Zërat

Milaim Shefkiu

U shua zëri kumbues i Luginës

20 janar 2018 • 11 : 22

Një zemër që kishte përjetuar mijëra ankthe në burg, në luftë e në politikë ishte ndalur dje në Edrene të Turqisë. Aty ku kishte mbajtur shpresa se do ta sfidojë edhe një betejë, aty edhe e humbi luftën, po tani jo nga Serbia, e cila e kishte gjuajtur për 40 vjet me mijëra shigjeta tunxhi, por nga diçka më e madhe, së cilës nuk i gjeti ilaçe as Gilgameshi i moçëm.

Ishte ndoshta momenti më i vështirë të shkruaj një nekrolog për një mik që e njoha në rrethana të vështira. Atëherë “kur fasulja hahej kokrra-kokrra”.

Jonuz Musliu nga dita e djeshme, 18 janar, u shua si mik, politikan, bashkëluftëtar, bashkëshort e si baba. Ai tani nuk është në mesin e të gjallëve. Megjithatë, la mbrapa një bagazh të pasur me vlera kombëtare. Shumëkush do të kishte dëshiruar të kishte si ai.

Vetëm ngushëllimet që erdhën gjithandej opinionit shqiptar nga liderët politikë, institucionalë, nga shokët e luftës e nga ata të paqes e kuptuan se Lugina e Preshevës e ka humbur një njeri të madh. Ne shqiptarët e kemi një anomali, që i lavdërojmë njerëzit zakonisht kur ikin nga kjo botë. Por, a ishte i tillë Jonuzi që t’i thurim lavde postmortum.

Natyrisht që jo.

Ishin veprat e tij ato që demantojnë këtë “alegori”.

Si i ri ra në burgjet e Serbisë, duke sfiduar një regjim që shuante ëndrrat për një Kosovë të barabartë me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Doli nga burgu i rraskapitur fizikisht, por jo i thyer moralisht e kombëtarisht. Nuk u dorëzua duke e sfiduar regjimin si një aktivist i LPK-së deri në luftën e UÇK-së, ku u tregua si gueril i zoti në Karadak. Pas luftës së Kosovës nuk u ndal delli revolucionar i Jonuzit, duke mbledhur një grup të djemve të zgjedhur për të nisur një luftë të re në Kosovën Lindore. Edhe nga aty doli faqebardhë si udhëheqës politik i UÇPMB-së, edhe pse ëndrra e një idealisti nuk u përmbush, sepse Beogradi gradualisht ktheu kontrollin në Luginë.

Qeveria në Beograd e riktheu kontrollin, por jo edhe ta kontrollojë politikisht Jonuzin, të cilin shpeshherë e apostrofuan si “terrorist shqiptar” që në mes të Serbisë kërkon bashkim kombëtar. Si politikan e shanë edhe vetë shqiptarët. Karvanin e tij e gjuajtën me gurë për shkak të bindjeve politike dhe diskursit të drejtpërdrejtë për bashkim me Kosovën. E akuzuan atëherë kur e nxori flamurin kombëtar në objektin e Komunës së Bujanocit, duke ia dhënë “epitetin” e politikanit të papërgjegjshëm.

Ishte ai Jonuzi i cili e ktheu flamurin te varrezat e dëshmorëve vetëm 20 minuta pasi e hoqi xhandarmëria, madje në një shtizë dy herë më të lartë. Dikush i thoshte se politika është ajo që transmetohet me valë metaforike, jo me veprime praktike. Por, Jonuzi ishte i tillë. Dhe për këto vlera shumë dekorata do t’i rrinë atij varur në pelerinën patriotike.

Jonuzi vdiq në Turqi e bashkë me të edhe zëri i arsyes dhe zëri kumbues i shqiptarëve të Luginës.

Ai ishte një Mohikan i bashkimit Kombëtar. Ishte dhe mbeti i njëtrajtshëm.

Jonuz! Nuk dua të të kujtoj si ditët e fundit kur shëndeti ta dridhi zërin, por si atëherë kur shpalose programin e luftës në Dobrosin... Prehu në paqe miku im...

© zëri.info