Zërat
Memli Krasniqi
Memli
Krasniqi

Çka më tutje për sportin e Kosovës?

Zërat December 30, 2017 - 13:41

Tri javë më parë mora pjesë në forumin e shquar ndërkombëtar “Peace & Sport”, që në dhjetë vjetët e fundit mbahet në Monako nën patronatin e Princit Albert II të Monakos.

Këtë herë atje isha përfaqësues i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), tashmë të pranuar ndërkombëtarisht dhe i barabartë me Komitetet Olimpike Kombëtare të vendeve të tjera. Ishte një ndjenjë krejt tjetër nga viti 2013, kur si folës në panelin kryesor të edicionit të atij viti, si ministër i Sportit atëbotë kërkoja mbështetjen e vendimmarrësve të shumtë aty për ta njohur sportin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për t'u dhënë mundësi të barabarta sportisteve dhe sportistëve tanë, që ishin të diskriminuar për dekada me radhë.

Edhe më ndryshe ishte vizita ime e parë në këtë forum në fund të vitit 2011, kur për herë të parë u pata ballafaquar me realitetin e vështirë të arritjes së qëllimit tonë për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar.

Atëherë më pati tronditur indiferenca, injorimi dhe refuzimi aq i lehtë ndaj kërkesës sonë për barazi, që në esencë ishte një e drejtë njerëzore, nga e cila ishim të privuar padrejtësisht. Gjithsesi, kishte edhe raste kur gjenim mbështetës të kauzës sonë, por kalkulimet politike dhe personale zakonisht i tejkalonin bindjet parimore të shumicës së bashkëbiseduesve që kishim bashkë me presidentin e KOK-ut, Besim Hasani.

Përderisa në të kaluarën ne duhej t'i ndiqnim e të insistonim për biseda me zyrtarë të ndryshëm të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), të federatave sportive ndërkombëtare, të organizatave të ndryshme sportive, të medieve ndërkombëtare të sportit, të zyrtarëve sportivë të qeverive të ndryshme dhe shpeshherë vinim në situata jo të lehta të kundërshtimit apo të indiferencës së dhimbshme, këtë vit në “Peace & Sport” nuk e ndienim këtë presion. Përkundrazi, në çdo hap vërehej dashamirësia e pjesëmarrësve të tjerë, përgëzimet për sukseset e sportit kosovar dhe gatishmëria për bashkëpunim. Dy realitete krejtësisht të ndryshme për një kohë jo shumë të gjatë. Në shkuarjet tona të kaluara ne flisnim për Majlinda Kelmendin si shembullin më të dhimbshëm të pamundësimit të përfaqësimit meritor shtetëror në garat ndërkombëtare, duke u shpjeguar për sukseset dhe potencialet e saj. Tani shumica na flisnin neve për Majlindën, medalisten e parë olimpike të Kosovës, e cila vendit tonë ia dhuroi suksesin që s'e ka arritur asnjë shtet më parë: medaljen e artë olimpike që në pjesëmarrjen e parë në Olimpiadë.

Nuk kisha si të mos ndihem mirë nga ky ndryshim pozitiv. Në forume të tilla shpeshherë jemi ndier keq nga mosinteresimi që na shfaqej dhe shumë herë pranimi i plotë ndërkombëtar na është dukur tepër larg. Por, gjithë ai angazhim e para se gjithash përkushtimi i palëkundur i sportistëve tanë ishin elementët që arritën ta sjellin ndryshimin e qasjes ndaj kërkesave të Kosovës edhe në majat e vendimmarrjes. Sepse nuk mund të mbetej edhe më gjatë peng i favorizimeve politike fati i mijëra të rejave e të rinjve të shtetit më të ri në Evropë. Sot secili që ka kontribuar për vite me radhë, e disa edhe për dekada të tëra, duhet të ndihet krenar me sportistët tanë. Edhe kur prekin majat e suksesit, edhe kur nuk arrijnë rezultate të kënaqshme. 

Edhe kur ngrehin flamurin e Kosovës lart, duke pranuar medalje të arta në podiumet e triumfuesve, edhe kur eliminohen që në fillim apo nuk arrijnë të shënojnë pikë. Sepse, për kohë shumë të gjatë vetëm pjesëmarrja ka qenë ëndërr e parealizueshme. Ndërsa vetëm tre vjet pas pranimit nga KON-i ne ende jemi në hapat tanë të parë ndërkombëtarë, pavarësisht aq shumë sukseseve kulmore, para së gjithash në xhudo.

Sot ndërkombëtarizimi i sportit kosovar, që për aq shumë vjet ishte kryefjala e angazhimit për sportin, nuk është më në rend të ditës. Pavarësisht sfidave të herëpashershme të pjesëmarrjes në gara, që organizohen në ndonjë shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, sportistët tanë nuk janë të përjashtuar nga arenat sportive ndërkombëtare. Ata janë të barabartë në gara, por mund të mos jenë të barabartë në kushtet që duhet t'i ketë secili sportist për të arritur përgatitje maksimale. Dhe sfida jonë e përbashkët tani është përmirësimi i kushteve për sportistët tanë që nga infrastruktura sportive e deri tek stimulimi financiar dhe sigurimi shëndetësor i tyre.

Në vitin 2018 ne duhet përfundimisht ta fillojmë zbatimin ligjor të kategorizimit të sportistëve dhe të sporteve për ta pasur një qasje edhe më të drejtë në ndarjen e mjeteve financiare për të gjitha sportet dhe për të gjithë sportistët e kualifikuar. Bursat për shpresat olimpike duhet të shtohen në numër, sepse ato i ndihmojnë sportistët e rinj për të ëndërruar lirshëm për suksese ndërkombëtare, duke lehtësuar barrën financiare për familjet dhe klubet e tyre.

Komunat e Kosovës duhet t’i mbështesin financiarisht shumë më shumë klubet sportive të tyre, sepse ato janë bazamenti kryesor i sportit në një shtet. Për ketë iniciativa e KOK-ut duhet të vlerësohet dhe të mbështetet nga të gjithë kryetarët e komunave, ashtu siç është mbështetur nga grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa funksionalizimi i plotë i Ligjit për Sponsorizime duhet të ndodhë sa më parë, meqë lehtësimet tatimore për bizneset sponsoruese të sportit mund të jenë shtytësi më i madh për të rritur financimin e sportit përtej mbështetjes publike, që para së gjithash vjen nga Ministria e Sportit. Unë jam i inkurajuar edhe nga përkushtimi i ministrit Kujtim Gashi për t'i shtyrë përpara të gjitha këto iniciativa të vonuara në mandatin e kaluar.

Gjithsesi, një vëmendje të veçantë duhet ta ketë edhe infrastruktura sportive. Tani kur ndërtimi i Stadiumit Kombëtar më në fund po merr rrugën e realizimit, ne duhet të kemi projekte konkrete dhe të realizueshme edhe për objekte të tjera sportive, për të gjitha sportet që kanë potencial dhe për të cilat ka interesim. Në vend të një numri të madh të projekteve infrastrukturore me financim të mangët publik, duhet të ketë një qasje realiste për ndërtimin e shpejtë dhe cilësor të objekteve prioritare, duke fokusuar vëmendjen dhe buxhetin e disponueshëm në një numër më të vogël të projekteve, por që mund të përfundohen brenda afateve optimale.

Është shumë më mirë që të ndërtohen tri palestra sportive moderne brenda dy vjetëve dhe më pas të fillohet me tri të tjera sesa të nisen dhjetë e të mos finalizohet asnjëra as pas shtatë - tetë vjetëve. Kjo qasje duhet të ndryshojë, sepse deri më tash ka rezultuar e pasuksesshme.

Ta zëmë, kur kemi përzgjedhur projektin arkitektonik për ndërtimin e Pallatit Olimpik, gjatë verës së vitit 2014, kam qenë i bindur se deri më tash ai do të përfundohej. Për fat të keq ai ende as nuk ka nisur së ndërtuari. Njëjtë ka ndodhur edhe me Qendrën Kombëtare të Tenisit në Gjakovë, që është dashur te funksionalizohej më së voni në verën e vitit 2016 apo edhe me shumë stadiume ndihmëse të futbollit, që fatkeqësisht nuk kanë filluar kurrë. Nuk do të dëshiroja që fatin e njëjtë ta ketë edhe Qendra Kombëtare e Xhudos në Pejë, një projekt që do të duhej të përfundohej sa më parë.

Unë besoj se në vitet e fundit si qytetarë të Kosovës asgjë nuk na ka bërë të ndihemi më mirë sesa prezantimet dhe sukseset ndërkombëtare të sportistëve tanë. Prej ndeshjeve të përfaqësueses sonë në futboll e deri tek medalja e artë olimpike e Majlindës asgjë nuk ka arritur ta unifikojë më shumë popullin e Kosovës. Shteti ynë, që ende s'i ka mbushur dhjetë vjet, është lartësuar në botë më së shumti nga sportistët tanë. Tani është koha që kujdesi i shtetit për këta sportistë dhe për sportistët e së ardhmes të shtohet edhe më shumë, sepse përtej tifozerisë dhe duartrokitjeve tona, ata kanë nevojë për përkrahje konkrete, që fillon nga krijimi i kushteve optimale për t’i zbuluar talentet dhe për t’i kultivuar potencialet e tyre. Pa dyshim, përkujdesjen institucionale për ta sportistet e sportistët tanë do të na e kthejnë shumëfish, duke na dhuruar emocionet e veçanta të përfaqësimit dinjitoz të Republikës së Kosovës në botë.

(Autori është shef i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe ish-ministër i Sportit)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK