Zërat

Papandreu dhe shqiptarët

Zërat November 09, 2017 - 11:42

A është Papandreu antishqiptar?

Në përpjekje për të zbutur efektin e përmendjes së Marrëveshjes së Detit nga Rama, Berisha luajti me efektin surprizë të publikimit të një videoje ku Rama flet greqisht për Papandreun.

Nuk është sekret se Papandreu ka qenë mik i Ramës. Por a ka qenë antishqiptar?

Lexoni këtë koment të 2009 nga Mentor Nazarko, botuar në shtypi e kohës…

Papandreu dhe shqiptarët

Ndryshimi aktual i shumicës qeverisëse  në Greqi përfaqëson me siguri një ngjarje të rëndësishme jo thjesht për grekët, por dhe për shqiptarët si komb. Janë disa elementë që duhen të mbahen parasysh për të kuptuar se çfarë kursi do të marrin marrëdhëniet shqiptaro-greke me ardhjen e Papandreut në krye të qeverisë greke dhe me afirmimin eventual të një dysheje socialiste në krye të presidencës dhe qeverisë helene-Papandreut dhe Papuliasit.

Trashëgimia socialiste para Papandreut

Kanë qenë të majtët grekë që kanë realizuar praktikisht të gjithë hapat më të rëndësishme pozitive në marrëdhëniet midis dy vendeve në 35 vjetët e fundit, ndoshta dhe si pasojë e trashëgimisë pozitive të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe grekëve gjatë Luftës civile greke kur komunistët shqiptarë ndihmuan të majtët grekë, jo thjesht me armë, por me strehim dhe veshmbathje. Ishte Papandreu i vjetër që shënoi shkrirjen e marrëdhënieve nëpërmjet deklarimit politik për heqjen e gjendjes të luftës, megjithëse ai deklarim nuk u pasua nga abrogimi edhe de jure i Ligjit të luftës midis dy vendeve. Ishin vizitat e ministrit plotësues të punëve të jashtme të viteve 80, Karolos Papulias për të cilin flitet se ka origjinë shqiptare, apo të zyrtarëve të tjerë që shkrinë akujt midis dy vendeve pavarësisht regjimit të ndryshëm politik.

Ishin të majtët me në krye Simitis-in që çuan në nënshkrimin e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve në 1996, njëlloj traktati paqeje i vonuar 50 vjet, që shënonte veç të tjerash për herë të parë “njohjen e integritetit territorial të të dy vendeve”. Pra Greqia nëpërmjet një akti ndërkombëtar njihte kufijtë e Shqipërisë, gjë që kishte refuzuar me forcë ta bënte që prej Konferencës së paqes në Paris në 1946, pavarësisht se nuk ka edhe sot një marrëveshje ad hoc për kufijtë midis dy vendeve.

Nën udhëheqjen të majtëve të Simitisit, Greqia arriti një ekspansion të madh ekonomik në të gjithë rajonin, në veçanti në Shqipëri. Simitis, një nacionalist modern shënoi një udhëheqje të stilit të ri në krye të shtetit grek sipas të cilës megalidhea nuk synohej të realizohej me priftërinj dhe pretendime historike, por me investime, banka dhe para greke. Simitis-i e çoi Greqinë në nivele të reja të larta të reputacionit ndërkombëtar, por dhe të zhvillimit ekonomik. Simitis ishte një udhëheqës jo populist që mbeti njëri nga figurat më të respektuara politike greke jashtë vendit, aq sa konsiderohej dhe si kandidat serioz për të qenë President i Komisionit Europian.

Qeveria e Simitis-it në bashkëpunim me partnerët amerikanë dhe anglezë goditi celulat e armatosura anarkiste antiperëndimore, ndaj të cilave nuk ishte bërë asgjë deri më atëherë. Me Simitis-in në krye dhe Papandreun si ministër i jashtëm, Greqia u hap ndaj të gjithë vendeve me të cilat kishte probleme, ku duhet veçuar Turqia. Socialistët ulën tensionin me Turqinë dhe privilegjuan në marrëdhëniet me rajonin konceptin e ekspansionit ekonomik, të shënuar nëpërmjet të ashtuquajturit Plan grek për rindërtimin e Ballkanit. Në një shikimin sintetik, mund të thuhet se ndryshe nga të djathtët e Micotaqisit dhe të Karamanlisit që privilegjuan një axhendë historike (kërkesa për varrezat greke, për Kishën ortodokse autoqefale, tutelë të fortë ndaj minoritetit), e majta greke punoi në marrëdhëniet me Shqipërinë në bazë të një axhende ekonomike agresive.

Gjatë qeverisjes socialiste, kapitali grek i garantuar nga institucionet shtetërore shtiu në dorë telefoninë celulare, një pjesë të tregut bankar, të naftës, të çimentos,etj, në Shqipëri, por dhe në Maqedoni, Bullgari, Rumani, etj. Madje Simitis-i siç bënin të ditur vetë mediat greke në vitin 2002, kishte një plan për zgjidhjen e problemeve të pasurive shqiptare në Greqi, plan që mbeti pa u realizuar për shkak të luhatjeve dhe heqjes nga axhenda të këtij plani prej zbythjes së turpshme të politikës shqiptare.

Po Papandreu?

Janë të Papandreut, bir i një nëne amerikane dhe plakut harvardian, të vetmit autor grek të referueshëm në manualet ekonomike botërore, lëvizjet më të rëndësishme modernizuese të mentalitetit kombëtar grek, që prekin dhe shqiptarët. Papandreu, pasuesi i denjë i Simitis-it, denoncoi i pari racizmin e shoqërisë greke, duke ndërrmarrë hapa shtensionues ndaj minoritetit turk të Trakës dhe në përgjithësi bashkësisë myslimane të Greqisë. Papandreu ndërrmori hapa konkretë afrimi me Turqinë me homologun e tij turk Ismail Xhem dhe biznesi i të dy vendeve ishte motori kryesor i këtij afrimi.

Papandreu është në politikën e jashtme përkrahës i idesë për pavarësimin e Kosovës që në kohëra më të hershme. Në drejtimin e socialistëve, Greqia jo vetëm lejoi kalimin e trupave apo avionëve të NATO-s që bombardonin Serbinë, por dhe mori në konsideratë rekomandimet e institucioneve studimore të politikës që jashtme që kërkonin ndryshim drastik të aleancave greke në Ballkan.

“Në kushtet kur SHBA po merr krahun e shqiptarëve dhe Kosova do të bëhet e pavarur, kur faktori shqiptar do të forcohet shumë, ne nuk mund të bëhemi armiq me këtë faktor në emër të miqësisë me serbët”, rekomandonin këto institute në vitin 1999, pikërisht kur në pushtet ishin socialistët me Papandreun ministër i jashtëm. Duket se ky rekomandim do të përbëjë boshtin e politikës së jashtme të qeverisë Papandreu ndaj shqiptarëve, bosht nga i cili u shmang qeveria Karamanlis. Edhe gjatë fushatës Papandreu e përsëriti angazhimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës brenda 2011, megjithëse të lidhur me progresin në çështjen qipriote dhe integrimin e Serbisë në rajon.

Papandreu është i pari që premtoi ndryshimin historik të konceptit grek mbi helenizmin si bazën juridike të së drejtës së shtetësisë. Siç e afirmoi dhe në Shqipëri gjatë fushatës zgjedhore kur ai u shfaq në krah të Edi Ramës, fëmijët e emigrantëve që lindin në Greqi duhet të marrin automatikisht shtetësinë greke, sipas parimit jus solis, në vend apo krahas parimit të gjakut konsoliduar në të drejtën greke, jus sanguinis. Sigurisht mbrapa kësaj lëvizjeje ka dhe përllogaritje elektorale.

E majta dhe e djathta greke në kohëra normale, pra jo krize si kjo ku gjendet Greqia sot, janë thuajse në ekuilibër të plotë zgjedhësish, dhe emigrantët përfitues të shtetësisë do të ndryshonin balancën në favor të së majtës. Por ndryshimi i propozuar është me të vërtetë i jashtëzakonshëmëzakoza sa kohë që Greqia ka këmbëngulur historikisht t’i jepte shtetësinë greke vetëm atyre që kishin kombësinë greke, pra gjak grek. Papandreu ka premtuar dhe zgjidhjen e problemit të pensioneve të shqiptarëve, legalizimin e emigrantëve, etj, etj, hapa që e veçojnë atë në raport me rivalët e tij, aleatë të Berishës.

Me ardhjen e Papandreut në krye të qeverisë greke ka më shumë gjasa të kemi një faqe të re në marrëdhëniet greko-shqiptare, pavarësisht marrëdhënieve të vështira personale që duhet të ketë midis kryeministrit Berisha dhe kreut të ri të ekzekutivit grek Papandreu, zyrtari më i lartë europian që bëri fushatë në krah të Edi Ramës. Duket se ndryshe nga përfaqësuesit e diasporës grekoamerikane që përfaqsojnë linjën e ashpër të nacionalizmit grek, Papandreu i rritur me nënë amerikane dhe shkollim harvardian si i ati, përfaqëson një mendje të hapur për dialog dhe diskutim me fqinjët. Nëse në krye të shtetit konfirmohet sërish Papulias, një precedent në institucionet greke kur presidenti dhe kryeministri i takojnë të majtës, shtohen shanset që edhe probleme të prapambetura historike në marrëdhëniet midis dy vendeve të diskutohen mbi një bazë të re. Në një takim të viteve të para të tranzicionit, duke ju referuar problemit çam, Papulias asokohe ministër i jashtëm i thoshte homologut Serreqi, se “këto janë probleme që duhen ballafaquar mbas 20 vjetësh, pasi sot ka ende plagë të hapura në shoqërinë greke.”

E pra sot kanë kaluar gati 20 vjet dhe këto çështje si ajo e çamëve, e pronave të shqiptarëve duhen diskutuar. Edhe shqiptarët nuk janë më ata të vitit 1991: janë anëtarë të NATO-s dhe nuk kanë nevojë për ndihmat humanitare të fqinjëve si 20 vjet më parë. Sigurisht s’duhet të kemi shumë iluzione për ndryshime drastike, sakohë që në një vend serioz si Greqia ka institucione që mbikqyrin dhe orientojnë politikën e jashtme, apo gjenden ndjeshmërira shoqërore, apo fetare që nuk pranojnë lëvizje të forta. Edhe Papandreu nuk është filoshqiptar, por thjesht një nacionalist grek që kupton pragmatizmin dhe realpolitikën dhe bash për këtë arsye përfaqëson një bashkëbisedues të vështirë. Ama diçka duhet të tentohet në kushtet e reja dhe ardhja e Papandreut të lë të shpresosh.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK