Zërat
Esad Ejupi
Esad
Ejupi

Më shumë integritet do të thotë më pak korrupsion

Zërat December 08, 2017 - 14:27

Fillimisht duhet thënë se integriteti nuk është koncept i lehtë për t’u përkufizuar. Termi "Integritet" është kompleks dhe shumëdimensional. Integriteti është diçka për të cilën një person nga njëra anë është vetë përgjegjës e nga ana tjetër integriteti i tij varet edhe nga sjellja e të tjerëve ndaj tij. Me një fjalë integriteti është themel i çdo sistemi të mirëqeverisjes.

Në sferat edukative dhe të trajnimeve të administratës Integriteti (angl.: Integrity) përkufizohet edhe si: cilësia apo gjendja për të qenit me parime morale si: drejtësia, ndershmëria dhe sinqeriteti; dëshira për të bërë gjënë e duhur; dhe për të deklaruar e përjetuar disa vlera dhe pritje e dëshiruar për rezultatet e tyre.

Integriteti është i lidhur ngushtë me etikën, të drejtën universale dhe moralin. Një person me integritet jeton në njohuritë që shprehin bindjet e tij personale, standardet dhe vlerat e sjelljes së tij. Integriteti personal është identifikuar si një besnikëri ndaj vetvetes. Ndryshe, njeri pa integritet, ose me integritet të prishur, do të thotë një person i cili mund të sillet jo nga vlerat dhe parimet e tij, por nga kërcënimet dhe/ose joshjet apo edhe nga ndikimet e jashtme e të brendshme.

Nuk ka ndonjë përkufizim standard për integritetin. Ajo që mund të themi këtu në formë të përkufizimit për integritetin është se: “Integriteti është përputhshmëri e vlerave personale (sistemit të vlerave personale) me mendimet dhe veprimet personale”.

Integriteti nënkupton harmonizimin dhe respektimin e vazhdueshëm të vlerave etike, parimeve dhe normave të përbashkëta që mbështesin dhe përcaktojnë prioritetin e interesit publik mbi interesin privat.

Shpeshherë integriteti nuk kuptohet mirë ose keqkuptohet. Ka shumë prej atyre që thonë se po deshe të ndërtosh karrierë, po deshe të kesh një biznes të suksesshëm duhet që të sakrifikosh diçka nga integriteti personal. Por, kështu nuk mendojnë ekspertët e kësaj fushe. Sipas gjermanit Holger Eckstein, integriteti është pika kryesore me të cilën identifikohet çdo person.

Integriteti është e vërteta. Integriteti është ndershmëria. Integriteti është forca që keni për të punuar në një situatë, edhe nëse ajo është e pakëndshme, për të përfaqësuar dhe vendosmëria për të treguar të vërtetën në të cilën duhet t’i besohet, pavarësisht në atë që më pas mund të vijnë reagimet e të tjerëve.

Integriteti është diçka shumë e brishtë. Pasi që njeriu humb integritetin personal, është shumë e vështirë për ta rikthyer atë, nëse përgjithësisht ai mund të kthehet. Humbja e integritetit fillon me plasaritje të vogla të personalitetit. Ndërsa restaurimi eventual i integritetit fillon me pendim të sinqertë.

Çështja “Integriteti” është temë që ka zënë vend të veçantë në reformën e administratës publike në vendin tonë sikurse edhe në strategjitë kundër korrupsionit. Tashmë planifikimi i integritetit është detyrë e të gjitha institucioneve lokale e qendrore. Këtë e mbështesin shumë organizma ndërkombëtare,  në radhë të parë UNDP-ja, e cila përmes udhëzuesve të ndryshëm mbështet futjen e planifikimit të integritetit në institucionet publike në Kosovë.

Përmes një plani të detajuar të integritetit bëhet vlerësimi i individëve, institucioneve e madje edhe vetë shtetit. Kjo ndodh veçanërisht në sektorin publik në të cilin implementimi i masave adekuate kundër korrupsion është duke u bërë kriter për efikasitet, transparencë, efiçiencë dhe llogaridhënie.

Termi “Integriteti” ndryshe kuptohet edhe me fjalët “Ndershmëri” ose “pa kurruptueshmëri”, ose si diçka që pasqyron dikën që është “i panjollosur”, “i paprekur”, apo konsistent ndaj të keqes. Integriteti definohet edhe si “grumbull i vlerave”. Kemi dëgjuar shprehjet e mundshme si “njeri me integritet”, “njeri me vlera”. Ose në rastet me të këqija edhe të kundërtën!

Cenimi apo shkelja e integritetit të individit apo  institucionit/organizatës i humb imazhin atij apo asaj. Natyrisht se shkeljet e integritetit përfshijnë ndër të tjera edhe konfliktin e interesit. Ndërsa nuk mbesin jashtë as funksionet ose aktivitete e papajtueshme e deri te korrupsioni.

Një plan i integritetit duhet të kuptohet si mjet parandalues strategjik kundër korrupsionit. Sepse me të fuqizohet integriteti i institucionit, duke përfshirë këtu integritetin individual, profesionalizimin, etikën, si dhe zbatimin e vlerave morale dhe standardeve profesionale. 

Plani i integritetit si dokument me natyrë ligjore, duhet të përmbajë rregulla të qarta mbi shpërdorimin e detyrës, konfliktin e interesave dhe rastet potenciale të diskriminimit për çdo pozicion drejtuesi në institucionin përkatës; detyrimin për hetime mbi rrezikun që mund të paraqesë dëmtimi i integritetit nga pozicione delikate administrative. Dokumenti me plan të integritetit duhet të ketë qëllim kryesor parandalimin e veprimeve korruptive ose evitimin e rreziqeve që cenojnë integritetin e institucionit. Ato veprime joetike të zyrtarëve të lartë dhe në përgjithësi të nëpunësve civilë duhet të bëhen sa më të vështira për t’u realizuar ose thjesht përmes identifikimit të rreziqeve, ato, me masa të ndryshme, të parandalohen që në burim.

Pra, ndër parimet themelore të sjelljes në institucione publike, bashkë me besueshmërinë, transparencën, objektivitetin, heshtjen dhe bashkëpunimin është edhe integriteti.

 

Mendime të shkurtra për integritetin:

 

“Integriteti është faktori kryesor i suksesit të qëndrueshëm”. (Esad Ejupi)

“Integriteti nuk ka nevojë për rregulla”. (Albert Camy)

“Nuk mund të këtë shoqëri pa besim, sikur edhe besim pa integritet”. (Samuel Johnson)

“Integriteti pa dituri është i pavlefshëm, ndërsa dituria pa integritet është e rrezikshme dhe e tmerrshme”. (Samuel Johnson)

“Integriteti është shumë i brishtë. Pasi ju ta keni humbur atë, vështirë është për ta rikthyer përsëri”.

“Humbja e integritetit fillon me plasaritje të vogla”.

“Restaurimi i integritetit fillon me pendimin e thellë”.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK