Zërat
Bardh Frangu
Bardh
Frangu

Dekorimi që irriton

Zërat November 08, 2017 - 12:41

Ardhja e kryeparlamentarit shqiptar Gramoz Ruçi dhe dekorimi i tij nga ana e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashm Thaçi, si dhe pritja e përzemërt edhe nga personalitetet tjera më të larta, përbën një ngjarje politike, e cila nuk bën të kalojë kështu në heshtje.

Sigurisht që popujt e robëruar për shumë shekuj, si ky yni, historia e të cilëve është përshkuar me prerje të vrazhda kulturore, madje deri në tjetërsim identiteti, mbesin të etur për ndërtimin e heronjve me çdo kusht dhe me çfarëdo mjeti. Duke u mbështetur në këtë, edhe francezi Lamartin kishte vërejtur se ne shqiptarët sa i çmojmë patriotët, po aq i çmojmë edhe tradhtarët! Mbase as sot e kësaj dite nuk kemi arritur të bëjmë një ndarje të tillë.

Ky mbase është një fenomen që ndërlidhet me sistemin e vlerave, sepse as pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën në shoqërinë shqiptare nuk u aplikua i ashtuquajturi lustrim i figurave politike, nëpërmjet të cilit në një mënyrë do të “ndëshkoheshin” xhelatët dhe në mënyrën tjetër do të rehabilitoheshin viktimat e tyre. Në një proces të tillë pa dyshim se do të shmangej nga jeta politike edhe kryeparlamentari shqiptar Gramoz Ruçi, i cili ishte ministri i fundit i Punëve të Brendshme gjatë kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Ruçin e rëndojnë akuzat për ngjarjet e prillit të vitit 1991 në Shkodër, ku u vranë disa të rinj demonstrues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë që kërkonin demokraci për Shqipërinë.

Që të sqarohemi më mirë, shkaku i mundësisë së keqkuptimeve, ardhja e tij në Kosovë do të duhej të ishte një vizitë fare normale. Ruçi është një person politik i zgjedhur me votën e popullit, njësoj siç është zgjedhur në postin e të parit të Kuvendit shqiptar me votën e të deleguarve të popullit, pavarësisht reagimeve jo të vogla të atyre që kundërshtuan këtë. Si i tillë Ruçi është një person legal dhe në asnjë mënyrë nuk mund ta shpallim persona non grata. Ai ka mundur të vijë në Kosovë dhe të takohet me kryeparlamentarin e Republikës sonë, homologun e tij Kadri Veselin, por jo edhe të pritet nga përfaqësuesit më të lartë dhe madje nga presidenti të dekorohet me medaljen për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Dekorimi i Ruçit është një akt i cili dëshmon se në shoqërinë shqiptare në përgjithësi vazhdojmë të mos kemi respekt për viktimat. Kjo mbase është një dëshmi se padrejtësia vazhdon të mbizotërojë drejtësinë. Për fat të keq kjo reflekton edhe në organizimin e jetës sonë në përgjithësi. Ndryshe, po të kishim liderë të përgjegjshëm, do të kishin marrë në konsideratë fatin e viktimave që ndërlidhen me emrin e Ruçit dhe do të ishin shumë më të përmbajtur, madje do të ishin mjaftueshëm të përmbajtur sa të mos merrnin veprime të tilla kaq irrituese.        

Të thuash se dekorimi i tij me urdhër të tillë është një refleksion nostalgjie për kohën e diktaturës, nuk duket shumë bindës, përkundër që jo edhe përjashtues. Mbase dekorimi i Ruçit thjesht mund të ndërlidhet me mungesën e vizitave të personaliteteve të larta shtetërore, të cilat ka kohë e kanë braktisur Kosovën, këtë moçal brenda të cilit kundërmon një erë e politikës provinciale.

Sido që të jetë dekorimi i kryeparlamentarit të Shqipërisë dhe pritja që iu bë atij ishte një akt i pashije, që si i tillë nuk ka mundur të mos i irritojë të gjithë ata që brenda drejtësisë shohin kuptimin e lirisë.  

 

 

 

 

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK