Zërat

Zgjedhjet lokale në Maqedoni, një psherëtimë lehtësimi për shumë arsye

Zërat October 19, 2017 - 11:01

Zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni përfunduan rrethin e tyre të parë në një frymë kryekreje paqësore, duke dëshmuar për një traditë që po vjen gjithnjë e më e konsoliduar sa i përket organizimit të zgjedhjeve normale.

 

Befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte pa dyshim LSDM-ja, që u imponua si partia e parë në Maqedoni. Befasia shtohet edhe më për faktin se për shkak të të ashtuquajturës ‘Platformë e Tiranës’ supozohej që faktori maqedonas ishte i fragmentuar dhe VMRO-DPMNE kishte fshikulluar vazhdimisht se socialdemokratët ishin ‘shitur’ tek shqiptarët.

 

Në hesapet e bëra pa hanxhiun, VMRO-DPMNE mbase duhet t’i ketë fërkuar duart nga kënaqësia tek mendonte se rivalja e saj, LSDM, do t’i dhjetonte votuesit e saj si pasojë e ‘koncesioneve’ të bëra ndaj shqiptarëve.

 

Parashikime të tilla u bënë edhe nga një pjesë e ekspertëve që njohin mjedisin politik në këtë shtet, të cilët dyshonin se lidhjet e vjetra të VMRO-DPMNE me interesa të caktuar ekonomike, por edhe me aparatin e sigurisë, mund t’i sillnin një fitore të sigurt.

 

Fitorja e LSDM-së, si zhvillimi më i rëndësishëm nga këto zgjedhje, e tejkalon Maqedoninë dhe ndërkall në vetëvete edhe një ridimensionalizim për së mbari të marrëdhënieve me Shqipërinë, por edhe vendet fqinje.

 

Fitorja e LSDM-së e konfirmoi edhe një farë prirje latente të votuesit ballkanas, ku partitë që fitojnë zgjedhjet qendrore kanë gjasa të mira që ta përsërisin suksesin edhe në zgjedhjet lokale.

Është për t’u shënuar se LSDM vazhdoi të përthithë edhe një porcion të konsiderueshëm të votave shqiptare. Kjo u pa më së miri në Haraçinë, një komunë etnikisht shqiptare në afërsi të Shkupit, ku kandidatja e LSDM-së Milikije Halimi arriti të konfirmohet si fituese qysh në rrethin e parë.

Po këtë ndikim kjo parti vazhdon ta ketë edhe në rajonin e Kumanovës, ku ka një prani të fortë shqiptare, por edhe një ndikim të konsiderueshëm të islamit ekstremist.

Elementi i dytë për t’u vënë re është fakti që BDI vazhdon të ruajë qëndrueshmërinë e saj politike, ndonëse nuk arriti të sendëzojë fitoren në disa komuna si Çairi, Tetova apo gjetkë. BDI është e vetmja parti shqiptare që pati një farë rritjeje, ndërkohë që në totalin e votave rritje pati veçanërisht partia e Ziadin Selës, Aleanca për Shqiptarët, e cila mori mbi  14 mijë vota më tepër sesa në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Një lajm që meriton të komentohet është edhe fakti se Lëvizja Besa, që thuhet se zëron islamin politik në vend, pësoi një rënie drastike, duke mos arritur që të fitojë në asnjë komunë shqiptare.

 

Lëvizja Besa humbi afër 12 mijë vota në raport me zgjedhjet parlamentare, ndonëse në zgjedhjet e nivelit lokal veprojnë ligjësi e dinamika të ndryshme, si fjala bie, cilësia e kandidatëve.

 

Me fitoren e saj, LSDM ka pahëtuar një paradoks me përthithjen e votave shqiptare, gjë që mund të lexohet edhe si tregues që konfliktualiteti ndëretnik nuk është i asaj shkalle alarmante, sikundër është përshkruar zakonisht.

 

Siç e thashë më parë, ky rezultat mund të jetë i rëndësishëm edhe për vetë Shqipërinë, e cila, sipas shumë vëzhguesve të pavarur, u përfshi në zgjidhjen e krizës maqedonase, duke e rritur ndikimin tek kryeministri Zoran Zaev.

 

Në këtë kuptim është e pritshme që të fryjnë erëra të mbara për interesin kombëtar shqiptar, ku në Maqedoni po rritet ndikimi ynë, qoftë i Shqipërisë, qoftë i partive shqiptare.

Sidoqoftë, drama nuk ka përfunduar ende, dhe balotazhi që do të mbahet më 29 tetor mund të nxehë gjakrat në kampin shqiptar në përpjekjen për të siguruar disa mijëra vota që do të bëjnë kthesen e madhe.

Fjala kyçe, si dhe në raste të tjera, është që bashkimi i shqiptarëve bën fuqinë. Ashtu sikundër LSDM arriti të shkëpusë lidhjen thuajse simbiotike të VMRO-DPMNE-së me oligarkë të bizneseve, struktura të sigurisë dhe shërbimet sekrete, edhe partitë shqiptare mund të bëjnë një hap revolucionarizues në zërimin më të mirë të nevojave të popullsisë shqiptare, duke u marrë me përditshmërinë sociale.

 

Çkapja e shtetit, çlirimi i mediave nga mëgojëza e kontrollit partiak dhe ndërprerja e financimeve shtetërore nuk është vetëm triumf i një beteje efemere me VMRO-DPMNE-në, por pamundësim i përsëdytjes së modelit autokratik dhe demokracisë joliberale që ka zënë vend në plot shtete të Evropës Juglindore.

Duke pasur parasysh që Rusia është anashnxjerrë prej rolit të saj destruktiv, ashtu siç është neutralizuar edhe ndikimi i Beogradit, zgjedhjet lokale të së dielës, me rezultatin e tyre pozitiv, mund të jenë një psherëtimë lehtësimi për Maqedoninë e traumatizuar.

Rezultati i shënueshëm i LSDM-së, mbi të gjitha, është një referendum i popullaritetit të saj.

Zaten, Qeveria e Zaevit ka fituar një impetus të rëndësishëm për të shtyrë përpara betejën për sundimin e ligjit, dekriminalizimin dhe integrimin e vendit në konjekturat euroatlantike.

Nëse qeveria e re në Maqedoni është treguar disi skrupuloze për të bërë çfarëdo lëvizje në drejtim të Athinës apo proceset gjyqësore kanë qenë të mefshta karshi Nikolla Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij, rezultati i zgjedhjeve të 15 tetorit mund të jetë inkurajim për Zaevin dhe partnerët e tij shqiptarë që të bëjnë hapin më të rëndësishëm në historinë më të re të këtij vendi. Zaret janë hedhur…

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK