Zërat

Një kapitull i ri apo një fundosje me të vjetrën?

Zërat December 31, 2017 - 12:10

Po i vjen fundi edhe një viti tjetër në dekadën e dhjetëvjeçarit të shtetit të pavarur. Në këtë fundvit ngjarjet dhe zhvillimet pozitive janë të pakta dhe nuk lënë shumë hapësirë për të shikuar mbrapa me admirim e me gëzim kolektiv.

Dështimet e shumta në jetën institucionale, jeta e vështirë, radhët e karvanit për të lëshuar vendin, burgu kolektiv, tregimet e korrupsionit, numrat e shumtë të atyre që po humbin shpresën e një jetë të dinjitetshme janë sinjalet e një cikli që nuk po përfundon vetë.

Është vetëm një numër i vogël i njerëzve që ka përfituar nga ky kaos i vlerave dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore dhe ky sistem thellësisht i kalbur e i kapur. Kudo që kthejmë sytë, veshët dhe mendjen përplasemi me ndjenjën e pasigurisë, një thyerje dhe shije e keqe, jetës i ka humbur vlera. Çdo sferë e shoqërisë është kapluar nga një jonjerëzi dhe armiqësi  përjashtuese e urrejtëse.

Përballë rritjes së nevojave kemi një zbehje e zvogëlim të shpresës për t’u bërë më mirë. Mbi të gjitha zbrazëtira shpirtërore dhe mungesa e vlerave janë bilanci i të jetuarit në një shoqëri që ka adoptuar përjashtimin dhe tradhtinë si normë e pranuar e raporteve me njeri-tjetrin dhe frikën si bazë të gjykimit paragjykues. Sikur çdo gjë që del nga goja nuk përputhet me atë që është në mendjen e njerëzve dhe si rezultat pabesueshmëria dhe inatet kanë arritur kulmet.

Nga një kolektivitet me ambicie të mëdha, të bashkuar kundrejt rrezikut dikur, jemi shndërruar në një kolektivitet të pjesëve të ndara që mbijetesën dhe veten e kanë prioritetin e vetëm. Ligjet e natyrës janë vënë në veprim kundrejt ligjeve të rregullimit të jetës, normat e shthurur kanë kapluar hapësirën e solidaritetit dhe të mirëkuptimit të ndërsjellët. E huaja është më mirë se jona, të huajt janë më të respektuar se njerëzit e afërm, kriza për identitetin se kush jemi është në rritje dhe po krijon frikën si rezultat.

Për interesa personale dhe për përfitime të çastit hedhim baltë edhe mbi ata që nuk i njohim, i gëzohemi dështimit të tjerëve dhe pushtetin e shohim si privilegj e përparësi ndaj të tjerëve dhe jo përgjegjësi. Nëse dikur kultura, respekti e dëshira për arritje për të lartësuar emrin e vendit e të kombit kanë qenë arsenali i luftës për mbijetesë, liri e pavarësi sot të gjitha janë instrumente për manipulim dhe për përjashtim - është bërë jeta tender, gjithandej. Ikja e trurit dhe e njerëzve që nuk duan të nënshtrohen para së keqes është bërë fenomeni më i shpeshtë i shoqërisë sonë.

Të gjithë jemi bërë vrapues që shpresojmë në kilometrin e fundit kundërshtarët të thyejnë këmbën dhe jo vrapues që japin kurajë për të kaluar këtë shteg të mjegullt e të pasigurt për të dalë në dritën që ndriçon të gjithë. Dhe sa gjatë mund të kalojmë në këtë shteg të udhëhequr nga njerëz që asnjëherë nuk kanë pasur për qëllim shtetin e së drejtës, barazinë, drejtësinë dhe mirëqenien e njerëzve.

Çfarë kuptimi ka shteti që nuk është në shërbim të njerëzve dhe të fatit të tyre? A ka ardhur koha që pas një dekade pritjeje e vrojtimi të vuajtjeve dhe padrejtësive të kalojmë në kapitullin e ri të historisë? A është ky vendi dhe shoqëria ku do t’i rrisim fëmijët tanë dhe a është ky vendi që do t’ua lëmë gjeneratave të ardhme?

Në këtë paradoks dhe përplasjeje kudo që kthehemi kemi njerëz të mirë e të devotshëm që në asnjë mënyrë nuk po arrijnë të dalin në sipërfaqe. Ata janë shumica, por assesi të lejojmë që njerëzorja, vlera dhe vizionarja të bëhen bashkë pavarësisht dallimeve të natyrshme që mund të kenë. A do ta gjejmë forcën për të filluar dialogun nacional për fazën e re të historisë, aty ku nuk ka vend për burgun kolektiv dhe për stigmatizimet si drogaxhinj, të korruptuar, kriminelë e vrasës.

Po ka ardhur koha që të vendosim përpara talentin në të gjitha fushat. Ngrohja e shpirtit dhe e mendjes nuk mund të vijë gjithmonë nga ata që kanë ikur diku në shtete tjera dhe pa qenë pasardhësit e dikujt apo pa kërkuar të njohurit kanë arritur majat e suksesit. Mendojeni se si mburremi e na ngrohen zemrat me Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, Lorik Canën, Shkelzen Domin, Granit e Taulant Xhakën e me dhjetëra të tjerë nëpër botë. Ne jemi populli që ka kaluar katrahurat e pushtimeve me shekuj dhe kemi ruajtur këngën, kulturën, gjuhën dhe respektin.

Me shekuj i kemi kënduar të bukurës, të mirës, heroizmave dhe sakrificës për njëri-tjetrin dhe vendin. Në shumë mënyra jemi unikë. Në shumë raste edhe të çuditshëm. Nuk ka asnjë popull në botë që është tkurrur e ka luftuar për ekzistencën e vet dhe që nuk ka vendosur urrejtjen përpara. Bashkë jemi transformuar dhe kemi gjetur mënyrat për të mbijetuar, kemi lëshuar vendin për t’i shërbyer vendit, ajo që ka bërë dhe po bën diaspora për vendin është e paimagjinueshme për shumë popuj të tjerë, diversiteti fetar që bashkëjeton dhe respekti në nivelin e qytetarëve është po ashtu i veçantë dhe i pakrahasueshëm.

Të gjitha këto vlera janë mes nesh, por me këto si duket nuk mund të jetohet në një sistem të krijuar mbi jovlerën, tradhtinë dhe therjen pas shpine. Shumica e popullit nuk është e përgatitur ta luajë këtë lojë të ndytë që po imponohet. Por pse atëherë të mos e nisim një kapitull të ri të ndërtuar pikërisht në këto vlera e parime burimore që nuk janë as nga Lindja e as nga Perëndimi, por janë tonat, të raporteve të mira ndërnjerëzore, të sinqeritetit të një vendi të vogël që çdokush njihet me njëri-tjetrin, pse të mos jemi përkrahës dhe së bashku të dalim në shtegun e arritjeve dhe sukseseve të bazuar në punë e në mund, djersë e investime në dije.

Ky kapitull nuk do të lërë vend për ata që në rrugën e shkurtër duan te arrijnë te fama e te suksesi, që duan të bëhen të pasur mbi varfërinë e të tjerëve, që duan të jenë liderë të shoqërisë së ndërtuar në gllabërim të pasurisë dhe të hapësirës publike, që duan të ndriçohen për vete duke mjegulluar të tjerët, që duan luksin duke shitur dhe duke helmuar fëmijët e fqinjëve. Një kapitull i ri ku mburremi që jemi shqiptarë e nuk fshihemi me turp përmbrapa identiteteve të të tjerëve.

Ky kapitull i ri nuk lejon ministra që bëhen milionerë duke rrjepur pasurinë, shtetin dhe duke shitur drogë, në këtë kapitull nuk duhet lejuar që përfaqësuesit e rinj të jenë kopja e keqe e politikanëve të korruptuar, por duhet vendosur kulturën e transparencës dhe llogaridhënies përpara. Gjykimi për ata që na përfaqësojnë duhet mbështetur në rezultatet e punës, premtimeve të mbajtura, pastërtinë dhe sinqeritetin që sjellin dhe jo në dëshirën për të parë një ndryshim fytyre.

Të gjithë që shohim veten jashtë skemave të ndyra e që jemi shumica duhet të kemi guximin që të bardhës t’i themi e bardhë dhe të zezës e zezë. Të gjithë duhet rivendosur veten në krijimin dhe në forcimin e vlerës dhe të kulturës në funksion të shtetit dhe të jetës me dinjitet, nga artistët, këngëtarët te mjekët, pastruesit e rrugëve, inxhinierëve, filantropëve, ndërtimtarëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut, gjykatësve e shkencëtarëve, atyre që mbrojtjen e të drejtave të grave nuk e kanë biznes, por pasion e besim, përfaqësuesve fetarë që nuk e kanë religjionin për t’i manipuluar njerëzit e për të përfituar për vete, por për të ushtruar të drejtën për besim në Zot dhe çdokush tjetër që zgjohet në mëngjes dhe dëshiron që pa frikë të shikojë veten e tij/saj në sy.

Ky vendim është për secilin dhe për të gjithë ne, ose e ndërrojmë faqen e shkojmë në kapitullin e ri, ose kundërmojmë në kapitullin e vjetër të marrëdhënieve të mykura nga jovlera.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK