Zërat

Ikjes së rinisë nga Kosova duhet t’i themi stop me oferta serioze për punësim

Zërat December 31, 2017 - 12:02

Më 16 dhjetor 2017 mediet tona elektronike (portalet) po shkruajnë se: “Vetëm nga janari deri në fund të nëntorit të vitit 2017 janë 31.300 kosovarë që kanë marrë “dritën jeshile“ për të punuar në Gjermani, që i bie se ata përbëjnë afër 30% të numrit të përgjithshëm të të gjithë ballkanasve që kanë pasur këtë fat”.

Kjo pa dyshim se është një lajm shumë i mirë se 31.300 punëtorë nga Kosova kanë gjetur punë dhe me punë krijojnë mirëqenien familjare për një jetë më të dinjitetshme. Por, për Kosovën nuk është lajm i mirë pse Kosova i ka më pak 31.300 njerëz, ka më pak tatimpagues, të cilët ndikojnë jo vetëm me zvogëlimin e numrit të qytetarëve, por edhe në varfërinë e vendit tonë.

Kjo varfëri ka shumë anë e që më së paku i duhen vendit e kombit tonë. Statistikat duhet të na tregojnë, po rinohet apo po plaket popullsia jonë?!

Nuk ka asnjë dyshim, kjo ikje e madhe e njerëzve, që filloi në fund të vitit 2015 (kur njerëzit humben shpresat për ndryshim ) dhe vazhdoi në vitin 2016 dhe po vazhdon edhe sot në fund të vitit 2017 pa trend për zvogëlim e ndalje, institucionet e shtetit, që e kanë përgjegjësinë e kësaj që po ndodh, ata e kanë edhe përgjegjësinë për ta ndërprerë ketë zbrazje të Kosovës së lirë nga qytetarët e saj.

Pse është kjo gjendje?

Kjo është pasojë e asaj se politikëbërësit e Kosovës që nga viti 1999 e deri në fund të vitit 2017 nuk kanë pasur ide se si qeveriset me pasuritë e vendit e as ne qytetarët e tij.

Natyrisht që për 7-8 vjet i ka ndihmuar edhe administrimi ndërkombëtar, i cili në çdo kohë, mbase edhe sot, kuadrot shqiptarë i ka shikuar dhe i shikon me mosbesim. Por, nuk ka dyshim, përgjegjësia kryesore edhe atëherë e edhe sot bie mbi politikëbërësit shqiptarë e sidomos që nga shkurti i vitit 2008.

Si të dalim nga kjo gjendje?

Dalje ka edhe nga gjendjet më të vështira, edhe ne si komb apo pjesë e tij kemi gjetur rrugë për të dalë nga robëria kur shumë njerëz tanë nuk kishin shumë shpresa, por te një grup vizionarësh kishte vullnet e guxim për t’i thënë robërisë mjaft më. Liria ishte qëllimi ynë, thanë ata. Ndonëse ishim të bindur se ajo kishte tagrin e saj sa të shtrenjtë aq edhe të kushtueshëm, por lavdia për liri atë çmim ka.

Ne edhe pak ditë po hyjmë në vitin e 19-të të lirisë e në vitin e dhjetë të Pavarësisë, realitetin duhet ta shohim drejt në sy, ashtu si është, se vetëm kështu e gjejmë rrugën që duhet të ecim. Në atë rrugë nuk mund të ecim me lajka e servilizëm e as me servilë, lajkatarë e kusarë, por me ide e konkurrencë mendimesh e idesh dhe me fuqinë e tyre të ndryshimit.

Njerëzit që kanë marrë përgjegjësi për të qeverisur me vendin duhet ta kanë një pasqyrë të qartë dhe ta dinë se si duhet ta drejtojnë vendin pas ikjes së madhe të vitit 2014-2015 dhe cilat janë statistikat e ikjes së qytetarëve nga Kosova.

Për qeveritarët dhe politikën tonë në përgjithësi lajmi se: “Vetëm nga janari deri në fund të nëntorit të vitit 2017 janë 31.300 kosovarë që kanë marrë ‘dritën jeshile’ për të punuar në Gjermani...” duhet të jetë kambanë alarmi që duhet dëgjuar me shumë vëmendje. Masat që duhet të merren duhen të jenë të shpejta, por çështja është, a kemi njerëz në institucionet e shtetit (të afruar nga partitë politike në dhjetë vjetët e fundit) që mund t’i afrojnë masat (projektin) e ndryshimit emergjent?

Përgjigjja është goxha skeptike. Njerëzit që kanë marrë përgjegjësinë për të qeverisur duhet ta dinë se vendi e kombi nuk qeverisen me premtime të fushatave zgjedhore edhe kur janë në qeverisje. Vendi ynë nuk e ka problem vetëm liberalizimin e vizave e demarkacionin. Problem kryesor e kemi zhvillimin ekonomik e punësimin, sundimin e rendit e të ligjit, arsim të planifikuar për zhvillim e punësim.

E këto gjëra nuk bëhen duke bërë veteranë për vota, siç ka bërë Komisioni Qeveritar viteve të shkuara. Apo universitete publike e biznesi pa asnjë planifikim, por duke krijuar vende pune që ofrojnë paga të dinjitetshme për të punësuarit në sektorin privat. Aty ku të punësuarit trajtohen si skllevër e mekanizmat e shtetit nuk i mbrojnë, Inspektorati i Punës duhet të ndryshojë në formë e në përmbajtje. Ai duhet ta mbrojë ekskluzivisht ligjin dhe punëtorin nga skllavopronarët modernë.

Shkurt e shqip, vendi qeveriset me vendime të drejta, me menaxhim ekonomik të parasë e të pasurisë publike, me njerëz që dinë dhe e duan vendin, që vendit t’ia japin zgjidhjen e duhur, në rastin tonë kërkohen zgjidhje të drejta edhe të shpejta.

Vendi nuk mund të qeveriset me kusarë e grabitës. Rinia perspektiven e saj duhet ta shohë e ta ketë në ketë tokë e në ketë shtet! Nuk guxojmë që ta lejojmë rrjedhjen (ikjen) e rinisë nga atdheu, që filloi në fund të vitit 2014 e në fillimvitin 2015, e cila vazhdoi edhe në vitet në vazhdim. Kjo rrjedhje (ikje) sa na varfëron ekonomikisht e politikisht, na rrezikon edhe në aspektin e sigurisë kombëtare. Kjo nuk guxon të ndodhë!

Le të shpresojmë e le të presim që Viti i Ri 2018 do ta nisë një fillim të ri! 

(Autori ka qenë kryetar i Parlamentit të Kosovës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK