Zërat

Faton Abdullahu

Kjo Qeveri ta gërditë këtë vend

01 janar 2018 • 12 : 30

Shtetet perëndimore, e sidomos SHBA-ja, janë angazhuar bashkë dhe seriozisht, por edhe të brengosur për ta mbrojtur qytetarin e Kosovës dhe fatin e vendit tonë nga gabimet, padrejtësitë dhe interesat klanore të pushtetarëve aktualë. Në këtë gjendje, ku duhet të tjerët të na mbrojnë nga vetja jonë, e ka sjellë vendin tonë qeveria “Haradinaj” për 100 ditë.

Konsekuentë në papërgjegjësinë e tyre e kreativë në imagjinatën djallëzore pushtetarët aktualë e tmerruan qytetarin e Kosovës, sepse ai e kuptoi se stërkeqja e politikave të këtyre pushtetarëve mund të devalvojë deri në shtetshkatërrim. Kjo u pa edhe nga reagimi i fundit i ambasadorëve të disa vendeve tona, që më së miri përmblidhet me konstatimin e javës së kaluar mbi moskalimin e Ligjit mbi Gjykatën Speciale “mosni, se kjo do të konsiderohet thikë pas shpine”.

Më e keqja është se këta pushtetarë edhe kur sot ngulin të tilla thika thirren në patriotizëm, thirren në vlerat e luftës, që ka përfunduar tash e gati dy decenie dhe e justifikojnë veprimin e tyre me trimëri e punë, që deri tash na paska munguar. Kjo Qeveri gjithnjë e më shumë ta gërditë këtë vend, por edhe ta futë frikën, duke e vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij.

Ajo që të brengosë frikshëm është injorimi me lehtësi, por edhe anashkalimi me arrogancë i çfarëdo pakënaqësie, revolte apo proteste, që mund të ngjallin politikat e tilla nga qytetarët dhe shoqëria civile. A kam të drejtë të konstatoj kështu?

Po kam, sepse kjo Qeveria u dëshmua se s'i jep pesë pare nëse një vendim i saj për dikë është njerkë e për dikë bëhet dy herë nënë, i tillë ishte vendimi mbi rritjen e pagave 100% vetëm për një rreth të ngushtë njerëzish, zyrtarë qeveritarë dhe për kryeministrin.

Kjo Qeveri nuk respekton procedurat ligjore, shkel ligjet dhe Kushtetutën, i tillë ishte vendimi për faljen e borxheve në kundërshtim me kompetencat e Qeverisë dhe buxheti i Republikës së Kosovës u dëmtua rreth 60 milionë euro.

Kjo Qeveri me grykësi të papërmbajtur jo vetëm që thyen ligjin, por edhe injoron Kuvendin dhe vepron në dëm të funksionalitetit të bordeve, i tillë është shkarkimi i bordeve që janë në kompetencë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për t’i vënë njerëzit e vet në këto pozita.

Kjo Qeveri prish marrëdhëniet me shtetet fqinje për interesa klienteliste prapë në emër të patriotizmit, e tillë ishte ndarja e një shume jo të vogël të mjeteve për rastin “Kumanova”, e cila pos të tjerash është edhe në kundërshtim me ligjin, që ndalon bashkimin në pjesëmarrjen e konflikteve jashtë shtetit.

Kjo Qeveri abuzon me paranë publike dhe emëron pa hesap 70 zëvendësministra dhe si duket s'ka ndërmend të ndalet për t'i rehatuar apetitet plot grykësi të atyre që e konstituojnë këtë mekanizëm, që më së paku meriton të quhet Qeveri e interesave të qytetarëve.

Krejt këto nuk janë krejt.

Qeveria “Haradinaj” lindi mbi disa sajesa, gënjeshtra dhe klankoalicione, që po e ringjallin edhe më fort prontopolitikën. Ajo lindi pa respektuar kurrfarë morali politik. E pamoralshmja është ambalazhi i saj, logoja e saj, një kaos me shumë koka zëvendësministrash në të.

Qeveria “Haradinaj” është Qeveri që nuk mund të ndërmarrë, as të kryejë punë të mëdha. Sjellja e ministrave të kabinetit të tij pa e respektuar hierarkinë qeveritare dhe duke e anashkaluar jo rrallë kryeministrin e dëshmon më së miri këtë. Kjo tregon se Qeveria aktuale e ka në krye kryeministrin Haradinaj, por ai nuk është koka e tij. Prandaj, ai herë pas here mundohet me një skenografi politike dhe simbolikë pa sens ta dëshmojë të kundërtën, me çka nganjëherë del edhe qesharak. Ai është i vetëdijshëm për këtë, por tërpia për të qenë në krye të Qeverisë ia atrofizon pragmatizmin. Kjo Qeveri ka më shumë se një kokë dhe duket që para se opozita të bëhet bashkë ta rrëzojë këtë kuçedër, kokat do të pësojnë nga njëra-tjetra.

As krejt këto nuk janë krejt.

Lista Serbe është e keqe që kujdestaron me vigjilencë për të sulmuar. Jo qeverinë “Haradinaj”, por çdo të mirë që mund t’i ndodhë këtij vendi drejt forcimit të institucioneve në veri dhe në drejtim të forcimit të shtetësisë së saj. Dy segmente në të cilat kjo qeveri s'ka bërë asgjë. Kjo bëhet tmerrësisht brengosëse nëse kihet parasysh se kjo Qeveri, e cila edhe pse për nga numrat qëndron në këmbë të qelqta, e dirigjuar ekskluzivisht nga tërpia për ta marrë Qeverinë, e ka bërë hallall që një pjesë e bazës së saj (më shumë se kurrë më parë) të qëndrojë mbi subjektin “Lista Serbe”, me çka vetëdijshëm, as më pak as më shumë, ka institucionalizuar politikat e Beogradit në Kosovë. Përkundër kësaj, qeveria “Haradinaj” më së shumti dhe më së miri po bashkëpunon, deri më tani në heshtje dhe do të bashkëpunojë edhe më me Listën Serbe, sepse ajo është përfituesja më e madhe në këtë qeveri dhe nga kjo qeveri. Se është kështu do të shihet shumë shpejt”.

Dhe s'ka se si të mos përmendet me këtë rast çështja e demarkacionit. Pushtetarët aktualë kanë dëshmuar se sajesën për humbje toke e ngritën në mision patriotik, mbi të cilën e ndërtuan strategjinë për të ardhur në pushtet. Kjo çështje, e cila deri dje ishte problem ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë, tani me këtë Qeveri mori edhe dimensionin institucional të problemit ndërshtetëror me Malin e Zi dhe problemin me shtetet mike, sidomos SHBA-në. Askush asnjëherë nga pushtetarët aktualë, të cilët dje akuzonin me lehtësi për tradhti, nuk na treguan nëse Kosova po humb tokë, atëherë pse dashkan amerikanët t'ia falim ne tokën tonë Malit të Zi. Këta pushtetarë në qeveri dje “tokat e humbura” i mbrojtën për të fituar pushtet, kurse sot po e mbrojnë pushtetin deri në humbjen e tokave. Përgjegjësinë morale, institucionale dhe transparente për ta mbrojtur këtë kauzë fort dhe pandalshëm kjo qeveri me lehtësi noshalante e la në derë të Kuvendit të Kosovës. Çështja e demarkacionit u ndërlikua dhe u stërkeq edhe më shumë. Shumë e pandershme.

Thënë përmbledhtazi, qeveria “Haradinaj” punon shkarazi. Punon pa koncepte afatgjate, ngutet e papërmbajtur, merr shumë vendime aty për aty, rehaton e shpërblen veten dhe ata që do t'i duhen nesër. Duket se është e bindur se nuk e ka gjatë. Prandaj dhurata më e mirë që do ta bënte babadimri sivjet për Kosovën është të na sjellë një “MOCION” të paketuar mirë, që do të na gëzonte të gjithëve, i cili nënkupton ta ndalim një të keqe të madhe pa pasur nevojë t'i bëjmë keq askujt në Kosovë. Më këtë dëshirë, gëzuar 2018-a.

(Autori ka qenë këshilltar për medie i ish-kryeministrit Isa Mustafa)

© zëri.info