Zërat
Prof. dr. Muhamet Sadiku
Prof.
dr.
Muhamet
Sadiku

Reforma e arsimit të lartë, për një shikim afatgjatë

Zërat February 12, 2018 - 13:19

Në periudhën e pasluftës Kosova edhe në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare nuk ka arritur t’i zgjidhe tri çështje sensitive të zhvillimit të vet afatgjatë. Fjala është për tre sektorë të zhvillimit: arsimi, shëndetësia dhe energjetika.

Dy sektorët e parë janë të karakterit human me ndikim afatgjatë në zhvillim. Mungesa e këtyre zgjidhjeve sektoriale Kosovën e ka mbajtur në nivel të ulët të zhvillimit, në papunësi dhe varfëri dhe në përjashtim social të theksuar. Që të tre sektorët e cekur me lart kishin nevojë për investime serioze afatgjata. Ky orientim do të ishte esencial për të provokuar ndryshime cilësore në sektorin human, kur dihet se për të arritur ndryshime në sektorët humanë duhen investime disavjeçare.

Më herët pas vitit 2004 promovoheshin prioritetet E (Ekonomia) + E (Energjia) + A (Arsimi). Kuptohet prioritete të paqëndrueshme dhe që nuk ndihmuan shumë në zhvillim, duke mos u shndërruar në fonde. vetëm formalisht si prioritete sektoriale. Me këtë të fundit synohej transformimi i të gjitha niveleve të arsimit, por me fonde të ulëta të financimit. Po të bëhej një kthesë esenciale në arsim ato vite tani do të ishim në një situatë më të mirë arsimore.

Përvoja ndërkombëtare tregon se për ndërtimin e reformave duhet të ekzistojë vullneti politik, dija konkurruese dhe fondet gjegjëse. Tregohen edhe pritje se arsimi do të ndryshojë vetëm me rritjen e fondeve. Kjo është e pamjaftuar për rikthimin e investimeve. Në disa raste këto mjete vështrohen si shpenzime për mbajtjen e arsimit. Por në të vërtetë këto investime duhet të shndërrohen në zhvillim human esencial për zhvillim. Pavarësisht, disa shtete ndajnë mjete të mëdha në krahasim me BPV-të e tyre.

Për të pasur një pasqyrë më reale për mbështetjen e arsimit në raportet ndërkombëtare duhet përdorur treguesin e shpenzimeve qeveritare në edukim si % e BPV-ve. Kështu paraqiten edhe diferenca serioze sipas këtij parametri. Sipas pjesëmarrjes së shpenzimeve qeveritare në BPV, paraqiten këto rangime: Irlanda (5,737%), Franca (5,493%), Sllovenia (5,659%), SHBA-ja (5,381%), Gjermania (4,928%), Shqipëria (3,680%), Kroacia (4,153% ) e të tjera. Në terma absolutë, Sllovenia me rreth 2 milionë banorë në vit ndan 1.9 miliard euro për arsim, ndërsa Kosova me po aq banorë vetëm 55-60 milionë euro në vit nga buxheti i saj. Këto shënime e tregojnë edhe nivelin e konsideratës shoqërore dhe shtetërore për sistemin e arsimit.

Kosova ka nevojë që të bëjë konsideratë investuese dhe arsimore më të mirë. Me këto investime afatgjata edhe Kosova do të bënte ndryshime pozitive me përmirësimin e indeksit të zhvillimit human, të cilësisë dhe të komunikimit me tregun botëror të punës. Edhe pse me gjeografi të vogël, Kosova do të bëhej pjesë e arsimit evropian (cilësia, mobiliteti, puna hulumtuese).

Me ndryshime cilësore në arsim do të krijoheshin resurse dhe kapacitete humane që do të ndikonin pozitivisht në zhvillimin ekonomik. Përvoja ndërkombëtare nga shumë shtete konfirmon se drejtimi, synimet strategjike dhe prioritetet sektoriale janë të rëndësishme për qeverisjen e një vendi. Këtë e ka treguar edhe rasti i Irlandës me investime direkte të huaja dhe financimin e zhvillimit të arsimit. Kështu po të synonim fuqizimin e sistemit të arsimit në të gjitha nivelet pas vitit 1999 do të duhej shprehur një tendencë afatgjate të investimeve në arsim dhe në shëndetësi.

Vetëm me këtë qasje Kosova do të bëhej një tregim i suksesshëm në fushën e arsimit, të shëndetësisë dhe të sektorit ekonomik, duke i përmirësuar indikatorët në raportet ndërkombëtare. Këtë situatë më së miri e prezantoi një test i një organizate ndërkombëtare me nxënës kosovarë dhe të gjithë u ngritëm në këmbë në shenjë dëshpërimi dhe duke shpresuar se ky trend mund të ndalet me ndërhyrje buxhetore dhe reformim adekuat.

Gjendja aktuale në këta tre sektorë nuk mund t’i adresohet vetëm një mandati qeveritar. Kjo përgjegjësi u takon të gjitha mandateve qeverisëse të vendit. Pra, përgjegjësia u mbetet të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe kombëtare në periudhën 1999 - 2017.

Në Kosovë është ndërtuar një mjedis arsimor dhe akademik jo i volitshëm në krahasim me strukturën demografike, pritjet dhe nivelin në rajon dhe më gjerë. Fokusi për trajtimin e problematikës së arsimit të lartë nga qeveria aktuale tregon për të kuptuarit e shqetësimeve dhe pengesave afatgjata në raport me zhvillimin ekonomik, tregun e punës, dijes konkurruese, mobilitetin, kërkimeve dhe zhvillimit. Vërtet nëse bëhen ndryshime pozitive krijohet një platformë arsimore e qëndrueshme për të gjithë dhe për zhvillimin ekonomik.

Kështu Kosova mund të krijojë një prosperitet për të gjithë. Me institucione arsimore publike ideja është që të gjithë qytetarëve t’u ofrohet arsimi publik, pavarësisht nga diversiteti kulturor dhe social i Kosovës. Kështu të gjithëve u krijohen mundësitë inkluzive për arsimim: komuniteteve, grupmoshave të ndryshme, grupeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të varfërve dhe personave me aftësi të kufizuara.

Kolegjet private, duke qenë institucione që kanë karakteristika më shumë komerciale, janë bërë atraktive për komunitetin që posedon nivel mbimestar dhe të lartë të të ardhurave. Sipas kësaj, po të mos ekzistonin universitete publike çka do të bënin grupet sociale me nivel të ulët të ardhurave të disponueshme.

Çështje tejet sensitive mbetet se çfarë dijesh dhe profesionesh konkurruese “prodhojnë” këto institucione të arsimit publik dhe privat. Sidomos situata lidhur me mobilitetin akademik të tyre mbetet për diskutim të merituar. Kjo imponon nevojën që në reformim të përfshihen jo vetëm universitetet publike, por edhe institucionet private të arsimit të lartë.

Nuk ka vend për qasje asimetrike. Mbetet që përfundimet për modelin e transformimit ta propozojnë vetëm institucionet dhe individët me kapacitete elitare akademike. Këto vendime do të jenë afatgjata, duke ndikuar edhe në trendët tjerë të zhvillimit. Numri i universiteteve publike në Kosovë është më i vogël në krahasim me shtetet e rajonit e të mos flasim për shtetet e BE-së.

Vetëm në Tiranë janë me shumë se 5 universitete publike; universitet publik ka Shkodra, Durrësi, Elbasani, Vlora, Gjirokastra, Korça, etj. Bullgaria si vend i BE-së ka më shumë së 17 universitete publike. Parashtrohet pyetja, si qëndron raporti universitete publike - kolegje private në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit, si qëndron problemi i cilësisë?

Disa nga këto universitete publike rishtas të formuara e kanë gjetur paswordin dhe profilin e vet në raport me mjediset shoqërore ku veprojnë dhe duke e lidhur misionin dhe objektivat e veta me potencialet: bujqësia, turizmi, ndërmarrësia rurale, bizneset dhe tregtia. Të gjitha këto potenciale të provokuara me dije duhet të jenë të ekspozuara në tregun e punës.

Në aspektin rajonal duhet theksuar funksionimin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, i cili e ka akomoduar vizionin, misionin dhe objektivat e veta me tregun e punës së rajonit të Pejës dhe të disa qendrave jashtë Kosovës. Kështu ky universitet mban edhe karakteristika rajonale me mundësi të nxitjes së projekteve të BE-së për bashkëpunimin rajonal. Këtë reflektim duhet kuptuar si të realizueshëm, duke pasur parasysh fluksin e lirë të studentëve ndërkufitar në mes të Pejës dhe qyteteve të Malit të Zi. Ndryshimet afatgjata në arsimin e lartë në Kosovë mund të maten me tregues të prekshëm.      

Ky Universitet i kalon interesat lokale duke dhënë kontribut edhe në shkollimin e studentëve të viseve jashtë regjionit të Pejës edhe në gjuhen boshnjake. Në kuadër të kësaj gjuhe kemi mobilizim studentor nga Prizreni, Peja, Dragashi, Istogu, Rozhaja, Novi Pazari, Plava dhe Gusia. Ky orientim rajonal bëhet edhe me atraktiv për faktin së më shumë së 50 studentë regjistrohen për vit dhe i vijojnë mësimin në gjuhen boshnjake nga viset jashtë Kosovës. Por nga Rozhaja dhe viset e tjera etnike shqiptare kemi edhe ardhje të studentëve shqiptarë. Kështu ky universitet është bërë edhe instrument kundër asimilimit të popullatës shqiptare jashtë kufijve politikë.

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka arritur që ta formulojë edhe Strategjinë e zhvillimit 2017 -2022. Me këtë qasje strategjike ky Universitet qeveriset me metodën dhe me instrumentet strategjike, duke e lënë anash qeverisjen tradicionale.

Ky model i qeverisjes strategjike do të bëhet tejet interesant për donatorët ndërkombëtarë. Qenësore është se platformë bazë e misionit dhe objektivave/prioriteteve strategjike mbetet tregu i punës dhe kontributi në zhvillimin e qyteteve të kësaj ane të Kosovës dhe të qyteteve jashtë kufijve politikë të Kosovës (Plava, Gucia, Rozhaja, Ulqini, Tuzi, Novi Pazari, etj.).

Rritja e numrit të studentëve në rreth 13.000 (15% e banorëve të komunës së Pejës) paraqet pronësi të mirë akademike për vazhdimin e profilizimit të tij. Kjo tendencë zhvillimore tregon se ky universitet nuk e kopjon askënd dhe se vlerat e tij dëshmohen vetëm në treg të punës. Ketë vit pas nënshkrimit të marrëveshjes se mirëkuptimit me një kompani nga Turqia, nga Universiteti “Haxhi Zeka” do të punësohen në këtë vend më shumë se 300 studentë të Fakultetit të Turizmit, Hotelerisë, Biznesit dhe Agrobiznesit.

Një pjesë e madhe e studentëve të këtij universiteti arrijnë të gjejnë punë në sektorin privat te turizmit, biznesit dhe agrobiznesit. Do të ishte interesant që të studiohet struktura sociale e studentëve; sipas gjeografisë, lartësisë së të ardhurave, punësimit në familje, diversitetit etnik dhe fetar e të tjerë. Kjo strukturë do të krijonte mundësi të mira për vendime strategjike. Gjatë reformimit të arsimit të lartë duhet vlerësuar zhvillimet në tregun e punës. Kjo varet nga profili zhvillimor dhe ekonomik i Kosovës.

Ky profil duhet të servisohet me profesione të ndryshme, por konkurruese. Në rastin konkret duhet analizuar profilin ekonomik afatgjat të Pejës dhe komunave të afërta dhe të mjedisit ndërkufitar. Qysh tani dihet se ndërtimi i qendrës dimërore sportive “Borea” mund të funksionojë vetëm me ekspertë të turizmit dhe hotelerisë. Këto profesione mund t‘i sigurojë me sukses UNHZ-i me Fakultetin e Hotelerisë dhe turizmit. Këtë orientim e ka dëshmuar edhe funksionimi i Banjës së Pejës me angazhimin e ekspertëve që dalin nga ky Fakultet.

Paraqiten edhe mundësi të reja për zhvillimin e turizmit në Pejë dhe në rajon. Duhet theksuar se në Pejë pritet të formohet edhe një kurrizi turistik “Kunora e Pejës”, e cila do ta përfshijë ndërtimin e infrastrukturës rrugore nëpër bjeshkë mbi Pejë me mundësi të krijimit të përmbajtjeve të reja hoteliere dhe turistike. Fjala është për potenciale të rëndësishme. UNHZ-i me programet e veta duhet të përgatisë kapacitete gjegjëse humane për këtë vizion turistik.

Për të siguruar ndikim në sistemin e arsimit kërkohen analiza të pavarura, njohja me specifikat e gjeekonomisë së Kosovës, situata në tregun e punës dhe aspekte të tjera zhvillimore. Pikërisht vendimi për reforma duhet të bazohet në qasje multidisiplinare. Me këto reforma do të krijohet një platformë për të ardhmen pozitive.     

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK