Zërat
Albert Ahmeti
Albert
Ahmeti

Migrimi i vështirë, riatdhesimi edhe më i vështirë!

Zërat March 06, 2018 - 13:31

Vitet e fundit mijëra qytetarë të Kosovës kanë emigruar për në vendet e zhvilluara evropiane me shpresën për një jetë më të mirë. Një pjesë e madhe e tyre janë kthyer dhe po vazhdojnë të kthehen në vendlindje pasi nuk kanë plotësuar kushtet e azilit.

Riatdhesimi është sfidues për ta, pasi Kosova vazhdon të mbetet vendi me ekonominë më të dobët në Evropë dhe me politika sociale jo të qëndrueshme. Kështu, riintegrimi i të riatdhesuarve në shoqërinë kosovare paraqet një sfidë të madhe për shtetin.

Fundi i vitit 2014 dhe fillimi i vitit 2015 paraqet njërën nga periudhat më të vështira për

Kosovën në aspektin e emigrimit ilegal të qytetarëve të saj. Sipas statistikave të EUROSTAT-it, në këtë periudhë nga Kosova janë larguar mbi 80 mijë qytetarë, megjithatë besohet se ky numër është mbi 100 mijë. Në mungesë të hulumtimeve e veçanërisht nga vetë institucionet e Kosovës për arsyet e emigrimit të fundit vlerësohet se tri arsye kanë kontribuar në këtë.

Mungesa e perspektivës ekonomike, nxitja e qytetarëve nga grupe kriminale, të cilët u kanë premtuar se do t’i dërgojnë në shtete të zhvilluara e madje edhe se do t’u gjejnë punë atje dhe lehtësirat kufitare të krijuara nga Serbia, pasi si asnjëherë më parë kufijtë e shtetit serb u hapën për kosovarët, kanë qenë faktorë kyç në emigrimin masiv 2014/15.

Për më tepër, në disa raste është parë që persona në uniforma zyrtare të shtetit serb kanë bartur qytetarët e Kosovës nëpër territorin e Serbisë dhe i kanë dërguar deri në kufijtë e shteteve të tjera si Hungaria apo Kroacia. Nëse nuk merret parasysh rrënja e problemit dhe nuk përpilohet një analizë e mirëfilltë institucionale për arsyet e migrimit ilegal çdo strategji për riintegrimin e të riatdhesuarve nuk do të sjellë rezultate konkrete.

Pas kësaj vale të emigrimit ka filluar faza e kthimit të emigrantëve. Nga kjo periudhë deri në vitin 2017 janë riatdhesuar mbi 30 mijë qytetarë. Kështu, ata që dikur nuk e kishin të lehtë të largoheshin nga Kosova tani pas rikthimit e kanë edhe më të vështirë riintegrimin.

Megjithëse ekziston Strategjia për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar, riintegrimi është me të vërtetë i vështirë, pasi që ende problemi kryesor ekziston – papunësia. Kurse ndihma që u ofrohet është e kufizuar. Më e suksesshme vlerësohet mbështetja që jepet nga organizata të ndryshme, që ndihmojnë për Start Up-e, për biznesplane për personat e rikthyer dhe për trajnime të ndryshme.

Por, emigrimi i kosovarëve drejt vendeve evropiane është duke vazhduar në mënyrë të heshtur edhe tani. Shqetësues është fakti se ende po vazhdon largimi i “trurit” nga Kosova. Në mungesë të perspektivës në vend, mjekë, inxhinierë e të tjerë po shkojnë në  vende si Gjermania apo edhe në vendet skandinave.

Ky vlerësohet si një problem global, pasi edhe shtetet e tjera përballen me probleme të tilla. Për shembull, mjekët nga vendet si Gjermania shkojnë në Skandinavi për shkak të kushteve më të favorshme, ndërsa mjekët nga vende si Greqia, Bullgaria, Kosova e vende të tjera shkojnë në Gjermani.

Megjithatë, fakti që edhe shtete të tjera përballen me problem të ngjashëm nuk do të thotë se Qeveria e Kosovës duhet të ndihet komode. Ajo duhet të punojë që të krijohen kushte të mira të punës për mjekët dhe profesionet e tjera. Qeveria e Kosovës dhe spektri politik në përgjithësi duhet të merret me probleme konkrete të qytetarëve dhe të mos përqendrohet vetëm në temat e mëdha.

Përveç angazhimit në zhvillim ekonomik, nevojitet reformim i sistemi të shëndetësisë dhe i arsimit. Duhet të ndalet mentaliteti i “prodhimit të diplomave”. Në vend të kësaj duhet të bëhet analizë e mirëfilltë se cilat profesione janë më të nevojshme. Po ashtu duhet t’u kushtohet më shumë rëndësi shkollave profesionale. Në këtë pikë deri pas valës së migrimit masiv në vitet 2014-2015 nuk u është kushtuar thuajse fare rëndësi shkollave profesionale.

Një çështje tjetër e rëndësishme është diaspora, pra janë ata qytetarët e Kosovës që tashmë jetojnë në shtetet e zhvilluara evropiane dhe që kanë krijuar kapital atje.

Deri më tani diaspora ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në Kosovë. Remitancat nga mërgimtarët kanë qenë ndihmesë e madhe për qytetarët e Kosovës. Por, Qeveria e Kosovës duhet të mendojë përtej kësaj, duhet të angazhohet në krijimin e kushteve të favorshme për investime nga diaspora. Në këtë aspekt Ministria e Diasporës duhet të jetë më aktive në komunikim me diasporën.

Në fund, vlen të potencohet mundësia që migrimi mund të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më aktive me fushata informuese rreth asaj se çka në të vërtetë nënkupton liberalizimi i vizave.

Duhet t’u bëhet e qartë qytetarëve se mund të përballen me sanksione në rast se nuk i zbatojnë rregullat e Shengenit apo nëse nuk i respektojnë afatet kohore për qëndrim në këtë zonë.

Shtetit dhe shoqërisë kosovare i mbetet që ta mbështesë riintegrimin e personave të rikthyer, pasi një pjesë jo e vogël e tyre kanë shitur edhe pasurinë për të migruar në vendet evropiane duke shpresuar se atje do ta kenë një jetë më mirë dhe janë kthyer e po kthehen “me duar thatë”.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK