Zërat

Bardh Frangu

Kurrikula që kushton 50 euro

14 tetor 2017 • 14 : 20

Tek i dëgjon nëpër fushatat paraelektorale kandidatët për kryetarë të komunave si e trajtojnë problemin e arsimit, bindesh se ky segment më i rëndësishmi për prosperitetin e një shoqërie do të vazhdojë të zhvillohet në një krizë edhe më të thelluar. Të gjithë kanë gojët plot depolitizim të tij, ndërsa që përpara kanë hartuar listat se ku mund t'i rehatojnë militantët e tyre, ndërsa dihet se arsimi është sektori, ku politika mund të punësojë njerëz më shumë. Mbase është histori e vjetër manipulimi me punëtorët e arsimit, të cilët këtë karrem e hëngrën në emër të iluminizmit, i cili edhe ishte vendimtar në ndërtimin homogjen të shoqërisë sonë në udhën drejt çlirimit.

Tani shohim se për gjithë këto vite të pasçlirimit kurrizi i arsimit është përkulur aq shumë, sa veç nuk është thyer. Si rrjedhojë e degradimit të tij të skajshëm kemi edhe shpërfaqjen e krizës morale që po e përjeton shoqëria jonë, pa shpresë se mund të gjejë forma për ta tejkaluar.

Po si mund të ndalet trendi i trafikimit të dijes? Menjëherë pas luftës u ndanë grada ushtarake, nga të cilat fituam jo më pak se 22 gjeneralë! Pastaj kur njerëzit u ngopën me këto epoleta, ia mësynë titujve akademikë. Madje Ministria e Arsimit shpiku edhe rikualifikimin e punëtorëve të arsimit, vetëm e vetëm që ata t'i pajisë me grada më të larta, por jo edhe me dije, sepse ky mbase nuk është qëllimi as i Ministrisë dhe as i Qeverisë. Qëllimi është që në këtë shoqëri të zhvlerësohet çdo gjë dhe në këtë mënyrë të legjitimohet injoranca si forcë objektive e kësaj shoqërie.

Ministria shpiku edhe pajisjet me licenca të atyre që duan të bëhen drejtorë shkollash, në mënyrë që të kenë edhe një avantazh veç librezës së partisë. Tani Ministria këtë vit ka filluar edhe me aplikimin e Kurrikulës së Re, e cila duhet të aplikohet në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Si zakonisht, mbështetur në improvizimin si model të sjelljes sonë të përgjithshme, brenda kësaj Kurrikule të rëndësishme janë hartimet e planeve, por jo edhe përmbajtja dhe realizimi i tyre. Kështu, sikundër edhe diplomat, menjëherë nisën të shiten edhe planet mësimore. Tani me çmimin prej 50 eurove kudo mund të blesh një plan të gatshëm dhe ta arsyetosh punën sipas modelit të ri!

Askush nuk beson se me këtë angazhim të Ministrisë mund të ndryshohen rezultatet që dolën nga testi i PISA-s, përkundrazi. Në arsimin tonë eksperimentohet vetëm sa për të krijuar mjegull, në mënyrë që asnjëherë të mos kemi një pasqyrë të qartë mbi të. Ndryshe gjërat janë kaq të thjeshta që nuk kërkojnë më shumë se një vullnet të mirë dhe një dije solide për ta shmangur këtë udhë kaq të rrezikshme për arsimin, përkatësisht për shoqërinë tonë në përgjithësi.

Të gjithë e dimë se rendi dhe disiplina përbëjnë kushtet elementare për një zhvillim të mbarë. Këto nuk mund t'i kesh në shkollat e politizuara, ku drejtorët para së gjithash aty janë me mision partiak. Dhe nuk mund të jetë ndryshe, ndërsa duhet të veprojnë karshi logjikës së partisë shtet, e cila ka kohë që është instaluar në shoqërinë tonë. Mbështetur në këtë logjikë edhe kandidatët e AAK-së premtojnë më shumë dhe me një siguri më të madhe, ndërsa të parin e tyre e kanë kryeministër!

Nga debati me kandidatët për kryetar të Komunës së Kaçanikut pashë foto, ku poçet elektrike ishin varur si merimanga në klasë, ku tabelat e shkrimit ishin rrjepur dhe kishin ikur nga vendi i tyre, ku muret dukeshin si shpella, etj. Këto pamje ishin dëshmia më e mirë e një mungese të rendit dhe disiplinës, gjë të cilën mund ta ndeshësh nëpër shumicën e shkollave tona në Kosovë. Po nuk dëgjova një kandidat të vetëm, i cili do të premtonte rend dhe disiplinë, të gjithë premtojnë shkolla të reja dhe depolitizim, pavarësisht që shkolla të reja politike ka në numër jo të vogël që nuk kanë nxënës fare!

Kurrë askush, as nga niveli qendror, as nga niveli lokal nuk ngriti shqetësimin pse ne në Kosovë nuk kemi një shkollë speciale, ndërsa sipas një ankete del se tre për qind e nxënësve janë me nevoja të veçanta! Mbase ky numër është i mjaftueshëm për të penguar rendin dhe disiplinën. Askush nuk shqetësohet për faktin që nxënësit nëpër shkolla më elitare, siç është gjimnazi, grumbullohen deri mbi pesëdhjetë sosh! Në anën tjetër shkolla e bujqësisë mbetet pa nxënës fare, apo edhe me një numër fare simbolik!

Sigurisht që pas rendit dhe disiplinës së krijuar (nëse mund të krijohet) mbeten edhe shumë punë tjera, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e cilësisë në arsim, por e rëndësishme është që të caktohen prioritetet dhe të fillohet me to. Me një vullnet të mirë të Qeverisë, mund të obligohet Ministria e Arsimit që t'i shpallë të lira të gjitha vendet për drejtorë shkollash dhe që të bëjë një emërim të ri, ku nuk do të kishin të drejtë të konkurronin aktivistët partiakë. I rëndësishëm është edhe vendimi që përparësi në emërim të kenë punëtorët e dëshmuar brenda kolektivit e jo ata brenda partisë, siç ndodh tani.               

       

© zëri.info