Sistemi bankar dhe luftimi i informalitetit
Ekonomia informale paraqet një problem që është prezent tek një numër i madh i vendeve, por është i shfaqur sidomos tek vendet më pak të zhvilluara dhe atyre në tranzicion, ku as Kosova nuk bën përjashtim. Ekzistojnë faktorë të ndryshëm që nxisin paraqitjen, gjegjësisht lejojnë ekzistimin e ekonomisë informale.
Disa nga këta faktorë janë:
Mungesa e një administrate efikase tatimore;
Mungesa e një sistemi adekuat tatimor;
Niveli i lartë i tatimeve;
Korrupsioni;
Mungesa e besueshmërisë tek institucionet qeveritare dhe dyshimet për keqmenaxhim të fondeve publike;
Niveli i ulët i edukimit të taksapaguesve, etj.
Ekonomia informale paraqet një sfidë të vërtetë për çdo qeveri dhe kjo sjell vështirësi dhe probleme të shumëfishta për atë shoqëri ku është prezente, pasi:
1. Aktivitetet biznisore, që zhvillohen të padeklaruara tek autoritetet tatimore, pamundësojnë vjeljen e drejtë të tatimeve mbi transaksionet që ndodhin. Kjo krijon situata që Qeveria nuk arrin të mbledhë para të mjaftueshme për financimin e aktiviteteve sociale dhe të investimeve publike. Në mungesë të buxhetit të mjaftueshëm qytetarët privohen nga mundësia për ngritjen e kualitetit të shërbimeve mjekësore publike, atyre edukativo-arsimore, përmirësimit të infrastrukturës, etj.
2. Bizneset që nuk paguajnë obligimet e tyre tatimore dëmtojnë konkurrencën e drejtë, pasi janë në pozitë shumë më favorizuese kundrejt bizneseve që paguajnë tatimet në mënyrë të rregullt. Me këtë krijohet situata e pafavorshme, ku shumë nga bizneset legjitime dhe me mundësi zhvillimi afatgjatë falimentojnë dhe detyrohen të mbyllen, me çka krijohen probleme shtesë për Qeverinë, duke rritur numrin e të papunëve dhe duke dëmtuar iniciativën e lirë.
3. Në ato vende ku ekonomia informale është e shfaqur në përmasa më të mëdha paraqet një pengese serioze për investimet e huaja. Investitorët e huaj, posaçërisht ata që vijnë nga vendet me një sistem të rregulluar taksash, nuk preferojnë të futen në investime në vende të tilla ku është vështirë t’i parashikosh trendët ekonomikë.
Në vendin tonë flitet shumë për prezencën e ekonomisë informale, edhe pse nuk ekzistojnë të dhëna të sakta për shkallën e prezencës së saj. Sipas disa të dhënave të publikuara, vlerësohet se së paku 30% e aktiviteteve biznesore nuk raportohen për qëllime tatimore.
Po ashtu vlerësohet se edhe tregu ilegal i punës vazhdon të jetë i lartë, duke vazhduar ta punësojë një numër të madh të punëtorëve të paregjistruar dhe të padeklaruar për qëllime tatimore.
Sipas këtyre të dhënave besohet se informaliteti është i shfaqur në shumë mënyra, qoftë përmes kontrabandimit të mallrave përmes kufijve, duke shmangur deklarimin e saktë të sasisë, vlerës dhe prejardhjes së mallrave para autoritetit doganor në Kosovë, ose edhe përmes mosdeklarimit të aktiviteteve ekonomike brenda vendit, siç janë: fshehja e transaksioneve reale, mosdeklarimi i shitjeve të mallrave dhe shërbimeve, mosdeklarimi i saktë i numrit dhe pagave reale të punëtorëve të angazhuar, etj.
Përgjatë tërë këtyre viteve, që nga themelimi i tyre, dy administratat kryesore përgjegjëse për mbledhjen e tatimeve në Kosovë, Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, kanë përmirësuar në vazhdimësi aftësitë e tyre në vjeljen e tatimeve në fuqi.
Është përmirësuar dukshëm përgatitja profesionale e zyrtareve të të dyja agjencive, por edhe sistemet menaxhuese që ata përdorin, me qëllim të identifikimit dhe mbledhjes sa më të saktë të detyrimeve tatimore.
Pavarësisht zhvillimeve pozitive, mbetet akoma shumë për të bërë dhe janë një varg aktivitetesh që rekomandohen për këto dy institucione, por edhe pjesën tjetër të shoqërisë, me qëllim të sigurimit të një sistemi sa më të mirë dhe sa më efikas tatimor:
Dogana e Kosovës ta përmirësojë edhe më tutje bashkëpunimin me institucionet tjera të zbatimit të ligjit brenda Kosovës. Po ashtu ta rrisë bashkëpunimin me organizatat tjera simotra nga vendet me të cilat Kosova ka bashkëpunim tregtar, më qëllim të shkëmbimit të informacionit dhe luftimit të informalitetit në tregtinë në mes të këtyre vendeve dhe Kosovës;
Fiskalizimi, gjegjësisht detyrimi që çdo kompani ta lëshojë një kupon fiskal me rastin e kryerjes se një transaksioni shitjeje, është njëra ndër mënyrat për luftimin e informalitetit. Administrata Tatimore e Kosovës duhet të insistojë në fiskalizimin e plotë të ekonomisë dhe në zbatimin e saj praktik, e jo vetëm të mjaftohet me atë që kompanitë janë të pajisura me aparate fiskale.
“Dobësia” e këtij sistemi është se për të funksionuar duhet të ekzistojë edhe vullneti i atij që blen mallrat apo shërbimet për ta kërkuar kuponin fiskal. Duhet të vazhdohet të punohet me qytetarët për t’i “edukuar”, por edhe stimuluar, në zbatimin e drejtë të kësaj skeme kontrolli. Kjo siguron vjelje më të mirë të tatimeve, por edhe kursen shumë Administratën Tatimore, pasi një qytetar që kërkon kuponin fiskal për blerjet e tija e bën të panevojshme kontrollin tatimor ndaj atij subjekti;
Largimi i pagesave në para të gatshme për transaksione shitblerjeje dhe paga.
Vendi ynë vazhdon të njihet si një vend i “ekonomisë së parave të gatshme”. Përkundër ekzistimit të një sistemi modern bankar, që mundëson kryerjen e transaksioneve elektronike, paraja e gatshme vazhdon të përdoret masovikisht nga shumica e qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës. Përdorimi kaq i madh i parave të gatshme e bën të vështirë edhe ndalimin e futjes së parave të pista në kuadër të ekonomisë (shpëlarjes së parasë), pasi kjo paraqet mënyrën më të lehtë për t’i futur në qarkullim paratë e fituara nga krimi i organizuar.
Shfrytëzimi më i madh i sistemit bankar për realizimin e transaksioneve dhe pagesave nga individët dhe kompanitë do të mundësonte në masë të madhe zvogëlimin e ekonomisë informale.
Kompanitë dhe qytetarët do të ruanin kursimet dhe depozitimet e tyre në bankë, institucionet do të ishin të informuara në lidhje me transaksionet, me çka do të lehtësohej jashtëzakonisht shumë vlerësimi i drejtë i obligimeve tatimore të subjekteve afariste dhe qytetarëve. Kjo po ashtu do ta mundësonte largimin nga rreziku i vjedhjeve dhe përdorimit të parave false, si dhe do ta ulte dukshëm koston dhe shpejtësinë e nevojshme për kryerjen e një transaksioni.
Qytetarët dhe bizneset nuk do të kishin nevojë të shkonin në bankë për t’i depozituar apo tërhequr paratë, por nga shtëpitë, gjegjësisht zyrat e tyre, do t’i kryenin pagesat elektronike.
Aplikimi më i madh i sistemit bankar do të mundësonte të dhëna më të besueshme edhe për çështje statistikore, me çka institucionet relevante do të ishin në gjendje t’i analizonin dhe vlerësonin në mënyrë të drejtë zhvillimet ekonomike, duke përfshirë të dhënat mbi tregtinë, të dhënat mbi punësimin, rritjen ekonomike, etj.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, një vend me një sistem tatimor dhe bankar të avancuar paraqet një përparësi të madhe për joshjen e investitorëve të huaj potencialë për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë. (Autori ka qenë drejtor i përgjithshëm i Doganave të Republikës së Kosovës)
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK