Zërat

IDIOTA!

Zërat March 22, 2018 - 08:54
THE END

Kjo ishte seria më e gjatë e skenave të turpit të filluara tash e tri vjet më parë.

Marrëveshja e demarkacioni me Malin e Zi më në fund u votua me 80 vota për dhe 11 kundër në Kuvendin e Kosovës.

Por këta nuk janë vetëm numra.

Fiks 937 ditë radhazi një popull i tërë u terrorizua me skena të turpshme, me fyerje, sharje e ofendime nga akterët e skenës politike në vend. Pozitë e opozitë. Parlament, Qeveri e Presidencë. Qytetarë e fshatarë.

Por nuk ishte vetëm kaq.

Shteti i Kosovës u bë gazi i botës me skenat në Kuvend e jashtë tij.

Për të bëmat e të zgjedhurve të popullit e për gazin lotsjellës u raportua gjithandej globit.

Ata që do të duhej të hartonin ligje shkelen ato.

Ata që u besua se do të ndërtojnë shtet gati shkatërruan atë.

Gazi lotsjellës që nisi legjislaturën e kaluar nga deputetët e bllokut opozitar i prirë prej Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmëri e Kosovës e Nismën për Kosovën, u përsërit edhe këtë të mërkurë.

Disa herë radhazi në sallën e Kuvendit të Kosovës edhe 21 marsin e 2018 shpërthyen bombolat.

Kësaj herë vetëm nga gjysma e ndarë e partisë së Albin Kurtit.

Por, gjatë këtyre 937 ditëve nuk pati vetëm gaz që tymosi sallën e kuvendit.

U mbajtën dhjetëra protesta e aksione simbolike e jo simbolike.

Në to u ushtrua dhunë nga protestuesit e policia.

Kishte shumë të lënduar e dhjetëra të arrestuar.

Për kaq dit u kërcënua disa herë siguria e shtetit të brishtë.

U lanë anash problemet jetike të dy milionë qytetarëve derisa krejt mekanizmi shtetërorë u mor me një çështje. Humbi apo nuk humbi Kosova territor shpative të brezit kufitar me Malin e Zi?!.

Një shtet i tërë u bë pjesë e një kauze ndoshta të rrejshme, ndoshta të qëlluar e ndoshta të porositur nga një grusht profesorësh, gjeografësh e politikanësh nga pozita e opozita. Shumë prej të cilëve derisa u bën pjesë e agjendave politike u doli faqja e zezë pavarësisht se mbanin mbi supe tituj akademik.

Një shtet i tërë nuk diti a nuk deshi t’i përgjigjej me kohë dilemave të një marrëveshje mes shteteve fqinjë.

Një (mos)marrëveshje bllokoi procesin më të rëndësishëm të forcimit të shtetësisë së Kosovës, procesin e anëtarësimit dhe liberalizimit të vizave.

Një (mos)marrëveshje ndali investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik të shumë nevojshëm të vendit.

Krijoj pasiguri të qytetarëve e shtyri me qindra të rinj të ikin si të shkretë nga ky vend.

Një populli të tërë iu ndal perspektiva, punësimi, arsimi e mundësia për shëndetësi e mirëqenie.

Një populli të tërë iu mohua liria brenda shtetit të çliruar dy dekada më parë.

Krejt këto i sollën ata të cilët i votuam e iu besuam udhëheqjen e shtetit.

Si çdo e keqe tjetër edhe kjo u kalua. Por, Kosovës mund ti përsëriten skena të tilla me këtë logjikë të instaluar politike.

Sado që mund të duket fyese ti quajmë idiot.

Kjo prapë nuk e ka peshën e asaj që i bën idiotët këtij vendi e këtij populli për hiç më pak se 937 ditë.

Çka tash IDIOTA?

(Autori është gazetar dhe themelues i kompanisë mediale INFOKUSI)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK