Zërat

Turqia e parë përtej bardhezisë

Zërat October 16, 2017 - 22:08

Vizita e presidentit turk në Beograd, Rexhep Taip Erdogan, ka përftuar një gjallërim të paparë tek aktivistë të rrjeteve sociale e “spin doctors” që opinionojnë publikun.

Duke marrë shkas nga vizita e fundit e delegacionit turk në Serbi, sikur ka njëfarë prirje drejt krijimit të bindjes se po konturizohet një bosht strategjik Beograd-Ankara, që nuk i lë hapësirë miqësisë turko-shqiptare. Është një përshtypje që ndahet nga një pjesë e opinionit se turqit thuajse në mënyrë ataviste po sillen si në kohën e Perandorisë Osmane, pra në kundërshtim me interesat qenësore shqiptare.

Në krijimin e këtij përfytyrimi kanë shërbyer edhe disa shkrime të Konica.al, të cilat nuk i paragjykoj për një dromcë të alarmit që mbartin me vete. Kjo linjë e mendimit e sheh si tejet shqetësues çfarëdo patronazhi mbi njërin ose tjetrin komunitet fetar në botën shqiptare. Çdo lloj patronati, qoftë ai i turqve apo i vendeve të Gjirit, mbi komunitetin mysliman, apo ai grek mbi atë ortodoks, është i dëmshëm. E njëjta mund të thuhet edhe për çfarëdo patronati italian, austriak, apo nga Vatikani. Kjo për faktin se vetë ideja e patronatit, për shkak të universalitetit fetar, parakupton një mbivendosje të përkatësisë fetare mbi atë kombëtare.

Pas gjykimit tim, vizita e presidentit Erdogan në Serbi nuk mund të lexohet duke u kufizuar vetëm brenda kuadrit të marrëdhënieve turko-serbe.

Të gjithë ata që e kanë përimtuar këtë vizitë, të zhveshur nga perceptimet e ngushta, i mëshojnë asaj që vizita kishte karakter parësisht ekonomik. Sipas ekspertëve, Turqia është një ekonomi që ka njohur hove të ndjeshme rritjeje (disa përmendin 5.5 për qind si objektiv rritjeje për këtë vit).

Në këtë kuptim, është e pritshme përse Serbia përbën një cak të lakmueshëm për eksportet dhe investitorët nga Turqia. Në funksion të kësaj rritje nevojiten investime në ato asete që prodhojnë vlerë të shtuar dhe kanë si paracaktim tregjet evropiane.

Shteti serb me politikat përkrahëse ndaj invesitorëve të huaj dhe rritjen e vendeve të reja të punës, dosido se ysht interesim nga fuqitë e jashtme ekonomike, siç është Turqia. Për këtë arsye Serbia subvencionon çdo ndërmarrës me 10 mijë euro për çdo vend pune të hapur.

Kësaj i kontribuon edhe rrethanshmëria historike dhe aktuale e Serbisë, fillimisht për traditën e saj shtetërore, e më pas edhe për shkallën më të ulët të korrupsionit.

Këto ngjajnë se janë tërësia e arsyeve pse presidenti turk u shoqërua nga rreth 190 biznesmenë turq. Dhe duhet nënvizuar se ky nuk ishte një solo vallëzim turk, por Serbia pati hisen e saj të dukshme në qasjen e Turqisë. Dhe këtu mund të përmendet, qoftë edhe figurativisht,  manierizmi i çuditshëm prej gaztori i ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili ia mori këngës së Osman Agait, gjatë një eventi që ishte i mirëmenduar të ngacmonte përshtypjet e sulltanit të ri.  Orkestra serbe u sintonua shpejt me këngën, diçka që të bën te mendosh se detaji ishte i parapërgatitur.

Ndikimi i vizitës së Erdoanit në marrëdhëniet shqiptaro-turke. Arsyet e kritikëve

Po çfarë ka përtej këtij gjestikulacioni dhe cili është impakti i afrimit Serbi-Turqi në marrëdhëniet shqiptaro-turke?

Nuk ka fije dyshimi se në këtë gjest serb ka një pragmatizëm të skajshëm: kryediplomati i një vendi ortodoks, me prirje të thekura nacionaliste, mendon për objektivin e shtetit të tij, që është tërheqja e investimeve të reja. Por ky momentum ekonomik është përthyer në mjedisin shqiptar si një rikalibrim i politikës së jashtme turke me preferencë Serbinë.

Ky interpretim ka lëshuar rrënjë edhe pas një deklarate të ministrit të Turizmit të Serbisë, Rasim Lajiç, i cili ka thënë se bashkëbiseduesit turq kanë pranuar se ka njëfarë ftohjeje në marrëdhëniet shqiptaro-turke.

Në gjykimin tim, kjo është një përpjekje e mirëmenduar serbe për të krijuar pikërisht këtë bindje se gjoja Turqia ka zgjedhur Serbinë si aleatin kryesor në Ballkan, duke iu larguar shqiptarëve.

Nëse një vend ortodoks, në emër të interesit ekonomik, por edhe atij strategjik, bën gjeste të tilla (si kënga e Osman agës, një çerkezi që kishte vrarë sllavë) apo lejon Erdoganin që Novi Pazarit (qytetit ku dikur kishte shqiptarë) t’i thotë tokë e tij, kjo nuk duhet parë ndryshe veçse si një pragmatizëm që gjakon në përthithjen e investimeve. Por, nëse serbët i afrohen turqve, cili vallë është interesi i shqiptarëve që një shtet të fuqishëm si Turqia ta jashtësojnë dhe ta paraqesin si një aleat të serbëve?

Në shqetësimin e këtyre aktivistëve të rrjeteve sociale, që këqyrin vërenjtur çdo lëvizje të Turqisë, duke i parë ato si cenuese të esencës shqiptare, ka njëfarë përligjje morale.

Sjellja e turqve kundruall shqiptarëve duhet parë shumanshëm. Është e vërtetë se çfarëdo patronazhi është i dëmshëm për esencën shqiptare, por në anën tjetër, nuk kryen punë gjetja e një alibie tek të tjerët apo amnistimi i vetes sonë.

Nëse dy shtetet shqiptare nuk përçapen t’i mbajnë komunitetet fetare larg ndikimit të shteteve të huaja, atëherë është e pritshme që do të kenë hapësirë penetruese fuqitë e huaja. Duhet pranuar zëlartë se askush nuk i ka penguar shtetet tona që t’u japin një autonomi më të madhe komuniteteve fetare, duke ua zgjidhur edhe mëtimet pronësore, në këmbim të të cilës do të përftohej një kontroll më i sigurt shtetëror i marrëdhënieve të tyre me shtete të caktuara.

Shqetësimi i aktivistëve socialë me prirje antiturke ka shpesh edhe referenca historike, të cilat janë të vërteta, meqë edhe unë i qëndroj asaj që thotë Ismail Kadare se Perandoria Osmane ishte një pengesë dhe vonesë në kursin e shqiptarëve drejt Perëndimit. Ndryshe nga ky grup aktivistësh kombëtarë, si Fahri Xharra apo gazetari ynë Salih Mehmeti, unë mendoj se nuk duhet vënë a priori shenja e barazimit midis Turqisë së sotme dhe Perandorisë Osmane. Kjo nuk është e vërtetë, për shkak se Perandoria Osmane ishte shumëkombëshe, dhe shqiptarët kishin hisen e tyre të madhe ose të vogël, të dukshme ose të padukshme. Pikërisht ngulmimi për të kundërtën do të ishte legjitimim i pretendimeve të qarqeve, le të themi, neootomane, që e shohin Turqinë si pasardhëse vijëdrejtë të Perandorisë Osmane.

E pranoj se në marrëdhëniet e Turqisë me shqiptarët ka lajthime të rëndësishme nga pala turke, siç është braktisja e shqiptarëve përballë Greqisë (shpërnguljet masive në vitet ’20 të amplifikuar me Traktatin e Lozanës), apo edhe marrëveshjet xhentellmene me jugosllavët në vitet ’30 dhe ’50 të shekullit të 20-të…

Turqia nuk ka reaguar në mënyrë simetrike kur Shqipëria e Enver Hoxhës, në konfliktin e Qipros, i mbajti anën grekëve.

Ndërkohë, shteti turk ishte në momente të veçanta në anën e shqiptarëve gjatë viteve ’90, ndonëse ka zëra, si Salih Mehmeti, që vënë në spikamë mungesën e ndihmës turke në vitin 1999. E vërteta është që Turqia nuk mund të kishte rol zgjidhës të çështjes së Kosovës, sepse kjo mund të bëhej vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe tratativat e saj me Rusinë, por avionët turq bombarduan Serbinë, dhe pjesëmarrja me aviacion është dëshmia më e fortë e angazhimit turk kundër Serbisë.

Turqia ishte më aktive për të parandaluar ndërhyrjen greke në jug, në vitin 1997, por edhe me ndihmën e vijueshme për ushtrinë shqiptare nga 1991, në ditët tona

Metamorfoza e Erdoganit dhe politikës turke.

Edhe Erdogani nuk është i njëjti me atë çfarë ishte dikur: ai ka evoluar nga një Erdogan që i shërbeu në mandatet e para zhvillimit ekonomik të Turqisë, duke qenë besnik i traditës kemaliste, në një burrështetas që e ndryshoi kursin së fundmi, siç është sjellja e tij në raport me Rusinë e Putinit, prej rrëzimit të avionit rus e deri te nënshkrimi i partneritetit me Moskën.

Turqia është një shtet që përvijon interesat e veta, dhe ne duhet të ndjekim interesat tona, duke mbajtur marrëdhënie me të gjithë. Një pozicionim tërësor antiturk do të ishte i padobishëm po aq sa do të ishte një pozicionim tërësor antigrek.

Në këtë kuptim, përpjekjet për të krijuar bindje që Turqia na paskësh shitur tek serbët janë jo të drejta, sado që përmes tyre manifestohet një frymë vigjilence kombëtare që është kritike ndaj çfarëdo patronazhi të huaj.

Në anën tjetër, këta aktivistë qëllojnë në shenjë kur kritikojnë sjellje të caktuara të Turqisë, që janë të dëmshme për esencën tonë kombëtare, por në një analizë më të zgjeruar, ato bëjnë thirrje për një sjellje jorealiste ndaj një shteti që nuk është faktor jo vetëm rajonal, por edhe global.

Mëdyshjen nëse ‘ftohja’ turke ndaj shqiptarëve në përgjithësi, dhe Kosovës në veçanti, ka të bëjë me referendumin e kurdëve në Irakun verior, unë do ta përjashtoja në tërësi. Siç e kanë shpjeguar autoritetet turke, deklarata e Erdoganit për Kosovën si shtet është keqkuptuar, meqë ai ka theksuar vetëm problemet me të cilat përballet Kosova dhe shtetet e reja të krijuara me konflikt dhe shkëputje jokonsensuale nga shteti ku bënin pjesë, dhe rrezikun e mosarritjes së një ujdie ndërkombëtare.

Derisa nuk guxoj as të mohoj dhe as të pohoj pretendimin se Turqia ndërton më shumë xhami sesa bën investime të mirëfillta, unë jam plotësisht në dijeni për shkallën e lartë të korrupsionit dhe faktit se si zyrtarët tanë u kërkojnë investitorëve të huaj përqindje e ryshfet, diçka që ndodh më pak me serbët apo sllavomaqedonasit. Dhe kjo rrethanë mund të jetë goxha rënduese, por edhe shpjegon pse investimet turke janë më të pranishme në vendet e rajonit.

Rrjedhimisht është e ngutshme që të pozicionohemi kundër Turqisë, duke lexuar vetëm lajme që vijnë nga historia. Këto fakte historike janë të vërteta, por ato janë vetëm një pjesë e së tërës, dhe se mbrojtja e interesave tona kombëtare bëhet duke i shmangur armiqësitë e panevojshme.

Së fundi duhet theksuar se në diskursin kritik ndaj Turqisë seç ka një komponent properëndimor, që i mëshon faktit se Perëndimi dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara janë aleatët tanë të dëshmuar. Gjithsesi kjo nuk nënkupton një statizëm të orientimit diplomatik, por një aftësi fleksibiliteti me të gjitha palët me qëllim theksimin e interesave tona kombëtare.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK