Zërat

Flutura Kusari

Iluzionet e qeverisë për ndalimin e lajmeve të rreme

27 janar 2018 • 20 : 07

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka iluzione se ka gjetur zgjidhjen për të ndaluar shpërndarjen e lajmeve të rreme online, për çka demokracitë perëndimore debatojnë me vite.

Ministria e Punëve të Brendshme (MBP) më 22 dhjetor 2017 nxori për konsultim publik draftin e Koncept-Dokumentit për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik, me të cilin propozon zgjidhje për lajmet e rreme. Konsultimi është mbyllur më 18 janar 2018.

Lajmet e rreme janë temë aktuale e rregullimit edhe në demokracitë e zhvilluara, ku ende nuk janë gjetur modele të cilat nuk do të cenonin lirinë e shprehjes.

Sipas dokumentit të ndarë me shoqërinë civile, qeveria propozon që lajmet e rreme të konsiderohen si krime kibernetike dhe të rregullohen me nenin e Kodit Penal që rregullon gjuhën e urrejtjes. Ajo propozon të ndryshohet edhe neni ekzistues për t’ia shtuar fjalën “internet”.

Guximi për të dhënë kaq lehtësisht propozime për çështje për të cilat deliberohet me vite, dëshmon ose mungesën e informacioneve të zyrtarëve të qeverisë, ose nisma është tentativë për të censuruar lirinë e shprehjes online.

MBP-ja nuk ka propozuar fare definicion për lajmet e rreme, nuk e arsyeton nevojën për të rregulluar këtë çështje, nuk ofron hulumtim ligjor të bazuar në normat ndërkombëtare.

Analiza ligjore e MBP-së do të duhej të trajtonte më së paku: metodat raportuese të përmbajtjes së ndaluar, përgjegjësinë e mediave dhe ndërmjetësve (mediave sociale dhe ofruesve të shërbimeve të internetit), rolin e trupave rregullues dhe vetë-rregullues të mediave, të policisë, prokurorisë dhe të gjykatave, si dhe sanksionet e paraprara në rast të shpërndarjes së përmbajtjes së ndaluar. Të gjitha këto aspekte duhet të trajtohen nga përspektiva e së drejtës së lirisë së shprehjes si një ndër kushtet themelore të demokracisë.

Nëse kalon ky propozim, do të ri-kriminalizohet shpifja dhe intepretimi i gabuar i tij mund të çojë gazetarët dhe njerëzit tjerë të pafajshëm në burg.

Gjithashtu, qeveria nuk ka nevojë ta ndryshojë nenin që rregullon gjuhën e urrejtjes vetëm për shkak se në definicion mungon fjala “internet”. Neni 147 i Kodit Penal parasheh që “kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje...”, dhe fjala kushdo përfshin përhapjen e gjuhës së urrejtjes në televizion, radio, gazeta, internet dhe në forma të tjera. Neni mund të ndryshohet vetëm nëse ministria ofron arsyetim bindës rreth përmbajtjes së nenit në tërësi.

Lajmet e rreme, sipas një definicioni tejet të thjeshtëzuar janë informata të fabrikuara qëllimisht dhe të publikuara për përfitim politik ose financiar. Ato kanë ekzituar gjithmonë, por tani platformat online mundësojnë shpërndarjen e shpejtë të tyre. Dyshohet që lajmet e rreme i kanë ndihmuar zgjedhjes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian (Brexit-it).

Gjatë viteve të fundit janë organizuar qindra diskutime për lajmet e rreme në nivel shtetëror, europian dhe global. Por, ato nuk kanë rezultuar në hapa konkretë legjislativë për shkak të frikës se mund të cenojnë lirinë e shprehjes. Përjashtimisht, Gjermania ka nxjerrë ligj me të cilin tenton të rregullojë shpërndarjen e përmbajtjes së paligjshme në mediat sociale për të cilin është kritikuar ashpër nga shoqëria civile.

MPB-ja, pasi ta tërheqë propozimin, duhet të bëhet pjesë e diskutimeve aktuale në këtë fushë, të përfshijë sidomos pronarët e mediave online në çfarëdo ideje për të rregulluar shpërndarjen e informacioneve online dhe duhet të mos prodhojë vetë lajme të rreme - si kjo “zgjidhje”. /Sbunker

© zëri.info