Zërat
Visar Ymeri
Visar
Ymeri

Viti 2018 të sjellë institucione të reja

Zërat December 29, 2017 - 12:46

100 ditë qeverisje. Pak më shumë. Dhe gjatë këtyre 100 ditëve, tashmë kemi dëme të pariparueshme. Ditë më parë, saktësisht më 20 dhjetor, Qeveria e Republikës së Kosovës nënshkroi marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kompaninë “Contour Global”.

Ky termocentral është koncesion i pasurisë publike/resurseve tona energjetike për 20 vjet prej atëherë kur ndërtohet. Gjatë kësaj kohe termocentrali do të shfrytëzojë thëngjillin e Kosovës për të prodhuar energji elektrike të cilën do ta konsumojmë ne si popull dhe ekonomi.

Por jo me çmimin aktual. Sipas parashikimeve të ekspertëve, çmimi i energjisë do të rritet për së paku 40% prej momentit kur të fillojmë të konsumojmë energjinë e prodhuar nga TEC “Kosova e Re”. Kjo, përveç tjerash, edhe për shkak të kostos së lartë të ndërtimit të TEC-it (mbi 1 miliard euro), si dhe për shkak të kthimit të lartë në investim për të cilin janë dakorduar me Qeverinë e Kosovës (21,5%).

Ky projekt shënjon saktësisht mënyrën se si është qeverisur tash e një kohë të gjatë e se si vazhdon të qeveriset Kosova tash. Secili përfitim privatizohet, secila humbje mbahet në pronësi publike. Kështu me TEC “Kosova e Re’ përfitimi që do të vijë nga prodhimi dhe nga shitja e energjisë elektrike do të faturohet në llogarinë e kompanisë që e ndërton atë, duke qenë se për 20 vjet koncesion ajo do të jetë titullari i vetëm i këtij TEC-i.

Madje, varësisht marrëveshjes, Kosova obligohet që ta blejë tërë kapacitetin e instaluar për prodhim të energjisë elektrike, edhe atëherë kur për të nuk ka nevojë (blerje kjo e cila do të ndërmjetësohet përmes KOST-it dhe të cilën do ta paguajmë në mënyrë indirekte përmes kompanisë publike).

Kështu privatizimit të distribuimit po i shtohet edhe privatizimi gradual i gjenerimit. Për të ardhur në pikën ku asetet kryesore të sistemit energjetik do t’i kemi nën pronësi private. Kështu ekonomia jonë po e humb mundësinë që energjinë elektrike, resurset për të cilën i kemi të bollshme, ta shfrytëzojmë si infrastrukturë ekonomike mbi të cilën ndërtojmë përparësi krahasuese, duke e trajtuar atë, përmes privatizimit, vetëm si mall tregu. Dhe atë shumë të shtrenjtë.

Për më tepër se kaq, kjo stihi privatizimi e simbolizon qartazi kahen në të cilën është futur për një kohë të gjatë Republika e Kosovës: atë të tërheqjes graduale nga përgjegjësitë karshi ekonomisë e qytetarëve.

Energjia elektrike është e lidhur ngushtë me sovranitetin e shtetit, zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve. Në të tria këto shteti heq dorë nga përgjegjësitë dhe obligimet përmes privatizimit të sistemit.

Ky proces e shënjon fatkeqësisht vitin 2017. Nuk ka në Kosovën e paspavarësisë një projekt më të dëmshëm sesa projekti i TEC “Kosova e Re”, në mënyrën se si është konceptuar. Por ky projekt e shënjon edhe qasjen e politikëbërjes në Republikën tonë që bartet nga njëra qeveri në tjetrën. Asnjëherë nuk ka pasur diskutim domethënës për këtë kontratë para se të nënshkruhej ajo.

Asnjë shpjegim e diskutim përmbajtjesor publik e institucional deri në momentin e nënshkrimit. Privatizimi i vendimmarrjes lidhet ngushtë me vendimet për privatizim. Kur synim është privatizimi, vendimmarrja gati se privatizohet.

E kështu shtet i privatizuar po bëhet kjo Republika jonë. Saktësisht me kundërshtim me emërtimin që e ka, e saktësisht në kundërshtim me rendin kushtetues që e mbart në vete. Dhe kjo shihet në secilin aspekt. Secila marrëveshje që ka implikime serioze në territorin tonë, sovranitetin tonë, financat tona publike, të ardhmen tonë, janë marrëveshje të cilat janë arritur pak a shumë përmes rrugëve të njëjta – bisedave konjukturale, larg syve të publikut, pa diskutim e pa miratim publik. Gati se privatisht. Por me reperkusione të mëdha dhe të rrezikshme për publikun.

Ky vit po kalon në shenjë të reprezaljeve të regjimit kundër lëvizjes “Vetëvendosje!” dhe përpjekjeve të saj. Lëvizja ka fituar sa i përket forcës së argumentimit, kurse krejt çfarë i ka mbetur pushtetit është argumenti i forcës, pra dhuna. Ky vit na e vërtetoi konkretisht se çlirimi i institucioneve nga kapja prej klanit “Pronto” është imperativ i kohës. Klani “Pronto” bashkë me Qeverinë aktuale ende nuk e kanë pranuar kërkesën e familjes Dehari për t’i zbardhur rrethanat e vdekjes së Astritit në paraburgim.

Për më tepër, Beqir Kalludra, një inkuizitor prej gjykatësi, ka dënuar pa asnjë provë aktivistët tanë me 21 vjet burgim. Ne kemi gjykata policore dhe polici gjyqësore. Në Kosovë një herë dënohesh, pastaj nën prezumimin e fajësisë fabrikohen provat për ta shpallur dënimin. Ky është tregimi, ky është modeli i tyre.

Deputetët po përndiqen sepse kryen detyrën e tyre deri në fund - mbrojtjen e sovranitetit të vendit e Kushtetutën e shtetit. Pushteti i supozon dhe i do ata vetëm simbolikisht, pa shënjuesin “popull” në veprim politik. Në fakt, nëse vërtet mund të përfaqësohet vullneti, atëherë këtë e kanë bërë deputetët tanë. Populli në rrugë kundër “Zajednicës” e Demarkacionit, deputetët me ta në rrugë e rrugën në institucione.

Viti 2017 ishte kulmim i një dinamike jashtëzakonisht të rëndësishme shoqërore. I përcjellë me protestat më të mëdha që kishin ndodhur në Kosovën e pasluftës të vitit 2015 dhe 2016, viti 2017 i pa qytetarët e Kosovës të zgjuar elektoralisht. Në dy procese zgjedhore qytetarët e Republikës kërkuan diçka tjetër prej asaj që ua kishin ofruar institucionet.

Kërkuan pjesëmarrje në vendimmarrje, kthimin e institucioneve shtetërore kah interesi publik. Në këtë vit lëvizja “Vetëvendosje!” u dyfishua në nivel qendror dhe në nivel lokal të qeverisjes. Kështu qytetarët e Kosovës treguan se ata shtetin e duan ndryshe. Se shoqërinë e duan ndryshe. Si kundërpërgjigje ndaj tendencave të privatizimit të shtetit (gjithnjë përmes kapjes dhe vendimeve jotransparente e për interesa partikulare në dëm të së mirës së përgjithshme) qytetarët e mbështetën një tjetër koncept politik.

Ata kërkuan një shoqëri të barabartë e solidare, me institucione të përgjegjshme politike e administrative, me prioritete të qarta zhvillimore, pa ndarje në vija etnike, gjithëpërfshirëse në vendime, kundër korrupsionit politik e financiar. Ata kërkuan Republikë. Në të cilën shtruar diskutojmë e bashkë vendosim se në çfarë shoqërie duam të jetojmë.

Cila është rruga më e sigurt e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social të vendit tonë? Çfarë marrëdhëniesh reciproke e të dinjitetshme duhet të ndërtojmë me fqinjët tanë? Cilat duhet të jenë prioritetet politike e ekonomike të Republikës sonë? Me një fjalë, cila është jetë e mirë e me dinjitet? Dhe si arrijmë deri te kjo?

Ky është diskutimi që duhet ta bëjmë. Vetëm përmes këtij diskutimi viti 2018 bëhet vit i ri. 2017-a na e solli një të re: ata që qeverisën keq u rrudhën e u zvogëluan.

Populli shprehu mospajtimin e tij masivisht. Ja që as këtë radhë institucionet qendrore nuk po duket se do të mësojnë nga ky pësim. Tash është radha që 2018-a të sjellë institucione të reja, që mendojnë e veprojnë ndryshe. Ashtu siç po kërkojnë qytetarët. Dhe vetëm sipas vullnetit të tyre. Dhe vetëm sipas interesit të tyre. (Autori është kryetar i lëvizjes “Vetëvendosje”) 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK