Zërat

Mungesa e programeve jashtëshkollore - peng i zhvillimit të nxënësve

Zërat October 24, 2017 - 12:50

Shumica e nxënësve/nxënëseve në shoqërinë tonë janë të ndikuar nga zona në të cilën ata jetojnë. Programet jashtëshkollore janë më shumë së vetëm rrjeta të sigurisë, ato nxisin zhvillim pozitiv për t’i arritur qëllimet e nxënësve për shkollë dhe më gjerë.

Po ashtu ato mund edhe të ndryshojnë mënyrën e sjelljeve të adoleshentëve duke i mbajtur ata/ato larg problemeve. Njëkohësisht u jep mundësi nxënësve ta zbulojnë talentin e tyre duke iu ekspozuar fushave të ndryshme qoftë nga arti, letërsia apo shkenca, që është në mungesë tek ne.

Nga aspekti psikologjik nxënësve/nxënëseve u ndihmon shumë që të dalin nga zonat e tyre të rehatisë dhe të provojnë eksperienca të reja, të takojnë njerëz të rinj dhe përgjithësisht ta sfidojnë veten në situata të ndryshme.

Aftësitë që fitohen janë shumë të dobishme në fazën e ardhshme të jetës kur fëmijët tani të rritur do të jenë pjesë e fuqisë punëtore apo në tregun e punës. Fatkeqësisht mungesa e programeve jashtëshkollore si në zonat rurale, po ashtu edhe në ato urbane krijon një probabilitet shumë më të madh që fëmijët të mos zhvillojnë të gjithë potencialin e tyre. Kjo rezulton se shumica e nxënësve janë në shkollë vetëm rreth 20 deri 25 orë në javë.

Është shumë e rëndësishme që në zonat rurale ku mundësia e marrjes pjesë në programe tjera është e ulët, duhet t’u mundësohen më shumë aktivitete në kuadër të shkollës.

Programet e sotme jashtëshkollore nuk janë vetëm që nxënësit/nxënëset të kenë një vend të zhvillimit. Ato po ashtu janë një kombinim perfekt ndërmjet arsimit dhe zhvillimit të nxënësve duke krijuar ambient ku nxënësit/nxënëset dëshirojnë të jenë pjesë dhe ku mësimi kreativ është normë.

Mësuesit/mësueset apo edukatorët/edukatoret e këtyre shkollave duhet të planifikojnë me kujdes mënyrën se si ata/ato mbajnë orën, në mënyrë që ajo të jetë interesante dhe kreative që fëmijët të jenë gjithmonë të motivuar të marrin pjesë.

Arsimi në vend nuk është edhe aq për t’u admiruar dhe nuk po mund të arrijë që t’i përgatitë nxënësit për sukses dhe punë. Programet jashtëshkollore japin mundësinë që me ndihmën e mësuesve të specializuar për një fushë të caktuar t’u ofrojnë aktivitete/programe që nuk gjenden në programin e shkollës apo programe shtesë, mirëpo që asnjëherë të mos jenë të përsëritshme apo të mërzitshme.

Për dallim nga mësimi tradicional te programet jashtëshkollore është e domosdoshme që mësimi të bëhet në mënyrë individuale ose në grupe të vogla për t’u fokusuar te sfidat e tyre.

Po ashtu ideja që t'u japësh nxënësve sa më shumë detyra shtëpie nuk i bënë ata që të jenë më të suksesshëm në shkollë apo më produktivë. Përkundrazi, ekziston rreziku që ato mund të kenë një efekt të kundërt sepse ata që nuk janë intensivisht të fokusuar mund t’i shpjerë deri te humbja e interesimit.

Hulumtime të shumta kanë treguar që baza për motivimin e nxënësve është interesimi dhe kureshtja. Sa më shumë që një nxënës/nxënëse shpreh interesim dhe kuriozitet për një subjekt të caktuar aq më shumë ai/ajo mund të përqendrohet dhe të angazhohet.

Sipas një studimi dyvjeçar, të realizuar nga Universiteti i Kalifornisë – Irvine, ku morën pjesë rreth tre mijë fëmijë nga gjashtë qytete të ndryshme, rezultoi që fëmijët që kishin përcjellë programe jashtëshkollore kishin zakone më të mira të punës, rezultate më të mira në shkollë, rritje të vetëbesimit (self-esteem), si dhe aftësi më të mira për zgjidhjen e problemeve.

Gjithashtu nxënësit/nxënëset që kishin përkrahje dhe raporte të mira ndërpersonale në shkollë, si dhe në programet jashtëshkollore rezultonin që të ishin më të suksesshëm në shkollë, si dhe dëshira për të mësuar ishte edhe më e lart. Kjo do të thotë që nxënësit/nxënëset në mjedisin arsimor ku ata ndërveprojnë në mes vete duhet që të kujdesen për njëri-tjetrin sa më shumë.

Në këtë mënyrë ata/ato mund t’i shprehin më lehtë idetë e tyre, si dhe të eksplorojnë dhe të mësojnë më mirë. Pra e mira e këtyre programeve është që nxënësit/nxënëset do të jenë në duar të sigurta pasi që duke marrë parasysh kohën shumë të lirë të cilën ata e kanë.

Shumica e nxënësve nga pamundësia e angazhimeve përfundojnë në duar jo të sigurta duke filluar prej përdorimit të drogave të ndryshme e deri te dogmat religjioze që po ndodh tani.

Përfundimisht, nëse dëshirojmë që të jemi një shoqëri më produktive atëherë duhet që të investojmë sa më shumë në programe arsimore, pasi që sa më i edukuar një nxënës/nxënëse të jetë, aq më shumë ka gjasa që ai ose ajo të jetë pjesë produktive e shoqërisë.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK