Zërat
Blerim Reka
Blerim
Reka

Ballkani në vitin 2018

Zërat December 30, 2017 - 13:08

Pas dekadës izolacioniste amerikane dhe dekadës së status quos anëtarësuese në BE; SHBA-ja kthehet në rajon, kurse BE-ja i kthehet zgjerimit në Ballkanin Perëndimor

Strategjia e re amerikane e sigurisë dhe strategjia e re e zgjerimit të BE-së adresojnë kundërvënien Perëndimore ndaj kërcënimeve Lindore

Një dekadë pas status quos euroatlantike në Ballkan duket se viti 2018 do të shënojë përfshirjen më të madhe të SHBA-së dhe të BE-së në rajon. Dy strategji afatgjate do të inaugurohen, duke rikthyer dy faktorët globalë në Ballkan.

Pas hezitimit të gjatë amerikan për t’u përfshirë më aktivisht në “zënkat ballkanike”, Uashigntoni inauguroi një strategji më proaktive drejt Evropës dhe Ballkanit - si pjesë e saj. Menjëherë pas Vitit të Ri edhe BE-ja do të shpalosë strategjinë e re të zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Trajektorja strategjike Perëndimore: B.B. (Baltik-Ballkan)

Dekada izolacioniste amerikane duket se do të përfundojë vitin që vjen dhe kjo shihet qartë nga dokumenti strategjik i Shtëpisë së Bardhë: “National Security Strategy”, i shpalosur me 18 dhjetor 2017.

Pas spekulimeve të fillimit të këtij viti se administrata e re amerikane do ta lërë vetë Evropën në përballjen me “kërcënimet Lindore”, fundi i këtij viti kumtoi mesazhin e qartë të kësaj administrate për partneritetin kyç strategjik euroamerikan dhe për rolin, siç thuhet aty, “vital” të Evropës në gjeopolitikën e Trumpit. 

“Një Evropë e lirë dhe e fortë është e rëndësisë vitale për SHBA-në”, thuhet në këtë dokument 68-faqësh, ku theksohet se “SHBA-ja dhe Evropa do të punojnë bashkë kundër subversionit dhe agresionit rus” dhe se “SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit” (Traktatit të NATO-s).

Muaj më herët vetë presidenti Trump, nga vizita e tij në Poloni, do ta shpaloste strategjinë e “tri deteve” (Baltik, Deti i Zi dhe Adriatik) që riktheu Ballkanin në trajektoren strategjike midis: Bullgarisë dhe Rumanisë (në lindje); dhe Shqipërisë e Malit të Zi (në perëndim). Me fjalë të tjera, kjo trajektore është në koordinatat e Kordiorit panevropian 8 (Durrës  - Varna); konkurrues ndaj korridorit 10 (Beograd - Selanik).

Jorastësisht po në atë kohë zëvendëspresidenti amerikan Pence, nga vizita e tij e parë në Ballkan (nga Podgorica), ringjalli “Kartën e Adriatikut 3”- tash në formatin e zgjeruar “Adriatic Charter: 5”, duke i dhënë mesazh të qartë Kremlinit se Ballkani nuk do të lihet vetëm.

Ky përkushtim i Perëndimit tashmë u dëshmua qartë pas tentim të pasuksesshëm për puçin shtetëror në Mal të Zi (2016) dhe përgjakjes së Kuvendit të Maqedonisë (2017). Dhe sidomos, pas forcimit të aktiviteteve johumanitare të bazës “humanitare” ruse në Nish, për çka ca qendra hulumtuese amerikane paralajmëruan se si kundërpërgjigje të Uashingtonit, në vitin 2018, “Bonstili” mund të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane. Dhe kjo në dhjetëvjetorin e Republikës së Kosovës.

Ballkani Adriatik vs. Ballkani Danubian

Hallka e vetme e munguar e këtij zinxhiri të sigurisë së krahut jugor të NATO - Maqedonia duket se në verën e vitit 2018 përfundimisht do bëhet anëtari i 30-të i Aleancës Veriatlantike; me çka vetëm Serbia me Republika Srpska do të mbeten ishuj të izoluar jashtë NATO-s.

Fundja ky rikonfigurim gjeopolitik nga viti që vjen do ta ndajë Ballkanin në dy hemisfera  gjeostrategjike në: Ballkanin Adriatik Properëndimor (Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë dhe Maqedoni); dhe Ballkanin Danubian Prorus (Serbi e Republika Srpska). Kjo tashmë u bë e qartë pas takimit të fundit të presidentit serb Vuçiq me atë rus Putin në Moskë në fund të dhjetorit. Të vetëdijshëm për riaktivizimin e diplomacisë amerikane në Ballkan, (e cila Vuçiqit në Beograd i tha hapur që të zgjedhë midis Rusisë dhe BE-së; Hojt Je); Rusia së voni paralajmëroi se edhe ajo do të mundë të kyçej - nëse këtë e bën SHBA-ja në dialogun Kosovë - Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kjo gjithsesi se do të problematizonte tërë procesin negociator të Brukselit sepse duke njohur qëndrimin mohues të Rusisë ndaj Republikës së Kosovës do ta shndërronte këtë dialog në reprizë të përplasjeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Vetë deklarata pohuese e Putinit ndaj kërkesës së tillë të Vuçiqit do ta mbante peng këtë dialog të Brukselit sepse, sipas tij: “Rusia do ta përkrahë çdo vendim të dakorduar dyanshëm që e arrijnë Prishtina dhe Beogradi, (pra vetëm me pëlqimin e Serbisë), duke u bazuar në dialogun e palëve dhe në pajtim me Rezolutën 1244/99” (edhe pse po kjo rezolutë është jashtë kohe sepse thirret ende në: “Kosovën si pjesë e RFJ-së”, ndonëse RFJ-ja si shtet nuk ekziston tash e dhjetë vjet qëkur Mali i Zi u nda, duke shpallur pavarësinë në vitin 2006).

Kështu, ngecja gjashtëvjeçare e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja do të mundë të vazhdonte në pafundësi.

Fundi i status quos së zgjerimit të BE-së në Ballkan

Duket se përfshirja proaktive amerikan do të mundë t’i jepte fund jo vetëm status quos dialoguese të Brukselit: Kosovë - Serbi; por edhe përgjithësisht status quos - tash e një dekadë - të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Ky angazhim i shtuar amerikan, për dhe rreth rajonit, duket se ndikoi edhe në ndryshimin e  kursit të gjertanishëm anemik të Brukselit ndaj tërë politikës së zgjerimit, pesëmbëdhjetë vjet nga Tubimi i Selanikut (2003) kur nga “Agjenda e Selanikut” vetëm Kroacia u anëtarësua në BE.

Lënia e mëtejme e rajonit si një “terra nullius”- jashtë orbitës euroatlantike do ta bënte atë “joshës” për lojtarë tjerë strategjikë lindorë, të cilët qoftë ushtarakisht (Rusia); kulturalisht (Turqia) apo ekonomikisht (Kina) mund ta mbushnin këtë vakuum jashtë orbitës perëndimore.

Andaj në maj të vitit 2018 Bullgaria si kryesuese e radhës së BE-së do të jetë nikoqire e samitit:  BE - Ballkan, ndërkaq Londra (edhe pse në procedurë të daljes nga BE-ja) mikpritëse e rundit të pestë të “Procesit të Berlinit”.

Mirëpo paraprakisht ngjarja kyçe që pritet se do të aktivizojë procesin e zgjerimit do të jetë prezantimi, në shkurt të viti që vjen, i “Strategjisë së Zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, me çka do të ndryshohet kursi i Brukselit nga ai i mëparshmi, zhgënjyes, i para dy vjetëve të kryetarit të KE-së Juncker, se deri 2020-2025-n nuk do të ketë anëtar të rinj të BE-së nga rajoni.

Fundja, kjo dëshmon se procesi i zgjerimit të BE-së ishte kryesisht gjeopolitik, i cili udhëhiqej nga prioritetet strategjike dhe jo aq nga normativa teknike. Vetëm kur Evropa e kuptoi se harresa e Ballkanit dhe lënia e këtij rajoni në një hapësirë të përshtatshme për kërcënimet Lindore, anëtarësimi i këtyre vendeve në BE u rikthye në agjendën zyrtare të Brukselit. 

Koincidentalisht, në njëqindvjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore dhe të Paqes së Versajës, (1918) mbase edhe si porosi për fillimin e një paqe ballkanike (2018).

Vetëkuptohet nëse ndërkohë vetë ballkanasit, siç dinë të jenë historikisht “të talentuar”, nuk shënojnë autogol me veprime të paparashikueshme dhe befasuese./ZËRI

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK