Zërat
Hysamedin Feraj
Hysamedin
Feraj

Përpjekje – analizë e ''mendimit ndryshe'' të faksionistëve

Zërat January 15, 2018 - 11:11

Përpjekja e këtushme ka të bëj me rrekjet e mia me i marrë veshë “mendimet ndryshe” të faksionistëve brenda Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV, ose VV). Përpjekja u kthye në rrekje sepse në mesin e tyre ka pak mendim, shumë emocion, shumë ndjenja, dhe shumë fjalë boshe. Emocionet kanë nxitur kundëremocione, ndjenjat kundërndjenja dhe fjalët boshje… tallje.

Gjithsesi me interes janë “mendimet ndryshe”.

I panjohur më parë për mua, mendimin e tyre më mbetet ta nxjerrë nga aq pak sa kanë thënë së fundmi, kryesisht në letrat e dorëhqjeve dhe ne media. Në fillim po e shpall përfundimin: në aspektin e mendimit më del se nuk përbëjnë as faksion, por individualizëm dhe njëfarë protagonizmi që rrjedhë prej tij. Sepse, në mendim, janë po aq të papajtueshëm mes tyre sa me LVV-n.

Çështja kombëtare (nacionalizmi shqiptar):

Dardan Molliqaj dhe Frashër Krasniqi  e qortojnë LVV-ën se e ka zbeh çështjen e bashkimit kombëtar:

Dardani: “Kemi pasë një folklorizëm në fjalimet e zgjedhjeve të qershorit. Dhe, çka kam problem tek kjo pjesë është që në fjalimet e zgjedhjeve të qershorit nuk e kishim si pjesë bashkimin kombëtar te z. Kurti që ishte kandidati jonë. Ndërsa, te fjalimet e zgjedhjeve lokale thuajse ishte prezent në secilën komunë”.

Frashëri: “Thirrjet për socialdemokraci e bashkim kombëtar, që na shpërthenin nga gjokset në çdo tubim, demonstratë e postim në Facebook, po zëvendësohen nga thirrjet histerike ‘Duam Babën’”.

Faton Topalli, përkundrazi, e qorton LVV-ën se ka nacionalizmëm ekstrem brenda saj:

Fatoni: “Mjerisht në strukturën e Lëvizjes Vetëvendosje gjejm gjithçka,… deri … te ultranacionalistët. Të tillët as nuk më përfaqësojnë e as i përfaqësoj unë, madje nuk kam asgjë të përbashkët me ta”.

Pra Fatoni nuk pajtohet me Dardanin as me Frashërin.

Veç kësaj, problemi me Fatonin është se shumë votues mund ta kenë zgjedhur  për hir të kërkimit të bashkimit kombëtar nga LVV. Megjithatë, gjatë fushatës, Fatoni nuk e ka bërë të njohur për votuesit dallimin e tij nga LVV për këtë mendim ndryshe të tij, derisa e siguroi postin e përfaqësuesit mbase edhe me votat e tyre. Ndërsa tani u tregon atyre se  fushata e tij ka qenë mashtrim që u ka bërë, sepse, në të vërtetë nuk i përfaqëson ata shqiptarë që e duan bashkimin kombëtar! Konstatimin e Dardanit se në zgjedhjet lokale çështja kombëtare u theksua më shumë e zbeh Fatoni, teksa i dëshmon se ky nuk e paska theksuar në zgjedhjet lokale, sepse ka pasur mendim ndryshe nga Dardani: të mospërdoret fare, as në zgjedhjet qendrore, as në ato lokale!

Qëndrimi ndaj simboleve të Kosovës:

Visar Ymeri mendonte se simbolet zyrtare-juridike të Kosovës janë të imponuar. Për rrjedhojë:

Visari: “Simbolet e Kosovës i pranojmë, por nuk i respektojmë”.

Në të kundërt, Faton Topalli ka mendimin se simbolet e Kosovës nuk i njohim (politikisht) por duhen respektuar:

Fatoni: “Punën e simboleve të Republikës së Kosovës për të cilat kam kërkuar të rrespektohen derisa ta kemi shumicën parlamentare për ti ndryshuar zyrtarisht ato”. Sepse “shteti i Kosovës ka simbolet e tij. Ato iu imponuan padrejtësisht . Edhe pse ne i përdorim letërnjoftimet, lejet e makinave, pasaportat e dokumente të tjera me këto shenja, politikisht nuk i njohim. Jam i mendimit se duhet ti respektojmë derisa të krijojmë shumicën parlamentare për t’i ndryshuar”.

Të dy pranojnë se simbolet e Kosovës janë vënë dhunëshmë, janë imponuar, përkundër vullnetit shqiptar. Por teksa Visari është i saktë kur bën dallimin ndërmjet pranimit të një fakti dhe respektimit si akt dhe kategori morale, Fatoni nuk arrin të bëj këtë dallim. Për ilustrim po i jap një shembull: një femër e përdhunuar mund ta pranojë faktin se është përdhunuar. Por nuk i respekton aktin as shenjat e përdhunimit. Fatoni ka mendimin se meqë pranohet fakti i dhunimit, prej këtej del me domosdoshmëri logjike se dhunimi duhet edhe respektuar. Pra, duket se Visari dhe Fatoni kanë mospajtim për çka imponon fakti, intelekti dhe morali. (Ju bëj thirrje të pajtohen e të mos përçahen për… ide).

Qëndrimi ndaj fesë (partive politike me ngjyresë fetare):

Dardan Molliqaj e sheh qëndrimin ndaj fesë sipas kriterit kombëtar:

Dardani: shoh një tendencë të VV për një qasje instrumentale mbi fenë, kjo është edhe e padrejtë; dhe e dyta, … për mu nuk shkojnë dy gjëra: edhe për bashkim kombëtar edhe me bo koalicion me dikënd që e ka ofendu figurën e Skënderbeut nuk shkon”.

Faton Topalli, përkundrazi, e sheh qëndrimin ndaj fesë nga këndvështrimi ideologjik i pakomb:

Fatoni: “Personalisht kam bindje prej socialdemokrati… Mjerisht në strukturën e Lëvizjes Vetëvendosje gjejm gjithçka, prej fetarve e besimtarve politik e deri tek të djathtit ekstrem  dhe ultranacionalistët”. Më tej shton se “nuk kam asgjë të përbashkët me ta”, dhe “të tillët as nuk më përfaqësojnë e as i përfaqësoj unë”.

Mirëpo, ka diçka të përbashkët mes fesë dhe socialdemokracisë: me përjashtim të hebraizmit, fetë e mëdha monoteiste ashtu si ideologjitë e mëdha moderne, përfshirë socialdemokracinë,  janë esencialisht universaliste, u përkasin të gjithë njerëzve, pa dallim në kombe. Partikularisht dhe praktikisht, të dyja kanë qenë të ndara: besimtar që janë angazhuar për çështjen kombëtare ( tek ne Fishta, rilindasit, etj.), dhe socialdemokrat që janë angazhuar për çështjen kombëtare (jo vetëm ata gjermanë, por anë e mbanë rruzullit). Siç ka pasur në të dy kampet identifikim “internacionalist” me fenë, përktasëisht me ideologjinë pa komb. Fatoni e renditë veten në qëndrimin “atdhe pa komb”, duke i kundërvënë kategorisë politike të kombit kategorinë natyrore të territorit: “angazhimi për atëdheun është edhe çështje e socialdemokracisë, por nacionalizmi ekstrem nuk i zgjidh problemet e vendit”. Cili është vendi (atdheu) i tij?  Dallimi është se “nacionalisti ekstrem” atdheun (territorin) e shtrinë sipas shtrirjes së kombit, dhe më pas këtë atdhe tërësor mund ta dojë të rregulluar në mënyrë socialdemokrate. Përkundrazi, Fatoni e përfytyron atdheun sipas kufijve politikë që i janë imponuar kombit: atdheu është vetëm Kosova në kufijtë e sotëm, vetëm Shqipëria në kufitë e 1913-ës, etj. Në të kundërt, nëse atdhetarizmi i pranueshëm për socialdemokracinë e shtynë Fatonin t’i mendojë kufijtë e atdheut sipas shtrirjes së kombit, atëherë vetë Fatoni do të ishte “nacionalist ekstrem” shqiptar lidhur me atdheun (vendin) për të cilin angazhohet (“ex”-jashtë dhe “treme” kufijë”, “cak”). Sa kaq, duket se qëndrimi i një rryme fetare dhe rrymës socaldemokrate të Fatonit janë në pajtim përballë nacionalizmit shqiptar brenda LVV-ës.

Gjithsesi, rrjedhojat kosovocentrike dhe kosovariste ala-Matoshi të kundërvënies së “vendit”, “shtetësisë”, ndaj “kombit” i nxori menjëherë Florin Kransniqi:

Florini: nuk jam “ithtar i ‘parashutistëve’” nga Shqipëria. Anëtarët e VV-së nga Shqipëria “ka qenë mirë me bë diçka në Shqipëri”, “në vendin e tyre”… Sigurisht, edhe Florini ka qenë më mirë të kishte bë diçka në vendin  e tij, në SHBA, sidomos të kishte bë që LVV të vinte në pushtet në SHBA dhe ta kishte krijuar qeverinë e SHBA-së! Mirëpo, në vend të kësaj, në të rrallë, angazhohet politikisht në Kosovë.

Lloji i organizatës:

Dardan Molliqaj mendon se LVV duhet të jetë parti politike përfaqësuese-burokratike, në kuptimin e veprimit kryesisht brenda mundësive formale të sistemit (çka e kemi analizuar në një rast tjetër).

Faton Topalli, në të kundërt, mendon se LVV duhet të jetë parti e një shtrese sociale:

Fatoni: “Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i kthehet shtresës së cilës përfaqëson me koncept politik”. Duke qenë “socialdemokrat” sui generis, duhet ta ketë fjalën për shtresën e varfër. Ky mendim ndryshe sigurisht që e ndryshon thelbin e LVV-ës si lëvizje qytetare për emancipimin e një populli, ndërtimin e një shteti dhe bashkimin kombëtar në një shtet. Si e tillë është angazhuar për promovimin e vlerave më të larta politike, për mbrotjejn e tërësisë territoriale shqiptare dhe për sovranitetin e brendshëm e të jashtëm të Republikës së Kosovës. Nuk ka dyshim se angazhimi për territorin – kundër Demarkacionit, dhe angazhimi për sovranitetin – kundër “Zajednicës”, nuk i përket një shtrese të vetme dhe as vetëm të varfërve. Në shërbim të të gjithë shoqërisë, LVV është angazhuar në mbrojtje të biznesit vendas (“të djathtët” e Fatonit?), veçanërisht përballë atij serb; dhe është angazhuar për mbrojtjen e prodhuesve e të bizneseve të Kosovës përballë politikës rrënimtare neoliberale (kundër të djathtës?) të qeverisjeve të deritashme si dhe rrënimit ekonomisë nga korruptimi i politikanëve dhe të administratës publike. Të gjitha këto janë çështje sa të shtresave të varfëra aq dhe të atyre më të pasura, çështje e një populli dhe shoqërie si e tillë dhe si e tërë. Por, sipas Fatonit del se LVV duhet brengoset vetëm për shtresën që ia thotë ideologjia dhe jo për shoqërinë dhe njerëzoren në tërësi, siç ia dikton mendimi.

Metoda:

Në mesin e disa faksionistëve ndonëse ka njëfarë “pajtimi” për metodën, prapseprapë dallojnë:

Si Dradan Molliqaj ashtu edhe Faton Topalli pajtohen që LVV të heqë dorë nga metodat me të cilat i ka mbrojtur deri tani sovranitetin, territorin, shtresat e varfëra e të pasura, flamurin shqiptar dhe bashkimin kombëtar etj. Megjithatë nuk pajtohen plotësisht:

Dardani: vërtetë mendon se nuk është më e nevojshme të përdoret hedhja e gazit në Parlament, mbasi tani vendimete e dëmshëm për vendin LVV mund t’i pengojë nëpërmjet numrave të deputetëve. Por nuk e përjashton përdorimi e metodave si ajo edhe në të ardhmen.

Fatoni, përkundrazi, e përjashton parimisht “përdorimin e metodave jokonvencionale’ të veprimit politik.

Fatoni: “Sot demokrcia ka përcaktuar rregullat e sajë. Jam për rrespektimin e këtyre rregullave si brenda ashtu edhe jasht Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kundër përdorimit të metodave jokonvencianale në kushte paqeje si mjete të politikës”. Është e dyshimtë që shoqëria në Kosovë të jetë demokratike dhe të sillet sipas rregullave të përcaktuara të saj. Po, gjithsesi, ky mendim ndryshe bie ndesh përcaktimit të Fatonit si i majtë, “socialdemokrat” sui generis, sepse metodat jokonvencionale, si të themi, janë shpikur dhe janë përdorur gjërësisht nga e majta, sidomos nga fundi i viteve 1960e këtej në kushtet e angazhimti të tyre për progres në shoqëritë me demokraci të konsoliduar.

Ndjenja:

Pa vazhduar më tej me mendimet e kundërt ndaj njëri-tjetrit të vetë faksionistëve, le t’i kthehemi ndjenjave – fusha e parapëlqyer e shumicës prej tyre.

Duket se çka i bashkon shumicën e faksionistëve është ndjenja negative ndaj Albin Kurtit: asnjë prej tyre nuk e ka dënuar ndjenjën e papërmbajtur të Aida Dërgutit që ta shoh Albin Kurtin të burgosur nga regjimi. Përkundrazi,duket se të gjithë pajtohen më të. Sepse të gjithë u përpoqën ta fshehin atë ndjenjë të saj, duke e keqorientuar vëmendjen te një fjalë e rëndë e përdorur prej saj – a thua se ky ishte problemi. Deklarimi kundër ndjenjës së urrejtjes së Aida Dërgutit nuk u bë prej asnjërit as mbasi Albini e bëri të qartë se nuk është fjala që e ka fyer, por ndjenja e padurimit që ta kishin arrestuar e shprehur në pyetjen drejtuar Molliqajt. E, kushdo e di se ndjenjat ndonëse nuk janë gjykime (mendime ndryshe), janë plotësisht të gjykueshme nga mendimi.

Kandidimi i Albin Kurtit për kryetar të LVV

Visar Ymeri dhe Faton Topalli mendojnë se Albin Kurti nuk duhet të rizgjidhet kryetar i VV, në kuptimin se nuk duhet të kandidojë:

Visari: “Vetëvendosjes i duhet një zgjidhje që do t’i kënaqte të gjithë, një kryetar konsensual për të gjithë”, dhe Albin Kurti nuk është i tillë (në Rubikon, 13.12.2017).

Fatoni: “Mendoj për Dardan Molliqajn, Visar Imerin dhe Albin Kurtin, të mos kandidojnë për një periudhë një apo dy vjeçare për pozitat kyqe deri sa situata të stabilizohet”.

Përkundrazi, Dardan Molliqaj ndonëse ka kërkuar më para tyre që Albini të mos kandidojë për kryetar, më vonë është tërhequr (duke i tradhëtuar shokët e tij e tij?):

Dardani: “Nuk kam deklaru që Albini nuk bën për kryetar, e kanë përdor disa prej aktivistëve tonë që për me e kriju një momentum, që me e kriju që problemi në VV qenka Albini…”.

“Konsensusi”:

Faksionistët janë të bashkuar në deklarimet se duan një LVV unike. Për ruajtjen e unitetit duhet arritur një pajtim mes palëve, një konsensus. Konsensusi është parim i demokracisë.

Çka nuk kanë treguar është mundësia logjike e konsensusit. Nëse fjala është për pajtimin me  mendime ndryshe, atëherë fjala është për logjikë, sepse mendim, përsa është mendim, qeveriset nga ligjet (parimet) e logjikës. E tani, duhet të tregojnë se si është e mundur të pajtohen logjikisht (dhe praktikisht) nacionalizmi i disave me antinacionalizmin e të tjerëve, lëvizja popullore emancipuese me partinë e ngushtë përfaqësuese-burokratike ose të një shtrese të vetme sociale, përdorimi i metodave jokonvencionale me mospërdorimin e metodave konvencionale, etj., etj.

Sigurisht, si njeri i mendimeve, i parimeve logjike dhe praktike, Albin Kurti u duket njeriu që pamundëson konsensusin pa parime.

Në fund të fundit, do duhej të na tregonin së paku se si ata vetë konsensusin mund të arrijnë lidhur me mendimet e ndryshëm, më sakt të kundërt, dhe qëndrimet e kundërt në mesin e tyre: cili do të heqë dorë nga mendimi i tij dhe do të pajtohet me të tjetrit – sepse të dy mendimet nuk mund të pranohen përsa janë mendime dhe kundërthënës. Pa treguar mundësinë logjike dhe praktike të konsensusit, termi konsensus mbetet bosh dhe nuk luan asnjë rol emocional që i hamendësohet ta luaj: “jam për konsensus” – vetiu më renditë në anën e të mirëve. Sepse, për njeriun që mendon, rolin e presupozuar asnjëehër nuk e luan boshi por përmbajtja: konsensus për çka, me kë, etj.; sepse kushdo e di se konsensusi me të ligën nuk e renditë askënd në anën e të mirës, dhe e kundërta.

Gjihtsesi, konsensusi ndërmjet  mendimeve të kundërt të tyre është i mundur, por vetëm si joparimor (jo sipas parimeve logjike dhe as të praktikës që rrjedh prej tyre). Për shembull, mund të arrihet mbi bazën e të njëjtës ndjenë negative ndaj Albinit, ndonëse e motivuar nga mendime krejt të kundërt. Mirëpo, atëherë, përkundër nga çka thotë Molliqaj, del që “problemi në VV qenka Albini”.

Por, pa mundësi pajtimi në mendim, fushata kundër Albinit u vendos në termat bosh, që ata mendonin se, saje përdorimit të gjatë ideologjik të Luftës së Ftohtë, bartin vetiu një ngarkesë emocionale negative. Çka nuk e llogaritën është faki se LVV është një lëvizje intelektuale dhe, prandaj, semantikat e boshit të një fushate nuk mund të kryejnë funksionin e tyre manipulues për largimin e aktivistëve nga Albin Kurti. Si lëvizje intelektuale, LVV nuk magjepset nga boshi, përsa boshin e mbush me përmbajtje. Prandaj, termat bosh që u përdorën u pritën… me tallje.

Baba:

Mendohej se termi bosh “baba”, “duam babën”, vetiu bartë ngarkesë negative teksa në diskurin perëndimor është shoqëruar gjatë me “baba Cari”, “baba Dovleti” e deri te Stalini, etj. Sigurisht liheshin në heshtje “etërit (baballarët) e kushtetutës amerikane”, dhe “etër” të tjerë që duken të pranueshëm gjerësisht për ta. Prandaj, të gjitha ata që mbështesnin Albin Kurtin dhe nxirrinin në pah vlerat e meritat e tij, nga faksionistët qortoheshin sikur duan “babën”. Aq u fiksuan në të sa që fushata e faksionistëve kundër Albinit si “baba” filloj t’i ngjajë diskurit të atyre meshkujve që nuk e kanë kaluar shëndetshëm kompleksin e Edipit. Dhe kjo e bëri atë fushatë sa jo efiçientë aq dhe… vetëm të tallshme. Në fund të fundit, edhe sepse të gjithë ata vetë, mbas daljes publikisht si faksion, vazhdonin të “glorifikojnë” po aq shumë Albin Kurtin si “babai” i LVV-ës”:

Dardani: unë jam rritë nga Albin Kurti, “njeriu që ka ndiku më së shumti në formimin politik te unë është z. Kurti”. Dhe, “unë mendoj që Lëvizja është seni ma i randësishëm, dhe jo Lëvizja si organizatë, por koncepti e në mesin e njerëzve Albini është ma i randsishmi”.

Fatoni: “Mendoj që është njeriu që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Lëvizjen Vetëvendosje dhe e ka merituar të jet Kryeministër i Kosovës”.

Visari: “Albin Kurti e ka një kontribut të pazëvendësueshëm për Lëvizjen, këtë kurrkush nuk po ia mohon”.

Mbështetësit e Albinit, ata që “donin babën” nuk kanë thënë më shumë.  Po të mos ishte mungesa e sinqeritetit dhe  skizma e faksionistëve, nga njëra anë, “i pazëvendësueshëm për Lëvizjen” por që, nga ana tjetër, duhet zëvendësuar në krye të LVV-ës me një “kryetar konsensual”, “më i rëndësishmi” por që duhet zëvendësuar me një më pak të rëndësishëm (?), që bën për kryeministër të vendit por jo për kryetar partie – faksionistët nuk do të ishin rast i atyre meshkujve (të tëpit të analistëve) që nuk e kanë kaluar shëndetshëm kompleksin e Edipit. Do të ishin thjeshtë aktivistë të sinqerët e të pa kompleks të LVV-ës, që e duan “babën” njësoj si të tjerët. Por skizma dhe mungesa e sinqeritetit bënte që qortimi i tyre ndaj të tjerëve, për të njëjtën gjë që e bënin vetë, të dukej thjesht…tragji-komik!

Protagonizmi:

Duket se një motiv tjetër ndjenjësor që i bashkon është ndjenja e frustruar e protagonizmit:

Visari: “Kohëve të fundit kam parë një intensitet të shtuar të shpërfilljes së plotë të pozitës sime si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pamundshme të drejtosh.E nëse nuk drejtoj atëherë nuk ka kuptim që të mbetem kryetar”. (Në parim, kjo është një ndjenjë e legjitimuar, sikur të mos kishte pasë asnjë pajtim të mëparshëm për drejtim më kolektiv sesa individual të LVV-ës, për pajtimin se jo çdo mendim i kryetarit bëhet vendim. As kur kryetar ka qenë Albini). Po Fatoni?! Fatoni pse të jetë i frustruar?

Fatoni: “Gjatë rrugtimit tim politik prej vitit 1978 kam vepruar në subjekte të ndryshme politike. Mjerisht në asnjë subjekt politik nuk kam pasur më pak ndikim se sa brenda Lëvizjes Vetëvendosje”.

Të jetë ky një motiv i fuqishëm i përbashkët i faksionistëve? Mos “mendimet ndryshe” në fakt janë ndjenja, ndjenja të frustruura? Për sot me kaq.

Me interes mbetet semantika e fushatës kundër Albinit, e bazuar në shpresën e suksesit të termave bosh, sepse shqyrtimi i saj ka rëndësi themelore, filozofike, për të pafilozofuarën shqiptare përgjithësisht. Por me të mbase merrem një herë tjetër.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK