Zërat
Jahja Lluka
Jahja
Lluka

Kosova kremton 10-vjetorin shtetësisë

Zërat February 15, 2018 - 11:11

Në rrugëtimin e gjatë prej më shumë se një shekull, Kosova më 17 shkurt shënon dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

Hiç më larg se dy dekada populli i Kosovës gjendej para shfarosjes, në sytë e botës luhej tragjedia çnjerëzore në Ballkanin e përgjakur.

Atëherë me gjithë lëvizjet popullore për liri dhe pavarësi, me gjithë luftën çlirimtare me gjithë bagazhin intelektual që të dilej kundër një armiku shekullor,prapë ka qenë në pikëpyetje shtetbërja pasi që historikisht kemi kaluar në tragjedi të mëdha ku është kanosur qenësia shqiptare.

Në 1999 më shumë se një milion shqiptarë që morën rrugët e botës asnjëherë nuk e menduan se do ktheheshin përsëri.

Ata që mbetën brenda iu nënshtruan torturave dhe masakrave të regjimit serb, burgjet ishin të stërmbushura me robër shqiptarë, mbi trupat e të cilëve bëheshin eksperimente çnjerëzore, qytete e fshatra u shndërruan në shkrumb e hi dhe nuk mund të gjeje as edhe një shpresë të vetme në tokën e vuajtën ku errësira dhe mizoria ishin mishëruar.

Sot shteti i Kosovës është rezultat i mijëra nxënësve dhe studentëve që në kohën e regjimit serb ngritën zërin para syve të botës pa pasur frikë,është rezultat i punës së shenjtë të mësueseve dhe profesorëve të cilët bënë çmos që ta ruajnë gjuhën shqipe dhe ta kultivojnë dijen n'ato kohë të errëta,është rezultat i punës humane të mjekëve që rrezikuan jetët e tyre për të ndihmuar të plagosurit dhe të sëmurët,është rezultat i klasës intelektuale të cilët shkrinë jetën për ta ngritur para botës çështjen shqiptare; është rezultat i gazetarëve që nuk ngurruan ta thonë të vërtetën, është rezultat i artistëve që përmes veprave shpalosën vuajtjen dhe qëndresën.

Është rezultat i diasporës shqiptare që nuk ndaloi kontributin asnjëherë duke e ngritur zërin deri në institucionet më të larta diplomatike botërore. Është rezultat i familjeve të mëdha shqiptare të cilat u vetëflijuan.

Si familja Jashari, Haradinaj, Pajaziti, Ramadani e shumë e shumë të tjera. Është rezultat i trimave dhe trimëreshave që u flijuan për atdheun. Pavarësia e Kosovës është rezultat e këtij populli shpirtlirë që nuk pranoi robërinë nga asnjë pushtues. Dhe kur bota pa qëndresën tonë atëherë fituam miq që dhanë kontribut për krijimin e këtij shteti.

Sot Kosovën e kemi, e jona është që të punojmë e të ngrihemi ballë lartë në mesin e popujve të qytetëruar. 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK