Zërat
Faton Abdullahu
Faton
Abdullahu

Për demarkacionin në vetën e parë

Zërat February 27, 2018 - 11:20

Për dallim nga temat dhe problemet e ndryshme qeveritare që i kishte qeveria “Mustafa”, kur si këshilltar politik në këtë Qeveri jam prononcuar për demarkacionin, e jam prononcuar shumë dhe për kohë të gjatë, të gjitha ato i kam bërë vetëm pasi jozakonshëm kam marrë mundin që edhe vetë të merrem më shumë me këtë çështje e jo vetëm të transmetoj herë pas herë çfarë thotë Qeveria.

Kam shpenzuar shumë orë pune, shumë edhe pas orarit, jam takuar me shumë ekspertë, kam shfletuar e kam konsultuar shumë materiale, kam biseduar me qytetarë, avokatë, banorë nga ato anë, ndërkombëtarë, përfaqësues ambasadash, me qëllimin e vetëm për të kuptuar edhe vetë si qëndron puna e demarkacionit, thjesht për të kuptuar e për ta bindur edhe veten si qëndron e vërteta që të mund t’i tregoj të tjerëve dhe më pas t’i jap të drejtë morale vetes të dal para kamerave dhe të them, Kosova nuk humb tokë.

Të kuptohemi, ky ishte qëndrim i Qeverisë. Por pavarësisht kësaj, nuk e kam pasur as më të voglën trysni nga askush, të dal e të flas për këtë çështje, aq sa kam dal dhe aq sa kam folur.

Përkundrazi, sa më shumë rritej trysnia e orkestruar kundër nesh për demarkacionin, aq më shumë unë jepja edhe shpjegime, arsyetime, kalkulime nga më të ndryshme, që ishin origjinale të miat, për t’i kundërshtuar opozitarët të cilët gënjenin dhe linçonin.

Në këtë proces të sikletshëm, edhe për mua personalisht, do ta kisha lënë atë punë në Qeveri pa menduar dy herë sikur të bindesha për të kundërtën mbi demarkacionin, pra se Kosova po humb tokë. Por isha bindur ndryshe. Në zyrën e Kryeministrit përveçse jam sjellë institucionalisht, sidomos për demarkacionin, kam bërë edhe ekstra më shumë se për çështje tjera, sepse më është dukur se po e humbnim betejën, se ka shumë keqkuptime, se ka nevojë më shumë angazhim për ta ndalur turrin hamshor të atyre që sot falë sajesës dhe gënjeshtrës në atë kohë se ne po falnim tokë Malit të Zi i kemi këmbëkryq në pushtet, në Kuvend, në Qeveri. Të pamoralshëm deri në neveri, si dje e si sot.

Ka pasur edhe disa deputetë, ministra, zëvendësministra e zyrtarë të tjerë të cilët, edhe pse në qeverinë “Mustafa” dhe në pushtet disi kanë hezituar ta bëjnë, së paku nganjëherë këtë që bëja unë në medie dhe gjetiu, me arsyetime nga më të ndryshme, duke mos e thënë kryesoren, frika nga linçimi dhe humbja e autoritetit, frika se po shpallen njerëz që po falin tokën e Kosovës dhe se më pas do të humbnin vota.

Kjo nuk më është dukur e ndershme, as institucionaliste. Ata ishin qyqarë, ata ishin manovrues hipokrit, por edhe dembelë që nuk merrnin mundin për ta analizuar procesin. Për më keq, disa prej tyre edhe do të fusnin thika pas shpine në momente kruciale për qeverinë “Mustafa” dhe do të fillojnë të shiten patriotë dhe racionalë dhe t’i bashkëngjiten kauzës antiqeveritare të opozitës në atë kohë.

Në vend se ta shtojnë angazhimin e t’i dalin në mbrojtje Qeverisë dhe kryeministrit Mustafa ata e hetuan se nëse e bëjnë të kundërtën mund të fitojnë pikë morale-politike, në stilin - ne nuk jemi opozitë, ama tokë Kosove nuk falim dhe pikë. Të njëjtit sot janë këmbëkryq në Kuvendin e Kosovës me votat e fituara në atë mënyrë, pa dinjitetshëm.

 Kam vazhduar punën time me kujdes të shtuar, por me bindje të forcuar se drejtësia dhe e drejta janë në anën tonë, në anën e qeverisë “Mustafa”. Kam vazhduar me sëkëlldi jo të vogël, por pa hezitim në bindje, të prononcohem gjithandej për demarkacionin, duke mos harruar të them gjithmonë

Kosova nuk humb tokë, kështu mendon qeveria “Mustafa”, por duke lënë përshtypje me argumente shtesë se edhe personalisht nuk mendoj ndryshe dhe se ata që po kundërshtojnë gënjejnë dhe e bëjnë këtë vetëm për të ardhur në pushtet.

Ndërkohë opozitarët sa më shumë gënjenin, aq më shumë i afroheshin pushtetit. Unë sa më shumë që flisja, aq më shumë degradohesha.

Po ju tregoj për herë të parë. Kam pasur shumë, ama shumë ofendime, sharje, kërcënime nga më të ndryshmet në rrjetet sociale nga jo pak njerëz, nga disa grupe, mbase militantë të partive të ndryshme që sot kanë marrë pushtetin, kam pasur edhe kërcënime serioze për jetë. Në atë kohë nuk ishin të paktë edhe ata që më drejtoheshin me dhembshuri - çka t’u dasht që u fute në këtë Qeveri, ke humb shumë, po të shajnë njerëzia për punën e këtij demarkacioni dhe në largim e sipër më thoshin: ke pas babë të mirë, që mund të lexohej edhe si akuzë shtesë.

Nuk jam ndalur prapë. Sepse kisha vendosur paqen me veten më herret për këtë çështje, sepse kisha kuptuar se po sajohej një kauzë e rreme, nga njerëzit që politikën e kanë biznes për vete dhe klanet e tyre dhe që i gjeje në të gjitha anët, me të vetmin qëllim për të ardhur në pushtet dhe për të gllabëruar sa më shumë.

Rrënjën e qeverisë “Mustafa” e kam konsideruar humbje të betejës. Humbje për Kosovën. Edhe humbje të betejës personale. Nuk ka qenë e lehtë, sepse e kisha kuptuar mirë djallëzinë kush dhe si po e bënte.

Nuk ka qenë e lehtë kur e kupton se kësaj kauze dilitante dhe të dëmshme po ju shërbejnë edhe jo pak medie, kur e kupton se shumë qytetarë janë manipuluar të ushqyer me shpresën e rrejshme për ndryshime. U ndalën tradhtarët që donin ta falnin tokën e Kosovës. Kështu lexohej rrënja e qeverisë “Mustafa”. Nuk ishte pozitë e lehtë për ne, përkundrazi.

Mbi këtë frymë triumfaliste të opozitës në atë kohë – “Po e mbrojmë tokën e Kosovës” të cilës ju bashkëngjitën edhe disa të tjerë, u mbajtën zgjedhjet e kaluara parlamentare. Mbi këtë gënjeshtër të orkestruar janë fituar shumica e votave nga ata deputetë që sot janë në Kuvendin e Kosovës. Mbi këtë frymë (pseudo) patriotike me mision djallëzor është ndërtuar qeveria “Haradinaj”.

Prandaj parimisht sot ky Kuvend, kjo Qeveri dhe këta pushtetarë nuk janë legjitimë, sepse nuk kanë as moral, as parime, as dinjitet. Nëse kalon Demarkacioni të mërkurën nuk do të thotë se kaloi edhe turpi dhe djallëzia nga pushtetarët aktualë, nga Kuvendi dhe nga Qeveria. Përkundrazi, miratimi i Demarkacionit do ta justifikojë më së miri mosmiratimin që qytetari i Kosovës duhet ta ketë ndaj vazhdimit të punës së pushtetarëve aktualë.

Kalimi i Demarkacionit nga kjo Qeveri dhe nga ky Kuvend duhet t’ua shkurtojë jetën këtyre institucioneve, jo ta justifikojë vazhdimin e punës së tyre për të kryer punë tjera të mëdha.

Prandaj qytetarët e Kosovës nuk kamë kurrfarë garancie se pushtetarët e sotëm, se ky Kuvend sot, se kjo Qeveri aktuale janë të denja që të vazhdojnë të vendosin dobishëm për Asociacionin e Komunave Serbe,  të vendosin ndershëm për Ushtrinë e Kosovës, paanshëm për Gjykatën Speciale dhe mençur për hyrje të Kosovës në NATO dhe në BE.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK