Zërat

Dennis E. Boyle & Blerina Jasari

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë po mbyllet, por tani po fillojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës

28 dhjetor 2017 • 15 : 34

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) më në fund do t’i mbyllë dyert e saj në fund të këtij muaji. Është themeluar në vitin 1993 dhe ishte ngarkuar me trajtimin e krimeve të luftës që ndodhën gjatë konflikteve në Ballkan në vitet 1990.

Që nga fillimi i saj Zyra e Prokurorit ka akuzuar 161 persona dhe 151 u përballen me gjyq. ICTY-ja dënoi 90 dhe liroi 19 persona - duke përfshirë kryeministrin aktual Ramush Haradinajn. ICTY-ja përfundoi punën e saj më 29 nëntor, kur mbështeti dënimin e Slobodan Praljakut, i cili piu helm gjatë seancës në gjykatë dhe vdiq po të njëjtën ditë - një fund i hidhur në gjykatë.

Në vitin 2016 Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u krijuan dhe u ngarkuan me kryerjen e gjyqeve për akuzat që rrjedhin nga raporti i Këshillit të Evropës 2011, në të cilin pretendohen shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Këto tribunale të përkohshme kanë një mandat dhe juridiksion specifik për krime të caktuara kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera në bazë të ligjit të Kosovës të cilat pretendohet se ndodhën midis viteve 1998 dhe 2000.

Gjyqet mund të pritet të jenë të gjata dhe të lodhshme dhe do të lënë pozitën e ardhshme të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare në harresë për disa kohë. Edhe pse ICTY-ja u ngarkua me një spektër më të gjerë të krimeve, sa i përket kornizës kohore dhe gjeografisë, ajo jep një tregues të kohëzgjatjes së procedurave që priten në Dhomat e Specializuara.

Një gjyq i shpejtë, siç garantohet në shumë vende perëndimore, nuk mund të pritet në arenën ndërkombëtare. Një shembull i fundit nga ICTY-ja është procedimi kundër Ratko Mlladiçit, e cila filloi në vitin 2012 dhe përfundoi në nëntor të këtij viti me një dënim për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në aktgjykimin e saj të apelit në rastin e Mugenzit dhe Mugiranezas, Gjykata Ndërkombëtare Penale në mënyrë specifike deklaroi se "mes një gjyqi të shpejtë dhe një gjykimi të barabartë përparësi duhet t'i jepet këtij të fundit". Ne kemi vërejtur një qasje të ngjashme praktike nga ICTY-ja dhe ka të ngjarë që kjo të dëshmohet përsëri në procedurat para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Një nga çështjet përse shpejtësia e gjykimeve është penguar, është logjistika. Gjuha e punës është gjuha angleze dhe procedurat zhvillohen nga gjykatësit, prokurorët dhe avokatët mbrojtës ndërkombëtarë, derisa dëshmitarët, për pjesën më të madhe, flasin vetëm gjuhën e tyre amtare.

Ndërsa shpallja e aktakuzave nga Zyra e Prokurorisë Speciale pritej në mes të vitit 2017. Tani jemi në dhjetor dhe fillimi i procesit nuk ka filluar ende. Informatat nga Haga dhe Prishtina mbahen shumë konfidenciale, por aktakuzat do të duhej të bëhen publike së shpejti. Ky hap, megjithatë, do të jetë thjesht fillimi i një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar.

(Autorët janë avokatë në Whiteford Taylor Preston LLP, në Uashington, D.C, të  specializuar në “White Collar & International Criminal Defense”). 

© zëri.info