Zërat

Mos ia bëni vetes rrafsh!

Zërat January 01, 2018 - 13:20

S’ka dyshim: Sporti është mundësi e artë për çdo shtet që ta promovojë sa më mirë veten në arenën ndërkombëtare. Kjo vlen edhe për Kosovën, e cila qysh në vitin 2016 e ka mbyllur procesin e vështirë të anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare të sportit.

Pa dyshim, Kosova ka shënuar fitore të madhe me rastin e ndërkombëtarizimit të sportit sepse pavarësia e saj, e shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, vetëm se u bë më e njohur dhe më legjitime nëpër botë. Po aq shumë në promovimin e Kosovës ka kontribuuar xhudoja kosovare me medaljet e shumta që fitoi në gara të rëndësishme ndërkombëtare.

Për më tepër, me medaljen e artë të fituar në olimpiadën “Rio 2016” xhudistja Majlinda Kelmendi e bëri Kosovën një kampione olimpike. Këto janë fitoret e vërteta dhe me peshë të Republikës së Kosovës. Për të mos u hyrë në hak, kontribut në promovimin e Kosovës kanë dhënë edhe disa sportistë individualë me sukseset e çmueshme të tyre, si karateisti Herolind Nishevci apo boksierja Donjeta Sadiku.

Respekt meriton edhe Sigal Prishtina për fitoret në Ligën Ballkanike karshi skuadrave të disa vendeve ballkanike që nuk duan ta shohin me sy e ta dëgjojnë me veshë emrin “Republic of Kosovo”.

Mirëpo, fatkeqësisht Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), federatat sportive, përfaqësueset dhe klubet kosovare, të ndihmuara edhe nga institucionet më të larta shtetërore, tashmë kanë nisur ta teprojnë. Humbjet e thella apo edhe debaklet e shumta që kosovarët po i regjistrojnë në arenën ndërkombëtare po i vlerësojnë si “suksese”. Me fjalë tjera, opinionit të gjerë po mundohen “t’ia shesin sapunin për djathë”.

Duke e ditur nevojën e Kosovës për t’u promovuar si shtet nëpër botë, intonimi i himnit dhe valëvitja e flamurit shtetëror në arenën ndërkombëtare përmes sportit gjatë gjithë vitit që lamë pas ka prodhuar emocione të veçanta në vendin tonë. Për Kosovën dhe për kosovarët kjo ishte më e rëndësishme sesa rezultatet e regjistruara, e të cilat në fakt kanë lënë shumë për të dëshiruar.

Duke thënë: “Me rëndësi pjesëmarrja” sporti kosovar vazhdon ta ngushëllojë veten dhe ta mashtrojë opinionin. E vërteta është diçka krejt tjetër. Kosova nuk fiton asgjë kur humb në futboll 6:0 nga Kroacia apo klubet e saj nga kualifikimet bien në parakualifikime.

Sukses për ta festuar i madh e i vogël në vendin tonë do të ishte së paku kualifikimi në një Evropian të Basketbollit, kompetecion të cilin në tërësi së fundmi e ka fituar një shtet si Sllovenia. Nuk është për t’u çmendur së festuari shkuarja e Kosovës në kualifikime të Botërorit të Basketbollit prej parakualifikimeve.

Nuk është për t’u festuar eliminimi i klubeve sportive në xhiron e parë apo dështimi për ta kaluar një fazë kualifikuese. Tashmë krejt bota e di se Kosova është shtet-anëtar i të gjitha organizatave ndërkombëtare të sportit. Pjesëmarrja është e garantuar. Kurse, përmes rezultateve të dobëta Kosova krijon imazh të keq nëpër botë. Shfaq probleme të ndryshme të brendshme që ua pamundësojnë reprezentuesve tanë përgatitjet për t’i arritur rezultatet më të dinjitetshme në rrafshin ndërkombëtar.

E vërteta është për keqardhje. Viti 2018 e gjeti me 100 telashe sportin në Kosovë, ku klubet po luftojnë kundër shuarjes shkaku i krizës së jashtëzakonshme financiare, aty ku gjendja infrastrukturore sportive është e mjerueshme dhe e pamundëson zhvillimin e talenteve dhe masivizimin e sportit, aty ku dukuritë negative janë nga më të ndryshmet dhe përzierja e politikës me sport shihet prej aeroplani.

Me gjithë këto, Komiteti Olimpik i Kosovës u thotë njerëzve të mëdhenj të sportit botëror se vendi ynë e ka një strategji përmes së cilës planifikon të bëhet shembull botëror!

Hajde more gëzuar!   

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK