Zërat
Hysamedin Feraj
Hysamedin
Feraj

“Politika” e faksionit të LVV-së

Zërat January 09, 2018 - 10:54

Fillimisht një dallim terminologjik: për dallimet brenda një partie politike termi “fraksion”  (frakturë, çarje, krisje) përdoret kur “çarja” shtrihet vertikalisht përgjatë gjithë organizatës; në kontrast me të termi “faksion” përdoret kur çarja ndodh në strukturën e lartë, por nuk shtrihet vertikalisht. Duket se brenda LVV-së nuk ka fraksion, por faksion.  

Deri tani i vetmi që jep mundësi për kuptimin e qëndrimeve të këtij faksioni është Dardan Molliqaj. Shkurt e qartë, ai deklaroi se problemi nuk është personal por politik-ideologjik. Për rrjedhojë mendimi i faksionit mund të kuptohet nga mendimi i Dardanit:

Albini do që Lëvizja të rikthehet te rrënjët saj: (1) në mënyrën e punës; (2) në metodën e punës; (3) tek njerëzit, themeluesit e saj.  
Dardani (faksionisti) do që Lëvizjen ta shkëpusë dhe ta shkulë nga rrënjët e saj; nga sa më sipër, kupton ta shkëpusë: (1) nga mënyra e punës; (2) nga metoda e punës; (3) nga njerëzit, themeluesit e Lëvizjes. “Çka kam parë nga z. Kurti në këtë periudhë është një fundamentalizëm politik, një kthim te rrënjët e LVV-së, te rrënjët edhe në mënyrën e metodën e punës, por kthim edhe tek njerëzit, tek themeluesit…”. (të gjithë citimet e D. Molliqajt janë marrë nga parashtrimet në “Zona e Debatit”, 14.12.2017)

Motivi i Kurtit, gjithnjë sipas Molliqajt, është se rikthimi te rrënjët i jep më shumë siguri lëvizjes “Vetëvendosje”. Motivi i vetë Molliqajt, po sipas tij (dhe ndoshta i faksionit), është se situatat kanë ndryshuar dhe prandaj, rikthimi te rrënjët përbën regres. 
Le të reflektojmë për rrënjët e “Vetëvendosjes”:

Rrënjët e lëvizjes “Vetëvendosje” janë filozofike, konceptuale, prej nga janë ushqyer e zhvilluar degët e deri te frytet (metodat e veprimit, mënyrat e të menduarit dhe të sjelljes, rritja e pjesëmarrësve, fitoret në zgjedhje, etj.). 

Rrënja filozofike e LVV-së është ideja e njeriut si qenie e lirë. 

Ndaj si Lëvizje ne flasim për komunitet të njerëzve të lirë. Vetëm një komunitet i njerëzve të lirë ndërhyn në situatë dhe e sjell risinë sipas masës së vetë: lirisë. Liria ngrihet kundër ndjekjes së situatës, përshtatjes ndaj situatës dhe ndryshimit të vetes sipas situatës, kundër njeriut të determinuar.

Në situatën kur kërkoheshin bisedime pa parime të Kosovës me Serbinë, në situatën kur mendohej se ne jemi tjetri, gjithë çka thotë tjetri dhe projektin e të cilit duhet ta zbatojmë, ndërhyri Lëvizja dhe e tha atë që i përket, por që mund ta thotë vetëm qenia e lirë shqiptare: Jo negociata. Vetëvendosje!  Prej këtej krijoi një situatë të re: hapi shikimin e mundësisë me qenë vetja dhe me veten – fushën e mundësive të njeriut të lirë.

Liria është lëvizje, lëvizja është aktivitet, aktualitet, domethënë veprim mbi dhe kundër realiteteve që e kufizojnë veprimin e njerëzve të zhytur, të kapur në përditshmëri. Prej këtej, rrënja e Lëvizja e implikon aktivistin dhe aktivisti është rrënjësor për të si aktualiteti i Lëvizjes. Vetëvendosje kundër vetëkapje. Liria kundër korruptimit.

Sakaq, Lëvizja e ka të implikuar rolin në shoqëri: emancipimin shoqëror – si fjala tjetër për lirinë. Lëvizja është ecja që e përshkon shoqërinë me liri, duke i mundësuar secilit të bëhet qytetar: njeriu i çliruar nga mbërthimi prej përditshmërive, i krijon vetes kohën e lirë për t’u marrë me të mirën e qytetit (të mirën e përgjithshme). Prandaj, rrënja e lëvizjes “Vetëvendosje” aq sa e implikon, po aq e bën rrënjësor qytetarin, dhe qytetarinë aktive.

Kthimi i Albinit te rrënjët kupton kthimin te filozofia e lirisë, mospërshtatja ndaj situatave të paliri, kthimin tek aktivisti, te qytetari aktiv, etj. Këto janë edhe idetë themelore të programit të lëvizjes “Vetëvendosje”. 

Për Dardanin kthimi te rrënjët përbën regres! Dardani (dhe ndoshta faksionistët) propozon të kundërtën si alternativë: ikjen nga idetë (filozofia) rrënjësore të lëvizjes “Vetëvendosje”. Filozofia që ofron Dardani është përshtatja ndaj rrethanave (gjendjes së gjërave): “Nuk mund të jetë e njëjta LVV kur ndërrojnë rrethanat”. Çfarë ka ndryshuar?

Situata që ka ndryshuar është forcimi i përfaqësimit të LVV-së në institucionet dhe në strukturat pushtetore.  

Prej këtej lëvizja “Vetëvendosje” duhet të përshtatet me veprimin brenda mundësive që hapin procedurat formale të institucioneve. Ja një shembull i përshtatjes që kërkon Molliqaj: “Nëse në 2015, 2016 është dashur të hedhin gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për ta ndalur ‘Zajednicën’ dhe Demarkacionin, sot nuk kemi nevojë për Demarkacion, sot nuk ka shumicë 2/3 që e votojnë Demarkacionin. Pse të qitet sot gaz? Për këtë arsye nuk vjen Demarkacioni në votim. Nuk e them kurrë nuk duhet të bëhet, por jo ta bëjmë gjithë pse e kemi bërë një herë”.

Kjo sjellje ka qenë pritshmëria e madhe dhe kërkesa ndaj “Vetëvendosjes” prej të gjithëve jashtë saj qëkur LVV-ja vendosi të marrë pjesë në zgjedhje dhe arriti të futet në Parlament: “normalizimi” i saj! Po aq i madh ka qenë zhgënjim i tyre për sa LVV-ja nuk u “normalizua”. Edhe atëherë, si tani, pritshmëria dhe kërkesa legjitimohej me rrethanat: imazhi i dobët i Kosovës në botë dhe nevoja e forcimit të tij, institucionet e dobëta në Kosovë dhe nevoja e respektimit dhe e forcimit të tyre, etj.

Filozofia e përshtatjes ndaj rrethanave është e kundërta antipodike e filozofisë së lirisë, asaj që i bën rrethanat. Në filozofinë e përshtatjes liria e ndien veten të rrethuar brenda rrethit të caqeve që ia thonë pamundësitë dhe që duan ta bindin se dalja jashtë tyre është budallallëku, aventurizmi dhe kotësia e lirisë. Frikacaku e do demokracinë dhe normalizimin për t’i thënë guximtarit dhe partizanit të lirisë se lufta e këtij është aventurizëm.

Një tjetër shembull i përshtatjes që kërkon Molliqaj: Lëvizja “Vetëvendosje” duhet të kthehet në parti politike votuesi dhe përfaqësimi përkundër lëvizje emancipuese: “Dallimi (me Albinin – H. F.) është çfarë lloji organizate po duam...”. përkundër Albinit, sipas Dardanit: “duhet me ec tutje nga një organizatë pararojë, avantgardë në një parti politike”. 

Domethënia e këtij transformimi është thënë qartë: Lëvizja nuk duhet më me qenë pararojë – roje e vlerave që i përkasin esencialisht, por që i mohohen vazhdimisht popullit shqiptar dhe as në radhët e para të rezistencës për mposhtjen e antivlerave – siç ka qenë deri tani. Për këtë Molliqaj nuk ofron asnjë arsyetim: nëse të qenit lëvizje pararojë në një shoqëri është diçka vetiu e keqe; apo nëse është e mundur të ekzistojnë shoqëri që nuk kanë nevojë për asnjë pararojë dhe shoqëria shqiptare është njëra prej tyre; nëse rolin pararojë duhet ta marrë ndonjë lëvizje tjetër dhe pse, etj.

Për rrjedhojë, si parti politike dhe përfaqësimi Lëvizja nuk e ka të nevojshëm aktivistin, veçse gjatë fushatave elektorale për ta përforcuar përfaqësimin; nuk e ka të nevojshëm qytetarin dhe qytetarinë aktive, veçse gjatë votimit të përfaqësuesve. Të dy bëhen të panevojshëm sepse: “tash jemi faktorë përcaktues në skenën politike”, sepse, për shembull, në Parlament askush “nuk ka shumicë 2/3 që e votojnë Demarkacionin”. Prandaj “pse me qitë sot gaz”, etj.

Veç përfaqësuesit, vendin e aktivistit dhe qytetarit aktiv duhet ta zërë teknicieni: “unë besoj te strukturat e partisë nga njerëz që kanë dije, përvojë, gatishmëri për atë punë dhe ata me e ndërtu strukturën”. Molliqaj nuk dallon dijen politike nga ajo teknike. Ai nuk do dijen që i implikon veprimin e gjerë të njerëzve. Në të kundërtën, “Kurti beson si pikënisje gjerësinë, njëherë skanimi i fshatit, lagjes e pastaj strukturat”. Dallimi vërtet është i qartë dhe themelor:

“Kurti do gjerësinë”, ndërsa Dardani (ndoshta faksionistët) do “njerëz që kanë dije...”, sektin e teknicienëve. Me fjalë të tjera, Kurti nuk përjashton dijen, por vlerëson edhe gjerësinë e përfshirjes në Lëvizje të njerëzve që kanë dije po aq sa të atyre që veç e intuitojnë lirinë dhe udhëzimet për veprim që jep ajo dhe që normalisht kudo e kurdo përbën shumicën e qytetarëve. Pa dyshim, kjo është shpesh padituria e madhe e njerëzve “të ditur”. Akuza e LDK-së se LVV-ja nuk ka specialistë, etj., ka qenë ndër dështimet e “specialistëve” të vetë LDK-së sa dhe mbështetja e saj “te specialistët” që kishte.

Së këtejmi rrjedh “dallimi për metodën” dhe “mënyrat e veprimit” të LVV-së, i theksuar me qejf që nga Aida Derguti deri te Visar Ymeri. Ideja është të mos përdoren, si deri tani, metodat e aktivistit, qytetarisë aktive, demokracisë së drejtpërdrejtë, “gazi”, protestat masive qytetare, etj., por punët t’u lihen përfaqësuesve, teknicienëve, pajtimit mes krerëve, marrëveshjeve në tryeza të ngushta, etj. 
Pra, çka na duken si kundërthënie të tyre janë krejt konsistente me të pafilozofuarën e tyre: vetvetiu demokracia e tyre është pa doemos marrëveshjet dhe kompromiset mes vetë “krerëve” të LVV-së pa aktivistët dhe strukturat më të gjera të LVV-së, organizata sipas tyre është pa këshill të përgjithshëm, zgjedhja e kryetarit pa pjesëmarrjen e anëtarësisë, etj., etj.

Po kaq konsistente me filozofinë e tyre janë shpifjet për qëndrimin ndaj bashkimit kombëtar, ndaj fesë, ndaj koalicioneve me partitë e tjera politike, etj. Prandaj nuk po i analizojmë këtu sepse janë të bazuara vetëm në shpresën e tyre për instrumentalizmin e mundshëm të emocioneve (appeal të emotions) dhe si të tillë nuk përbëjnë argument, por vetëm shembull të gabimit logjik (karakteristike për Visar Ymerin: pa asnjë mendim).

Prandaj, të vetmit që mbeten absurdë janë ata që kërkojnë pajtimin mes faksionistëve dhe albinistëve: ata duhet të na tregojnë se si mund të pajtojnë brenda vetes filozofinë e lirisë (albinizmin) me filozofinë e determinizmit (dardanizmit, visarizmit), bashkë me gjithë implikimet e atyre filozofive.   

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK