Zërat
Jim O’Brien
Jim
O’Brien

LDK-ja larg PDK-së, afër pushtetit

Zërat October 24, 2017 - 13:48

Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) së Isa Mustafës me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për nivel qendror i arritur në fund të vitit 2014 vetëm sa nuk ia dha “goditjen e fundit” partisë më të vjetër në Kosovë, të cilën e themeloi dekada më parë ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Pas gati tre vjet bashkëqeverisjeje me PDK-në, që udhëhiqet nga ish-shefi i SHIK-ut Kadri Veseli, LDK-ja në zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti pësoi debaklin më të madh zgjedhor në historinë e saj, duke u renditur si partia e tretë në vend, pas partisë opozitare lëvizjes “Vetëvendosje” dhe partnerit të saj në koalicion (PDK-së).

Në fakt ngritja politike e Mustafës nisi në vitin 2007 kur kandidoi për herë të parë për kryetar të Prishtinës dhe ishte rezultat i retorikës së ashpër të tij ndaj PDK-së dhe ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), me të cilët disa vite më pas do të bashkëqeveriste.
Një koalicion i tillë mes dy aleatëve të panatyrshëm dhe opozita e fuqishme që zhvillohej në Parlamentin e Kosovës, në krye me “Vetëvendosjen”, e dërgoi LDK-në në pozicionin e merituar - në opozitë.

***

Epitetin e humbësit të zgjedhjeve LDK-ja arriti ta rikuperojë shumë shpejt nga gara e fundit elektorale, përkatësisht nga 11 qershori i këtij viti. Kjo për shkak të refuzimit të një koalicioni të sërishëm për nivel qendror me partnerët e koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma), të cilët gati tre muaj pas zgjedhjeve nuk arrinin ta formonin Qeverinë pa i siguruar edhe votat e AKR-së së Behgjet Pacollit.

Me një veprim të tillë LDK-ja filloi ta bindë elektoratin e vet se nuk do t’i përsërisë gabimet e së kaluarës, përkatësisht nuk do të bashkëqeverisë me PDK-në, subjekt politik i cili për vite me radhë ka qenë sinonim i keqqeverisjes në vend.

Largimi nga PDK-ja dhe përzgjedhja e disa kandidatëve më popullorë në nivelin lokal, derisa lëvizja “Vetëvendosje” si rivali kryesor bëri gabime të rënda me caktimin e kandidatëve për të garuar në disa komuna, nxori LDK-në si partinë më të madhe në vend, e cila mori mbi 210 mijë vota të qytetarëve dhe fitoi katër komuna pa balotazh.

Njëkohësisht ky subjekt politik në garë të balotazhit është edhe në nëntë komuna të tjera, duke përfshirë edhe Prishtinën, ku gjasat nuk i ka të vogla për ta rikthyer kryeqytetin.

***

Nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit lëvizja “Vetëvendosje” doli e dërrmuar në raport me zgjedhjet parlamentare të këtij viti, ndonëse në krahasim me zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013 ka shënuar rritje të votës.

Për më pak se katër muaj, nga zgjedhjet e fundit qendrore te këto lokale, lëvizja “Vetëvendosje” humbi mbi 60 mijë vota duke i rrezikuar kështu edhe dhjetëra mijëra vota që i kishte fituar më shumë se rivalët e vet politikë në Anamoravë, në Mitrovicë, etj.

“Vetëvendosja” në Ferizaj nuk arriti të hyjë as në balotazh më kandidatin Faton Topalli, njëjtë siç dështoi edhe në Viti me Sali Salihun. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Ferizaj kjo parti kishte fituar 35% të votave, ku kandidati i saj të dielën ka fituar 21,9% të votave, përderisa Muharrem Sfarqa i LDK-së ka fituar 30,72 për qind të votave dhe Agim Aliu i PDK-së 38,56%.

Edhe në Viti në zgjedhjet e fundit parlamentare lëvizja “Vetëvendosje” ishte partia e parë me 37,2 për qind të votave, derisa më 22 tetor kandidati i LDK-së Sokol Haliti ka fituar në rrethin e parë të zgjedhjeve. Në Gjilan “Vetëvendosja” po ashtu ishte partia e parë në qershor me 42,3 për qind të votave, përderisa kandidati i saj për kryetar të Komunës Sami Kurteshi ka arritur të hyjë në balotazh, ndonëse rezultati me kundërshtarin e tij Lutfi Haziri është rreth 16% në favor të këtij të fundit. Vetëm në Kamenicë “Vetëvendosja” si duket ia ka qëlluar me kandidatin për kryetar, ku Qëndron Kastrati ka fituar 33,33% të votave, përderisa Shaip Surdulli i LDK-së 28,8 për qind.

Moskandidimi i figurave të reja politike, njëjtë si Qëndron Kastrati në Kamenicë, por përzgjedhja e disa kandidatëve të konsumuar si Faton Topalli, Sami Kurteshi, por edhe eksperimenti me Fehmi Feratin në Mitrovicë e rrëzoi “Vetëvendosjen” në nivel vendi, të cilin momentum e shfrytëzoi pa dyshim më së miri LDK-ja e Isa Mustafës.

Normalisht se jo pak ndikim pozitiv për LDK-në pati edhe distancimi nga PDK-ja, rezultat i të cilave manovrime politike i është ofruar edhe më afër pushtetit lokal.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK