Zërat
Mustafa Nano
Mustafa
Nano

Sa shumë pëlqehen fabulat me tradhtarë në Ballkan

Zërat March 23, 2018 - 16:25

I dashur Zoran,

U bë kohë që nuk kemi komunikuar. Dhe kanë ndodhur jo pak gjëra qysh prej mesit të dhjetorit, kur më shkruaje për herë të fundit. Më e fundit gjë ndodhi më 18 mars. Në Rusi Vladimir Putini u rikonfirmua si President i vendit të vet. Një lajm i tillë pritej. Fitorja e Putinit në zgjedhje ishte më e sigurt se e hëna që vjen pas të dielës. E kush mund ta sfidojë atë? Putini në Moskë është shumë më i fortë, e më i padiskutueshëm, sesa Edi Rama në Tiranë e Aleksandër Vuçiq në Beograd. Këtej nga anët e mia, për njerëz si Putini mendohet në një mënyrë shumë të thjeshtë. Për ta thonë, në shenjë vlerësimi, se “nuk ua ha qeni shkopin”. Thellë-thellë Putini është ashtu si shqiptarët do ta donin që të ishte një udhëheqës i tyre politik apo shtetëror: një njeri që rregullat e lojës i sheh si optional, që di të përdorë forcën e dinakërinë, që di të lëvizë mirë në fushën e real-politikës, që di t’i marrë në mbrojtje miqtë, që është në gjendje të sfidojë kundërshtarët, e që në përgjithësi di t’i imponohet dynjasë.

E megjithatë, lajmi i zgjedhjes së tij për herë të katërt në krye të shtetit rus nuk është se u shoqërua me ndonjë jehonë të madhe në Tiranë. Përkundrazi, u shoqërua me indiferencë. Dhe kjo jo sepse thjesht ngjarja pritej, por më së shumti sepse ndikimi i Rusisë në Shqipëri – këtë gjë kam pasur rast ta nënvizoj edhe në një letër të mëparshme – është pothuajse zero. Ja, unë e thashë këtë të fundit, dhe pyes veten: Mos është e tepërt kjo “pothuajse”? Edhe vetë rusët janë pajtuar me këtë situatë. Zyrtarë rusë nuk para qëllon që të vizitojnë Shqipërinë. As zyrtarë shqiptarë në Moskë nuk para duken. Sa për vizita shtetërore të nivelit të lartë as që bëhet fjalë. Ka ndonjë tentativë për ndonjë shkëmbim ekonomik, por fakti është që bizneset ruse ende nuk kanë mundur të hyjnë në Shqipëri. Vetë diplomatët rusë mbajnë një profil të ulët në Tiranë. Ambasadori rus në Tiranë shfaqet në publik veç për të përgënjeshtruar ndonjë qëndrim apo raportim të medias së këtushme apo për të shprehur mospajtimin me ndonjë psikozë antiruse të manifestuar në debatin publik. Siç ndodhi edhe ditët e fundit, kur ai u bë i gjallë për të denoncuar një përpjekje të një pjese të medias për ta demonizuar Rusinë, për ta paraqitur atë si armike të shqiptarëve, dhe si mbjellëse e destabilitetit në Ballkanin jugperëndimor, me qëllim që ta pengojë këtë të fundit të integrohet në BE. Në fakt, shtypi i Tiranës iu ka bërë jehonë artikujve të një reviste amerikane (Mother Jones), por edhe të gazetave New York Times e Washington Post, në të cilat u la të kuptohet se rusët po përpiqen të jenë aktivë edhe në Shqipëri. Si provë për këtë u dha përfshirja e dy biznesmenëve rusë me banim në Skoci në një përpjekje lobimi të Lulzim Bashës, kreut të Partisë Demokratike, në Washington. Biznesmenët rusë, sipas këtyre gazetave, kanë qenë të lidhur me një këshilltar të Donald Trump, për të cilin po hetohet në SHBA, dhe e kanë paguar këtë të fundit në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Shuma është e majme, në fakt, mbi 600 mijë dollarë. E di, i dashur Zoran, pse ka shërbyer e gjithë kjo shumë e madhe parash? Ka shërbyer vetëm që Lulzim Basha të takojë nja dy kongresmenë republikanë në Capitol Hill, dhe të pozojë me buzët vesh më vesh në një fotografi me Presidentin Donald Trump. Paguajnë politikanët tuaj për të bërë një fotografi me Trumpin? Këta tanët e kanë bërë zakon këtë gjë. E vërteta është se votuesit shqiptarë kanë mësuar të mos emocionohen më prej marifeteve të tilla të PR-it politik, por politikanët vijojnë t’i besojnë verbazi këtij truku. Një fotografi me Presidentin amerikan u ngjan me një talisman, që u sjell mbarësi e fat. Para tri vitesh, në shtypin shqiptar u publikua një foto e Ramës me Barack Obamën, për të cilën doli se ishin paguar disa dhjetëra-mijëra dollarë nga një biznesmen shqiptar në SHBA.

Në gjithë këtë histori nuk ka bërë përshtypje që janë çuar dëm 650 mijë dollarë në një operacion të kotë e të dështuar lobimi, që këto pará nuk figurojnë në transaksionet legale të Partisë Demokratike e që burimi i tyre ka mbetur i panjohur. Përkundrazi, ka intriguar përfshirja e dy biznesmenëve rusë. Dhe Lulzim Bashën kanë zënë ta denoncojnë si prorus. Politikanë të rëndësishëm të mazhorancës, të dirigjuar nga vetë Edi Rama, por edhe një pjesë e medias së lidhur me ta, janë duke lidhur lajmin e ri me ngjarje të vjetra për të bërë kështu të besueshëm versionin e një konspiracioni ruso-shqiptar në dëm të Shqipërisë. Arsyetimi që bëjnë është shumë i thjeshtë: “Ju kujtohen denoncimet që Lulzim Basha i bënte vitin e shkuar kanabizimit të vendit nëpër Europë? Po ajo çadra e protestës që ngriti në bulevard, nga e cila dha ultimatumin: o Rama duhet të dalë nga kryeministria, o ne nuk futemi në zgjedhje? Ja pra, doli se si është e vërteta. E gjitha paska qenë një agjendë ruse për të destabilizuar vendin. Lulzim Basha është një kukull ruse në Shqipëri”. Dhe kjo narrativë ka ngjitur në opinionin publik. Sepse ne shqiptarëve na pëlqejnë shumë fabulat me tradhtarë (edhe ju nuk mbeteni pas në këtë drejtim; tradita juaj orale, por edhe ligjërimi publik në ditët e sotme, janë të mbushur me serbë renegatë). Por unë nuk çuditem që është kështu. Është historia që na ka bërë paranojakë. Nga ana tjetër, nëse vijojmë të jemi të fiksuar pas idesë se fqinjët nuk na i duan të mirën, dhe se e mira e fqinjit është e keqja jonë, nuk kemi pse të mos mendojmë se me çdo të keqe që i bëjmë vetes, ne u bëjmë një shërbim fqinjëve tanë të liq. Dhe këtë “mision antipatriotik” e shohim më shumë si qëllim, sesa si pasojë, të veprimeve që nuk na pëlqejnë. Meqë ra fjala, ka ende shumë shqiptarë, sidomos në Kosovë, që këtë letërkëmbimin tim me ty ma shohin si një punë të poshtër. Dhe është, përveç të tjerash, kjo kategori njerëzish, mes serbëve e shqiptarëve, që nuk na lë të zgjidhim ndonjë problem të pazgjidhur që kemi mes nesh, dhe që më bën të mendoj se rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes serbëve e shqiptarëve do të jetë e gjatë, shumë e gjatë. Por kjo, në të njëjtën kohë, ma forcon bindjen se ky letërkëmbimi ynë është një punë e paqme, s’ka gjë se frutet mund të mos jenë të mëdha e mund të mos piqen menjëherë.

Lidhur me stigmën e tradhtarit, më vjen në mendje një ngjarje shumë e freskët. Me rusët si personazhe, gjithashtu. Është një paralele me vlerë edukative, do të thoja unë. E kam fjalën për atë që po ndodh këto ditë në Britaninë e Madhe, pasi u gjetën të helmuar dy rusë, një spiun i dyfishtë me origjinë ruse, dhe e bija. Siç dihet, agjentët britanikë të spiunazhit e të sigurisë kanë hedhur dyshime (për shkak të gazit nervin të përdorur që duket se është i markës ruse) se kjo ishte një vepër e Kremlinit, dhe mbi këtë bazë kryeministrja britanike Theresa May nuk është menduar dy herë për ta denoncuar Rusinë e Putinit faqe botës. Në Mbretërinë e Bashkuar është krijuar një front patriotik dhe një klimë luftarake. E di se çfarë më tërhoqi vëmendjen në këtë mes, i dashur Zoran? Në diskutimin që u bë në Parlament, i pari i opozitës, Jeremy Corbyn, guxoi ta sfidonte këtë frymë patriotike të mbjellë prej qeverisë, strukturave të shërbimeve sekrete e prej të gjithë masmedias. Ai i vuri në dukje kryeministres May në sesionin e famshëm “Prime Minister’s Question Time” se nuk ka prova të qarta për përfshirjen ruse, se rusët duhet të bëhen pjesë e hetimit, se atyre duhet t’u plotësohet kërkesa e t’u jepet një kampion i gazit të përdorur, dhe se e gjithë kjo punë duhet marrë shtruar. Unë nuk di se kush ka të drejtë. Por di që një leader si Jeremy Corbyn do ta kishin linçuar në Shqipëri. Më e pakta që mund t’i ndodhte është që do ta mbulonin e bombardonin me akuza për tradhti kombëtare. Ndërsa në Britaninë e Madhe nuk ndodhi asgjë e tillë. Afërmendsh, pati britanikë që e kryqëzuan Corbynin si tradhtar nëpër rrjetet sociale, por asnjë politikan e komentator politik nuk eci kësaj ane. Edhe ata që nuk ishin dakord me kreun e opozitës, nuk e paragjykuan atë për asnjë çast. U përpoqën të thonë pse Corbyni e ka gabim, por asnjërit nuk i shkoi mendja ta quante Corbynin tradhtar. Sepse nuk është tradhtar. Ashtu si nuk është Lulzim Basha. As Aleksandër Vuçiqi, të cilit ia qaj hallin, në fakt. I ka rënë në hise ta drejtojë Serbinë në kohët, kur duhen marrë vendime të mëdha, ndër më të mëdhatë në historinë e Serbisë. Dhe një gjë është e sigurt: Sido që të vendosë, do të ketë shumë serbë të pakënaqur me vendimin që do merret. Dhe që do ta shpallin tradhtar. S’ke ç’i bën! Jetojmë në Ballkan.

Por do kemi kohë të flasim për këtë gjë.

Post Scriptum: Unë ndërkohë, i dashur Zoran, kam nisur një program televiziv me emrin “Provokacija”. Ky titull në gjuhën serbe është frut edhe i komunikimit tonë publik. Me shumë gjasë, as që do më shkonte mendja të zgjidhja për titull të një programi timit në TV një fjalë serbe, nëse nuk do të ishim njohur bashkë e nëse nuk do t’i shkruanim njëri-tjetrit. Reagimet negative ndaj titullit në gjuhën serbe ishin më të pakta sesa i mendoja, por disa u ndjenë të provokuar, sidoqoftë. Dikush madje refuzoi këto ditë të më vinte në program. “Me atë titull që i ke vënë programit, nuk të vij; më vjen keq”, më tha. Më kapi në befasi. Nuk e prisja. Ai njihet si një intelektual publik në Shqipëri, por unë nuk di nëse e meriton këtë emër një njeri që patriotizmin e sheh të lidhur me mendjengushtësinë nacionaliste. Dhe kjo është një ngatërresë që bëhet shpesh këtej nga anët tona: mendjengushti merret për patriot, e anasjelltas, mendjehapuri merret për renegat.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK