Zërat
Enver Hasani
Enver
Hasani

Dialogu Serbi – Kosovë, dialog kuadër apo me kulm?!

Zërat October 25, 2017 - 13:55

Skicë bazike e marrëdhënieve të komplikuara Serbi – Kosovë

Marrëdhëniet Kosovë – Serbi janë marrëdhëniet më të komplikuara në Evropën bashkëkohore. Ka shumë arsye që mund të jepen për një situatë të tillë, mirëpo dy janë më kryesoret dhe që në shikim të parë mund ta shpjegojnë këtë konstatim apodiktik. Arsyeja e parë është miti për Kosovën, i cili në Serbi është mit-realitet në sensin që veprimi politik serb i kohës moderne ka qenë në tërësi i definuar nga ky mit. Nuk ka luftë që serbët kanë zhvilluar në rajon dhe që miti për Kosovën të mos ketë qenë motiv udhëheqës. U mor vesh, serbët i kanë bërë luftërat me aleatë dhe, atëherë kur kanë qenë në anën e fituesit, kanë fituar edhe ata. I vetmi rast kur serbët kanë luftuar vetëm, lufta me bullgarët (1885), kanë humbur. Njëjtë vlen edhe për shqiptarët, me një dallim që asnjëherë nuk janë ballafaquar vetëm për vetëm as me serbët dhe as me popujt e tjerë përreth. Asnjë rëndësi këtu nuk ka nëse miti serb për Kosovën bazohet në fakte reale apo të imagjinuara. Në fakt vetë esenca e mitit është imagjinarja, surrealja, ajo që ekziston në mënyrë krejtësisht dubioze. Me rëndësi është që, në emër të këtij miti, janë vrarë njerëzit, janë djegur shtëpitë, kanë ndodhur dëbimet masive të njerëzve dhe, për fat të keq, është kryer një gjenocid serb në këto hapësira, i pari i njohur ndërkombëtarisht që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore.

Arsyeja e dytë, e cila shpjegon komplikimin e marrëdhënieve shqiptaro – serbe, është faktori mendor, që paraqitet si pjesë përbërëse e ideologjisë nacionale serbe dhe që lidhet ngushtë me rolin dhe me rëndësinë e Kishës Ortodokse Serbe në krijimin dhe në çimentimin e asaj që Latinka Peroviç e ka cilësuar si mentalitet imperial serb. Ky institucion përgjatë historisë ka qenë rezervuari kryesor që ka derdhur prore ide e mendime me të cilat serbët kanë arsyetuar dhe kanë ngushëlluar vetveten si për fitoret, ashtu dhe për humbjet e pësuara në Kosovë dhe rreth Kosovës. Ky faktor, së bashku me mitin që ka prodhuar, përbëjnë variablën e pandryshueshme, faktorin e lejueshëm, nëpërmjet së cilës shpjegohet sjellja serbe gjatë kohës së Millosheviqit dhe pas tij, në kohën e sundimit komunist dhe para tij, në luftërat ballkanike dhe para tyre dhe, në fund, nëpërmjet saj shpjegohet edhe lojaliteti serb ndaj Perandorisë Osmane, lojalitet ky që, megjithatë, nuk ka qenë i njëjtë me atë të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë të asaj perandorie: ndërkohë që shqiptarët kishin shërbyer sikur kozakët e kësaj perandorie, ashtu si kishin shërbyer armenët dhe hebrenjtë si truri i pasurimit të saj. Krejt kjo ka ndodhur me serbët falë rolit dhe ndikimit të Kishës Ortodokse, nëpërmjet së cilës është arritur ruajtja dhe regjenerimi i institucioneve tradicionale të së drejtës zakonore serbe, si dhe përdorimi i të njëjtave doke në funksion të rikrijimit të identitetit nacional serb gjatë shekullit XIX. 

Këta dy parametra themelorë, si më sipër, janë reflektuar në secilën fazë të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, çdoherë me një metamorfozë të caktuar si pasojë e presionit dhe ndikimit nga jashtë. Me fjalë të tjera, parametrat si më sipër kanë qenë çdoherë të ndikuar në fizionominë e tyre nga gjendja e marrëdhënieve ndërkombëtare e secilës kohë: në luftërat ballkanike, nacionalizmi serb, i mbështetur fuqishëm nga evropianët që kishin nevojë për dëbim total të çdo mbeturine otomane në Ballkan, lëshoi rrufeshëm tërë fuqinë e vet mbi popujt myslimanë të këtij rajoni. Njësoj ndodhi pak a shumë edhe në mbarim të Luftës së Parë Botërore: serbët u ngjitën luginës së lumit Ibër për ta rimarrë Kosovën, jo pse kishin bërë luftë në terren, por sepse kishin gëzuar statusin e aleatëve fitues, ani se mbreti dhe ushtria e tyre e vetme ndër sllavët e Jugut tërë kohën kishin qenë në ishullin Korfuz. Pas kësaj lufte, megjithatë, serbët bënë një gabim të madh, që vetë Nikola Pashiqi e kishte shënuar me kohë: në vend se të krijonin një Serbi të Madhe të përbërë më shumicë serbe, insistuan në krijimin e një shteti ideal, Jugosllavisë, ku gjysma e saj kishte një kulturë civile, socio-politike dhe ushtarake shumë më të avancuar se sunduesit e rinj në Beograd. Kjo përbënte një barrë të madhe të cilën serbët me kalimin e kohës nuk do të mundë ta përballonin: ndryshimi i marrëdhënieve ndërkombëtare në prag të Luftës së Dytë Botërore ua la serbëve në derë faturën e hegjemonëve rajonalë dhe të dhunuesve të vullnetit të të tjerëve, çmim që do ta paguajë shtrenjtë popullsia serbe lokale gjatë tërë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Në pjesën jugore të atij shteti dhuna ndaj serbëve lokalë ishte më e shthurur si pasojë e nivelit të ulët kulturor të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë, të cilët i shihnin serbët si dhunues të vullnetit dhe të të drejtave të tyre: analfabetizmi i shqiptarëve, i boshnjakëve dhe i maqedonasve bënte që të mos ekzistojë asnjëherë një politikë shtetërore e centralizuar për shfarosjen e serbëve, përkatësisht që dhuna e ushtruar ndaj serbëve lokalë të përbëjë një politikë individuale dhe hakmarrje fisnore që nuk mund të projektohej asnjëherë deri në shkallën e shfarosjes së tyre, që nuk ishte rasti me veriun e ish-Jugosllavisë.

Mbarimi i ish-Jugosllavisë dhe ndërtimi i komunizmit në Ballkan pashmangshëm u reflektua edhe në marrëdhëniet Serbi – Kosovë. Në fakt, në tërë kohën sa zgjati komunizmi Kosova ka pasur një rol fare të papërfillshëm në marrëdhëniet reciproke, me përjashtim të kohës së viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore e deri më prishjen e Titos me Stalinin: në këtë kohë Stalini, në pajtim me ideologjinë hegjemoniste globale të shtetit të tij, synonte futjen nën kontroll të tërësishëm të Ballkanit nëpërmjet aranzhmaneve politike rajonale. Në këtë fazë Kosova dhe raporti Serbi – Kosovë ngelet tërësisht i papërfillshëm. Edhe pas prishjes me Stalinin, Kosova ruajti këtë trend: nuk pati ndonjë ndikim substancial në politikën e përgjithshme jugosllave. Dhuna ndaj shqiptarëve, e ushtruar nga lideri komunist serb A. Rankoviq, ishte një orgji momentale që ky e shfrytëzoi për të arritur një qëllim të kufizuar nacional serb, por që u bë me bekimin e establishmentit ish-jugosllav të kohës. Si e tillë politika rankoviqiane ka qenë pjesë përbërëse e politikës së jashtme jugosllave, e cila modelohej sipas recetave të ish-BRSS-së: në parim, popujt josllavë çdo kund nën sundimin komunist duheshin margjinalizuar në çdo mënyrë sepse konsideroheshin si të papajtueshëm më ideologjinë komuniste dhe me shpërndarjen e saj.

Millosheviqi, ringjallja e nacionalizmit serb në një kontekst krejtësisht tjetër

Ndërkohë që komunizmi po jepte shenjat e vetërrënimit, në Beograd nisi një lëvizje e shfrenuar nacionaliste. Kjo udhëhiqej nga ish-lideri serb S. Millosheviq, të cilin gabimisht elita serbe e kishte ngritur me shpresë se do t’ia kryente “punët e ndyra”, në mënyrë që më pastaj ata të dilnin në syprinë për të udhëhequr me një Serbi tjetër, të integruar dhe të konsoliduar në çdo aspekt. Ky idealizëm i kushtoi shumë shoqërisë serbe: humbjen e të gjitha luftërave dhe territoreve që, së paku në njëqind vjetët e fundit, kishin qenë të banuara me shumicë serbe, pa llogaritur këtu faktin se serbët lokalë në këto territore kishin qenë mjaft mirë të etabluar në jetën sociale-politike dhe kulturore. Kjo humbje e madhe serbe ndodhi jo pse serbët dhe Millosheviqi nuk kishin forcë për të projektuar: pikërisht e kundërta, serbët dhe Millosheviqi humbën, në mënyrë paradoksale, sepse kishin më shumë forcë se të tjerët, por që ky projektim i kësaj force u bë në një ambient krejt tjetër ndërkombëtar, i disfavorshëm për serbët dhe për projektin nacional tanimë të vjetruar. Pas Luftës së Ftohtë i tërë rajoni i Ballkanit po ridefinohej në mënyrë që të reflektonte raportin etnik të forcave në rajon, duke mos lejuar asnjërin prej popujve të Ballkanit që të posedonte forcë fizike superiore në krahasim me të tjerët. Më nuk kishte mysliman për të dëbuar në emër të pastërtisë së Kontinentit të Vjetër: në fakt, krejt e kundërta, Evropa dhe Perëndimi i pasmbarimit të komunizmit u vu në anën e ruajtjes së substancës së popujve me kulturë fetare myslimane. Vetëm kjo qasje dhe ky rikrijim i këtij balansi të ri të moderuar përbënin garancinë e sigurisë së paqes në rajon dhe më gjerë: fundja, kjo nuk ishte provuar dhe se çdoherë kur Ballkani ka pasur shpërputhje në raportin e forcave që mund të projektoheshin në nivel rajonal, ai ka prodhuar dhunë dhe tragjedi njerëzore. 

Fuqia e gravitetit në Ballkan: NATO-ja dhe Perëndimi

Ndër vërejtjet kryesore që i janë bërë regjimit të Millosheviqit ka qenë orientimi i tij joperëndimor. Kjo nuk do të thotë se ai ishte prorus në mënyrë të sinqertë, si mund të mendohet: Millosheviqi kishte përdorur Rusinë dhe rusët si një gogol kundër amerikanëve dhe kundër Perëndimit. Këtë, në një mënyrë, e dëshmon edhe Riçard Hollbruk, arkitekti i Marrëveshjes së Dejtonit në memoaret e veta, kur tregon se Millosheviqi ia kishte përqeshur rusët, nga të cilët, sipas tij, serbët mund të përfitonin vetëm hekurina dhe asgjë më shumë. Në këtë drejtim Vuçiqi nuk dallon shumë nga Millosheviqi: lënia e bazave ushtarake ruse në Serbi, në një zonë të afërt me interesat e sigurisë së NATO-s, nuk përbën asgjë tjetër veçse një gogol për të treguar se Serbia akoma mund të prodhojë telashe të përmasave të mëdha nëse ngelet e pakënaqur në fund të stabilizimit të rrethanave në Ballkan. Kjo, megjithatë, nuk është kështu dhe, në këtë drejtim, Vuçiqi dhe serbët e kanë shumë gabim. E kanë gabim edhe nëse mendojnë se në sytë dhe mendjen e serbit të zakonshëm këto baza shihen si një shpëtim dhe perspektivë. Kjo sepse vështirë mund të besohet që serbët apo dikush tjetër në rajon të ketë perspektivë tjetër jashtë asaj euroatlantike.

I vetmi aspekt për të cilin Vuçiqi mund të ketë të drejtë është se Kosova përbën një çështje të sigurisë në rajon, mirëpo është pak e besueshme që Vuçiqi lejon bazat ruse për shkak të frikës së tij nga Kosova. Kjo tezë vlen për kosovarët dhe për prezencën e NATO-s në Kosovë: kjo prani përbën një ombrellë të sigurisë që ka mundësuar dhe që mundëson zhvillimin normal të shoqërisë kosovare dhe të vendeve të tjera përreth. Pa këtë rikthimi i kaosit dhe i dhunës ballkanike do të ishte eminent. Mirëpo, kjo është vetëm siguri e fortë dhe asgjë tjetër: për një zhvillim të gjithanshëm të Kosovës dhe të vendeve të tjera përreth nuk mjafton vetëm prezenca ushtarake e perëndimorëve, por duhet një vullnet tjetër i konsoliduar dhe i bazuar në marrëveshje civile reciproke, në rend të parë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me qëllim të përcaktimit të vendit dhe të pozitës së secilit në Ballkan. Për të arritur këtë qëllim të fundit vite më parë nisi një dialog ndërmjet dy vendeve, në një klimë mosbesimi dhe mosdurimi të ndërsjellë që nuk dallon shumë nga ai i para njëqind vjetëve të shkuara. 

Marrëveshja kuadër vs Marrëveshja kulm

Kjo klimë, e zhvilluar në një hapësirë me një siguri të madhe ushtarake, nuk ka mundur të prodhojë veçse dialog shterpë dhe marrëveshje të përgjithshme bazë, me dispozita juridike të natyrës dubioze dhe me efekt të veprimit ekskluzivisht horizontal. Disa faktorë kanë ndikuar në këtë natyrë të këtyre marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në rend të parë Beogradi e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë, diçka që përbën pengesë serioze sepse marrëveshjet që synoheshin nuk i shkonin natyrës së paralajmëruar të dialogut. Kjo premisë, në fakt, nuk ka mundur të jetë ndryshe, nisur nga gjendja politike në Serbi në atë kohë: çdo rrugë tjetër do të përbënte vetëvrasje politike për atë që do të provonte një dialog substancial dhe me efekte vertikale të detyrueshme për të gjitha kohërat dhe për të gjithë njerëzit u mor vesh për aq sa zgjat ky lloj i marrëdhënieve ndërkombëtare ku Perëndimi paraqitet si ligjvënësi kryesor në përmasa globale. Kjo, megjithatë, nuk është arsye e vetme që dialogu i deritanishëm ka prodhuar marrëveshje nebuloze dhe shterpë, me efekt krejt të lirë në planin horizontal, diçka që është në shpërputhje me energjinë dhe me mundin e dhënë gjatë këtyre viteve të dialogut intensiv. Kjo është kështu në veçanti sa i përket energjisë dhe mundit të evropianëve në këtë dialog, një investim si duket jo edhe aq i ndritshëm për historinë evropiane në lëmin e politikës së jashtme. Ka disa arsye pse kjo është kështu dhe pse ka ndodhur kështu: disa syresh janë të brendshme e tjerat të jashtme.

Në arsyet e brendshme bëjnë pjesë dinamikat politike që janë zhvilluar në Serbi dhe në Kosovë në kohën e dialogimit të deritanishëm: ata që kanë dialoguar për Serbinë dhe në emër të Serbisë kanë shkuar duke e konsoliduar dhe duke e rritur legjitimitetin e tyre, ndërkohë që në Kosovë ka ndodhur e kundërta. Vuçiqi dhe establishmenti i tij në mënyrë graduale e kanë përgatitur shoqërinë serbe për atë që mund të vijë nëse serbët duan Evropën dhe prosperitetin perëndimor. Për të arritur këtë ai ka hapur një dialog të brendshëm, ka nxitur investime të mëdha, ka lejuar tolerancë të mendimit politik, vetëm e vetëm për të konsoliduar pozitën e tij në funksion të dhënies kolektive të fjalës përfundimtare rreth Kosovës. Ai e ka ditur saktësisht se dialogu që po vazhdonte në Bruksel nuk do të prodhojë diçka substanciale dhe se përbënte vetëm një uverturë për dhënien e fjalës përfundimtare. Kjo nuk është kështu me Kosovën: Hashim Thaçi tërë legjitimitetin që ka pasur e ka humbur në dialogun me Serbinë, jo vetëm pse ka nënshkruar gjërat pa i lexuar, duke i besuar ndërmjetësve ndërkombëtarë, por sepse ka legjitimuar si dialogues njerëz krejt pa ndikim, të paautoritet në shoqërinë kosovare dhe më gjerë deri në absurd. Ndërkohë që ka ardhur koha për implementim të marrëveshjeve të arritura, Hashim Thaçi ka kuptuar se legjitimiteti fillestar ishte shpenzuar, duke provuar t’u dëshmojë kosovarëve se në dialogun e Brukselit ai dhe ekipi i tij do të dalin fitues. Marrëveshja për Asociacionin, ndër të tjera, demantonte në tërësi atë që thuhej në publik nga ana e dialoguesve kosovarë. Kjo gjendje e brendshme në Kosovë, pra e deligjitimimit të Hashmi Thaçit dhe të dialoguesve kosovarë, akoma nuk ka ndryshuar. Në fakt kjo gjendje është bërë edhe më e keqe: nga rasti i dështimit të demarkacionit me malazezët, edhe ata pak njerëz që kanë pasur njëlloj legjitimiteti politik, e kanë humbur atë në tërësi dhe vështirë që ka një interlokutor kosovar për dialog serioz me serbët. E, siç dihet, për të qenë një dialog i suksesshëm duhet që palët të kenë forcë dhe legjitimitet politik për t’i vënë në jetë zotimet e firmosura. Në Serbi kjo është ndryshe: A. Vuçiqi ka konsoliduar pozitën e tij legjitimuese duke e shoqërorizuar dialogun me Kosovën dhe për Kosovën në të gjitha poret e shoqërisë serbe. Edhe bazat ushtarake ruse, në sytë e serbëve të thjeshtë, shërbejnë si një lloj garancie dhe si një lloj shprese se Serbia nuk është vetëm. 

Faktori i jashtëm ka të bëjë me perceptimin e Evropës dhe të idesë së saj në Kosovë e në Serbi respektivisht. Ndërkohë që, në Serbi, apeli evropian ka një tërheqje dhe gravitet politik shumë të madh, kjo nuk vlen për Kosovën. Në Serbi kjo është e kuptueshme meqë, efektivisht, kanë qenë evropianët ata që kanë mbështetur serbët në procesin e krijimit dhe të konsolidimit të shtetësisë së tyre, duke mbajtur anën e rusëve, mbrojtësve historikë të Serbisë përgjatë tërë shekujve deri në prishjen e komunizmit. Në Kosovë historiografia shqiptare ka krijuar një mit të rrejshëm për Evropën si tradhtare dhe e pabesë ndaj shqiptarëve. Ky diskurs ka lindur si pasojë e paaftësisë së historiografëve shqiptarë për të shpjeguar në mënyrë shkencore dinamikat ndërkombëtare në kohë dhe në hapësirë, si dhe nevojën e komunistëve shqiptarë për të rilegjitimuar vetveten nëpërmjet krijimit të një armiku të ri dhe permanent – Evropës dhe politikës së saj ndaj Ballkanit. Kjo rrethanë objektive e ka bërë dhe e bën të paefektshëm dialogun me Serbinë në këtë format aktual. Ky format duhet të ndryshojë rrënjësisht dhe të adresojë dy shtyllat e sipërcekura mbi të cilat qëndron dobësia e tij: dinamikat e brendshme në Kosovë dhe perceptimi i garantuesit ndërkombëtar për identitetin shtetëror të Kosovës. Ndërkohë që dinamikat e brendshme mund të rregullohen vetëm nëpërmjet një pakti të ri politik brenda kosovarëve, meqë sistemi zgjedhor në Kosovë është i dizajnuar për të demokratizuar shoqërinë kosovare, jo për ta unifikuar atë. Ky pakt i ri i rilegjitimimit duhet dhe mund të arrihet vetëm ndërmjet të gjitha forcave politike dhe civile kosovare. Nuk ka rrugë tjetër. 

Sa u përket dinamikave të jashtme, për shkak të stabilitetit rajonal dhe të qëndrueshmërisë së çdo aranzhmani që mund të arrihet, evropianët dhe palët duhet t’i lusin amerikanët që të jenë partnerë dhe forcë garantuese në dialog, sepse ndryshe vështirë se mund të bëhet diçka e prekshme. Pse evropianët dhe palët në dialog duhet t’i lusin amerikanët? Janë dy arsye: e para, sepse amerikanët kanë aq shumë telashe aktualisht sa që marrja me Kosovën do të kishte kuptim vetëm nëse palët dhe evropianët tregojnë një seriozitet të duhur se ajo që do të arrihet, do të implementohet; dhe, e dyta, historia e Evropës së shekullit të fundit ka treguar se luftërat kanë nisur këtu, në Evropë dhe nga evropianët, mirëpo çdo herë janë përfunduar nga amerikanët. Kjo sepse, fare thjesht, aktualisht janë të vetmit që kanë forcë që mund ta projektojnë kudo dhe kurdo, mirëpo gjithnjë me supozimin se ky projektim ka një qëllim të qartë politik. Ai qëllim, edhe këtë radhë, ngel i njëjtë: arritja dhe konsolidimi i vullnetshëm i paqes në rajon. 

Vetëm kështu mund të arrihet një marrëveshje vertikale, marrëveshje kulm, ku palët dhe ndërmjetësit, Evropa dhe Amerika, Serbia dhe Kosova, do t’i përcaktonin në mënyrë të qartë dhe të saktë të drejtat dhe detyrimet reciproke, njëherë e mirë dhe përgjithmonë. Marrëveshjet e deridjeshme, horizontale për nga efekti, mund të quhen të mira vetëm për studiuesit e ndryshëm, por jo edhe nga qytetari i zakonshëm dhe nga dy vendet dialoguese që mëtojnë të përfitojnë recioprokisht nga dialogu.

(Autori është profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK