Zërat
Kreshnik Ahmeti
Kreshnik
Ahmeti

Mbi nevojën e organizimit sindikal

Zërat March 14, 2018 - 15:36

Para tri javëve mësimdhënësit e shkollave publike në West Virginia të SHBA-së organizuan grevë si formë e protestës dhe e presionit në mënyrë që shteti t’ua plotësojë pesë kërkesat që ata i kishin.

Në ditën e parë 34.000 punëtorë të arsimit hynë në grevë dhe protestuan. Pas disa ditëve prindërit e 270.000 fëmijëve që mbetën pa mësim e mbështetën grevën e mësimdhënësve dhe u janë bashkuar atyre. Pas pak kohe të gjitha kërkesat e mësimdhënësve u realizuan.

Ky është një shembull i freskët se si shoqëria duhet t’i përkrahë sindikatat kur ato organizojnë greva për t’i arritur kërkesat e tyre të arsyeshme. Përveç fitores së arritjes së qëllimit të pesë kërkesave, fitorja më e madhe në West Virginia u cilësua fitorja e organizimit sindikal, i cili ka rënë në nivele jashtëzakonisht të ulëta në SHBA (vetëm 11,3% e punëtorëve janë të organizuar sindikalisht).

Por, plotësisht situatë tjetër pamë në grevën e punëtorëve të arsimit në Kosovë. Menjëherë pasi që ajo u paralajmërua filluan presionet në opinion se ajo duhet të anulohet për shkak të mbarëvajtjes së mësimit, për shkak të cilësisë së mësimit e për shkak se SBASHK-u i paska besuar më herët koalicionit PAN. Pra, ata nuk u mbështetën as nga shoqëria civile, as nga prindërit e as nga mediet. Dhe kërkesat e tyre ishin të arsyeshme: përmbushja e premtimeve që Qeveria ua ka dhënë këtyre mësimdhënësve, si kontrata kolektive, etj.

Se një pjesë e madhe e sindikatave në Kosovë janë të kapura nga regjimi, kjo nuk përbën më lajm. Por, kjo nuk do të thotë se kur këto sindikata bëjnë aksione sindikale për të drejtat e dhjetëra mijëra mësimdhënësve të Kosovës, se ato nuk duhet të mbështeten. Aq më shumë kur kërkesat e tyre janë kërkesa që bëjnë thirrje për zbatimin e ligjit dhe kur aksionet e tyre sindikale janë në përputhje me ligjin. Ne duhet të kalojmë nga trajtimi i mundësive politike në nivel statik të përfaqësimit, te trajtimi i tyre në nivel përmbajtjesor e dinamik.

Pikërisht situata të tilla të çarjes në politikë ku në rastin konkret përfaqësuesit e Sindikatës, të cilët kanë mbështetur pushtetin më herët, janë në kundërthënie me pushtetin sot, shoqëria duhet të organizohet e t’i shfrytëzojë këto situata për ta ndryshuar edhe gjendjen e papëlqyeshme të mësimdhënësve, por edhe gjendjen e mjerueshme të Sindikatës, e cila tanimë ekziston në këtë konstalacion politik si mekanizëm i presionit për punëtorët. Është utopike të mendohet se duhet të vijë një kohë kur duhet të suspendohen të gjitha sindikatat, e pastaj të ndërtohen sindikata të reja “tamam ashtu siç duhet të jenë”. Kjo nuk do të ndodhë asnjëherë. Beteja duhet të bëhet përbrenda sindikatave, duke u organizuar në grupe dhe duke shfrytëzuar momentet e tilla të kundërthënies së Sindikatës me pushtetin për ta mbajtur sindikatën edhe në të ardhmen në një linjë të tillë, ku ajo në betejë do të vazhdojë të jetë në anën e punëtorëve e jo t’i shfrytëzojë punëtorët si aset për t’u shitur te regjimi përgjatë fushatave zgjedhore.

Sindikatat e forta janë domosdoshmëri sot në botë. Në kohën kur fushatat e privatizimeve masive tanimë po përmbyllen e ku kapitali botëror po koncentrohet çdo vit e më shumë sistemi elektoral jo që është i pamjaftueshëm në vetvete, por paraqitet vetëm si farsë e demokracisë. Punëtorët e kanë të domosdoshëm mekanizmin e organizimit sindikal, në mënyrë që demokracia e një shoqërie të përmbushet. Nuk mund të ketë shoqëri demokratike kur demokracia reduktohet vetëm në përfaqësim politik. Shoqëri demokratike ekziston vetëm kur punëtorët mund t’i arrijnë qëllimet e tyre ekonomike në secilën ditë të vitit nëpërmjet aksioneve sindikale. Një hulumtim nga Instituti për Politika Ekonomike në SHBA, ndër shumë hulumtime të tjera të tilla, vjen në përfundimin se 1/3 e peshës së rritjes së pabarazisë në të ardhura në SHBA ka ndodhur për shkak të uljes së fuqisë së sindikatave të SHBA-së që nga viti 1980. Në periudhën e artë të organizimit sindikal në SHBA pas Luftës së Dytë Botërore deri në fund të viteve 1970 pabarazia në të ardhura është ulur dukshëm në raport me periudhën para Luftës së Dytë Botërore. Studimet tregojnë së punëtorët të cilët kanë qenë anëtarë të sindikatave kanë pasur të ardhura më të larta në nivele të ndryshme të hierarkisë së ndërmarrjeve. Por organizimi sindikal u ka ndihmuar edhe punëtorëve, të cilët nuk kanë qenë anëtarë të sindikatave, sepse fuqia e sindikatave ka pasur ndikim edhe në çështje të përgjithshme ekonomike e sociale, si paga minimale, sigurimi shëndetësor, etj. Sot, kur pabarazia në SHBA është më e madhe se në vitet 1920-a kur nuk kishte organizim të fuqishëm sindikal, lufta kundër sindikatave me politika të ndryshe shtetërore dhe vendime gjyqësore ka bërë që të ketë rënie të jashtëzakonshme në anëtarësimin dhe në angazhimin e punëtorëve në organizimin sindikal. Sot, edhe një institucion neoliberal si Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaron se ulja e fuqisë së sindikatave ka ndikuar në rritjes e pabarazisë ekonomike e social në botë.

Pra, fuqia e organizimit sindikal është në raport të drejtë me barazinë ekonomike e sociale. Barazia vetëm në të drejtë të votës është absolutisht e pamjaftueshme për një shoqëri progresive. Pa barazi ekonomike e sociale as ne e as ndonjë komb tjetër nuk mund të ketë të ardhme të ndritshme e të qetë. Prandaj, ne duhet t’i mbështesim kërkesat e sindikatave në Kosovë dhe aksionet e tyre sindikale. Por, jo vetëm deklarativisht, por edhe duke marrë pjesë në to, në mënyrë që sindikatat aktuale t’i largojmë nga ndikimi i regjimit e aty ku nuk ka sindikata t’i ngremë të rejat.

(Autori është në përfundim të studimeve për MBA në North Dakota State University)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK