Zërat

Jo vetëm arsimtari fajtor

Zërat November 06, 2017 - 20:18

Disiplina është segmenti kryesor që e bën shkollën kuptimplote me të gjitha atributet, siç i ka hije,  një institucioni edukativo arsimor. Ajo nënkupton respektimin dhe realizimin e të gjitha punëve, detyrave të punës dhe obligimeve të arsimtarit, të nxënësit, prindit dhe të gjithë të tjerëve të implikuar në procesin dhe rreth procesit edukativo arsimor, të parapara me ligj dhe akte nënligjore.

Për fat të keq pjesa më e madhe e tyre nuk janë të gatshme ta bëjnë këtë e që për pasojë kanë mos disiplinën, sukses të dobët dhe gjendjen tejet të rëndë dhe të pa sigurt në shkolla. Për këtë fajësohet, gjithnjë arsimtari dhe nxënësi. Me të drejtë fajësohen se edhe e kanë barrën kryesore për gjendjen në shkolla. Kur thuhet barrën kryesore mbetet për të kuptuar se edhe të tjerët kanë hise në këtë faj.

Thuhet e shkruhet, gati  për çdo ditë, se nxënësi i shkollës, psh, “Sami  Frashëri” bëri këtë apo atë. Thuhet edhe për nxënësit e shkollave tjera dhe gjithnjë nxënësi apo arsimtari. Kështu topi hedhet dhe mbetet në oborr të shkollës. Nga një herë, sipas rastit, duhet të thuhet se filan fëmija i biri i filanit, me emër e mbiemër të prindit, e bëri këtë apo atë. Të hedhet topi edhe në oborr të prindit.

Të bëhet e duhet të bëhet prindi fajtor sepse edhe është bashkëfajtor me arsimtarin dhe faktorët tjerë relevant. Shpeshherë më fajtor është prindi se arsimtari dhe fëmija respektivisht nxënësi. Prindit i garantohet e drejta për shkollimin e fëmijës pa pagesë, bile edhe librat ua paguan shteti andaj do të ishte jashtë mendje të mos ketë edhe ai obligime ndaj shkollës.

Prindi është fajtor, gjithsesi, që nuk e përcjell fëmijën kur niset për në shkollë, gjatë qëndrimit të tij në shkollë, por edhe kur kthehet nga shkolla. Ndoshta nuk ka nevojë të përcillet përherë por edhe të mos përcillet asnjëherë nuk ka kuptim.

Prindi është fajtor nëse fëmija shkon në shkollë i armatosur, konsumon duhan, alkool apo drogë, rrugës duke shkuar në shkollë apo duke u kthyer në shtëpi. Fëmijën nuk mund ta fajësosh kur prindi ia lë armën në dispozicion e vet shkon në punë.

Ka pasur raste, kur fëmija pasi është rritur, e ka fajësuar prindin pse e ka lejuar të bëhet i tillë çfarë nuk duhet të ishte. Kjo më shumë bëhet nga pakujdesia dhe asgjëja. Prindi ka faj pse nuk bashkëpunon mjaftueshëm me njerëzit që duhet bashkëpunuar në shkollë. Pse duhet pritur kur do ta ftojnë në takim  apo edhe më keq ftohet nga kujdestari apo drejtori dhe nuk i përgjigjet ftesës.

Shumë të bëra të pakëndshme mund të tejkalohen kur bisedohet  shkoqitur me kujdestarin e klasës në  vetmi apo në mbledhje në prani të të gjithë prindërve. Shumë vendime e qëndrime të dobishme mund nxirren për nxënësin në Këshillat e Prindërve. Me vullnet të mirë të prindërve por edhe të fëmijëve respektivisht nxënësve mund të rregullohen shumë gjëra por më e sigurt do të ishte ndryshe. Ndryshe do të thotë, të gjitha këto të sanksionohen me ligj apo akte tjera nënligjore.

Të drejtat e nxënësit  janë të padiskutueshme. Janë të garantuara me ligj e me konventa ndërkombëtare por krahas të drejtave duhet përcaktuar  edhe obligimet e përgjegjësitë e nxënësit ndaj shkollës. Prej ditës kur nxënësi regjistrohet në shkollë ai krijon obligim ndaj shkollës. Prandaj për mos realizimin e obligimeve të përcaktuara edhe ai duhet të përgjigjet dhe të ndërmerren masa, varësisht prej moshës dhe veprës së tyre. Prindi me të regjistruar fëmijën e vet në shkollë, krijon obligim ndaj shkollës gjithashtu.

Obligimet dhe përgjegjësitë e prindit ndaj shkollës duhet të përkufizohen me ligj dhe akte tjera nënligjore. Nëse nxënësi, bie fjala, shkakton dëme materiale në shkollë, shkakton konflikte me shokë, arsimtarë etj, ose kryen edhe vepra të rënda siç po ndodhin, prindi nuk do të duhej të bënte sehire nga largësia. Nuk është qëllimi të dënohet prindi por të aktivizohet dhe të jetë më i përgatitur në evitimin e veprave jo të mira të fëmijës së vet respektivisht nxënësit në shkollë.

Në këtë mënyrë çfarë është sot, organizimi i mësimit dhe i punës së gjithmbarshme në shkollë dhe me këtë infrastrukturë ligjore zor se mund ta ndryshojmë gjendjen në të mirë. Nëse organet shtetërore të arsimit dhe të financave nuk investojnë mund e mjete, ndryshim të gjendjes nuk do të ketë. Mjetet për arsim janë paksa të dhimbshme për organet shtetërore. Së paku kështu deri më sot janë treguar.

Zaten kjo edhe e ka sjellë  gjendjen në të cilën gjenden shkollat sot. Në mungesë të mjeteve shkollat tona nuk kanë administratë apo staf profesional siç i kishim ne dikur, që sot nuk e kemi. Sipas volumit të obligimeve, peshës së përgjegjësive dhe autorizimeve apo kompetencave, barra bie mbi organet shtetërore  dhe topi mbete në oborr të tyre. Për tu shfajësuar respektivisht për ta rregulluar situatën në shkolla, MASHT-i duhet të ndërmarrë këto veprime konkrete:

Të formohet administrata, si në perëndim me numër të mjaftueshëm psikologësh, pedagogësh, sociologësh dhe zyrtarë për dokumentacion shkollor, analiza dhe statistika. Ose, përkohësisht të lejojë  nga një orë kujdestarie në javë për çdo klasë; me kusht, të jetë e përfshirë në orar mësimor dhe me plan-program të veçantë. Pastaj të pranoj psikologë e pedagogë, varësisht nga numri i nxënësve në shkollë.

Kujdestari i klasës do të mësojë nga vet nxënësit për gjendjen ekonomike, sociale, shëndetësore, të tyre. Pastaj raportet e nxënësve në mes veti, raportet në relacionin nxënës-arsimtarë dhe me të tjerët. Me të veçantat e nxënësve të njoftohet pedagogu, psikologu, Këshilli i Klasave, Këshillit i Arsimtarëve dhe prindërit.

Kështu krijohet një mekanizëm shumë i sigurt, stabil dhe funksional i cili do të krijojë mundësi të mëdha për ndryshimin e sjelljeve të nxënësve dhe ngritjen e cilësisë në mësime. Nuk ka asnjë vend i cili pretendon të ketë shkollë cilësore pa administratë apo staf profesional. Për këto ndryshime le të mendojnë seriozisht organet shtetërore, nëse ia donë të mirën këtij vendi.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK