogut politik pas aktgjykimit të Kushtetueses është vetëm vazhdim i një gjendjeje të përhershme kundërkushtetuese të mpiksur përgjatë procesit të dialogut, i cili nuk mund të ndërpritet nga ky president dhe nga kjo Qeveri, por duhet të përfundojë bashkë me rënien e kësaj mendësie qeverisëse.

Delegacionet e Kosovës në dialog gjatë gjithë kohës kanë qenë në dijeni se po negociojnë dhe po arrijnë marrëveshje me Serbinë përtej dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Vetë përfshirja në dialog e ka nënkuptuar këtë, ngase nuk ka kurrfarë sensi që të dialogohet me Serbinë për çështje tërësisht të brendshme dhe për ta zbatuar Kushtetutën e Kosovës.

Kësisoj dhe tërthorazi, Kushtetuesja e ka bërë të ditur se pjesëmarrja e Kosovës në dialog ka pasur në vazhdimësi dy fytyra; njëra që përdorej për të manipuluar publikun se gjoja Kosova po merr pjesë si shtet dhe si palë e barabartë për t’i normalizuar raportet me Serbinë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, ndërsa tjetra që ngërthen të vërtetën, se jo vetëm Serbia dhe ndërmjetësuesit e dialogut rezervojnë pozicion neutral ndaj pavarësisë së Kosovës, por edhe vetë presidenti dhe Qeveria e Kosovës gjatë gjithë kohës në dialog kanë qenë të zhveshur nga cilësia e një delegacioni shtetëror, duke pranuar aranzhmane për Serbinë jashtë rendit kushtetues e republikan. Për më tepër, ky duket të ketë qenë një nga parakushtet e dialogut, i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe njëkohësisht determinuesi i karakterit të të gjitha marrëveshjeve që kanë pasuar.

Paradoksalisht, ky president, kjo Qeveri dhe ajo e mëparshmja si pararendëse, kur bëhet fjalë për dialogun politik me Serbinë, me apo pa vetëdije kanë një shkrirje gati të plotë në qëndrimin e Serbisë për pavarësinë e Kosovës. Presidenti i Kosovës, që shfaqej në dialog në emër të Kosovës, në tavolinën e negociatave është lëshuar në pozicion të mohimit apo së paku të fshehjes së pavarësisë. Abstrahimi i pavarësisë nga të gjitha palët është shndërruar në kusht të domosdoshëm për dialogun pa kushte e që dialogu me Serbinë të ketë kuptim për Kosovën raportet duhet të përmbysen tërësisht.

Më tej, përpjekjet për ringjalljen e Marrëveshjes së 25 gushtit, përkundër kundërkushtetushmërisë, do t’i jepte rëndësi edhe më të madhe kësaj marrëveshjeje, e rritje të dëmeve politike e juridike për subjektivitetin shtetëror të Kosovës, duke bërë që “Marrëveshja” t’i qëndrojë përkrah dhe paralel edhe vetë Kushtetutës, për të cilën nuk është aspak e domosdoshme sipas qeverisë që të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Inicimi i dekretit dhe i statutit do ta legjitimonte pikërisht këtë. Prandaj, nuk mund të ndiqen veprime tjera e të korrigjohen aktet e nënrenditura në hierarkinë e normave përderisa baza e këtyre akteve, siç është Marrëveshja e Parimeve e konstatuar si antikushtetuese nuk është tërhequr. Madje, nuk mund të jetë dekreti dhe statuti në përputhje me Kushtetutën për sa kohë që marrëveshja është antikushtetuese.

Fundja, ç’punë i prish Serbisë vendimi i Kushtetueses, përderisa marrëveshja nuk po hidhet poshtë? Se a mos e njeh Serbia këtë Kushtetutë, apo mos ka kërkuar që marrëveshja të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës? Përkundrazi, me këtë rast Serbia vetëm sa e konfirmon se nga dialogu ka marrë maksimumin. Sa më kundërkushtetuese që është një marrëveshje e Kosovës me Serbinë, aq më shumë ka përfituar Serbia.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK