Zërat

Liridona Ibrahimi

Transparenca dhe llogaridhënia e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës

10 tetor 2017 • 13 : 59

Këshilli Drejtues është organi më i lartë drejtues i universitetit më të madh publik në vend.

Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv, institucional të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në të njëjtën kohë është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij. Këshilli Drejtues është përgjegjës për buxhetin, personelin dhe infrastrukturën e UP-së. Si autoriteti kryesor qeverisës i UP-së, Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë, katër anëtarë emërohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe pesë zgjidhen nga Senati, nga radhët e personelit akademik të Universitetit.

Transparenca dhe llogaridhënia janë dy anë të të njëjtës medalje dhe asnjë institucion nuk mund të funksionojë pa këto dyja. Që të dyja bashkë janë shtylla të zhvillimit dhe të funksionimit efikas të çdo institucioni publik. Transparenca ka të bëjë me të qenit të hapur dhe të sinqertë në shpjegimin e të gjitha veprimeve.

Llogaridhënia ka të bëjë me dhënien e përgjegjësisë për veprimet e ndërmarra. Përderisa Universiteti i Prishtinës është institucion publik dhe në këtë mënyrë i përdor resurset publike është i obliguar që të japë llogari për menaxhimin e resurseve dhe të jetë transparent në paraqitjen e të gjitha veprimeve.

Fatkeqësisht në Këshillin Drejtues të UP-së ka mungesë totale të transparencës dhe të llogaridhënies. Se transparenca dhe llogaridhënia mungojnë në organet drejtuese të UP-së dhe nuk janë pjesë e politikave e dëshmon edhe fakti që në Statutin e UP-së transparenca përmendet vetëm dy herë edhe atë te pjesa që ka të bëjë me promovimin e stafit akademik, kurse llogaridhënia as edhe një herë.

Politizimi është njëri nga problemet kryesore me të cilat përballet Universiteti i Prishtinës. Politizimi shtrihet që nga Këshilli Drejtues, Senati e kështu shpërndahet nëpër të gjitha degët e UP-së deri edhe te mësimdhënia.

Këshilli Drejtues është i politizuar dhe si rezultat UP-ja nuk funksionon i pavarur, kontrollohet dhe është i varur drejtpërdrejt nga politika. Sipas një hulumtimi, nga 300 profesorë të cilët morën pjesë në hulumtim 50 prej tyre vijnë nga partitë politike.

Kështu, shumë profesorë e përdorin UP-në për t’u bërë pjesë e politikës dhe në të njëjtën kohë një numër i madh i tyre e përdorin politikën për t’u bërë profesorë në Universitet. Politizimi i Këshillit Drejtues paraqet shumë probleme lidhur me transparencën dhe me llogaridhënien.

Duhet kërkuar llogari për mosrespektimin e ligjit duke filluar nga organi më i lartë, nga Këshilli Drejtues e deri te mësimdhënësit e UP-së. Vetëm duke kërkuar llogari mund të rritet transparenca dhe llogaridhënia në vendimmarrje akademike.

Për të bërë këtë është e nevojshme që, përveç auditmit të jashtëm të bëhet auditimi i brendshëm i UP-së dhe raportet që dalin nga auditimi të bëhen publike. Studentët, shoqëria civile dhe mediet duhet të bëjnë presion ndaj UP-së, të përdoret edhe gjuha e forcës, nëse kërkohet, në mënyrë që të gjithë ata që shkelin ligjin dhe rregulloret e UP-së të nxirren para drejtësisë dhe të ndëshkohen.

Një tjetër çështje që nxit debat është mungesa e fondeve për UP-në, por ka edhe kundërshtime se rritja e fondeve do të rriste mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies në UP. Sa më shumë fonde, aq më e madhe do të jetë mundësia për keqpërdorim. Si rezultat, duhet të bëhen reforma, duke filluar nga përbërja e Këshillit Drejtues.

Anëtarët e tij duhet të jenë persona me aftësi përkatëse profesionale dhe të jenë të përgjegjshëm për të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me financa dhe të japin llogari për menaxhimin dhe ndarjen e këtyre fondeve.

Vetëm atëherë kur në ndarjen e fondeve do të jenë të pranishme parimet e transparencës dhe të llogaridhënies mund të krijohet perceptimi se Këshilli Drejtues po krijon kushte për administrimin dhe menaxhimin e drejtë të fondeve. Në këtë mënyrë Këshilli Drejtues me politikat e tij mund të kontribuojë në luftimin e korrupsionit në UP.

Mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies në Këshillin Drejtues të UP-së dhe rrjedhimisht në të gjitha organet drejtuese të UP-së ndikon në paraqitjen e shumë problemeve. Në fakt, të gjitha problemet e tjera janë pasojë e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies.

Politizimi, klientelizmi, korrupsioni, mungesa e cilësisë së studimeve, mospërshtatja e programeve të studimit me tregun e punës, shitblerja e temave të diplomës, plagjiatura, mungesa e kritereve akademike, etj., këto dhe shumë probleme të tjera e kanë sjellë UP-në në gjendjen në të cilën ndodhet sot. Këshilli Drejtues si mekanizëm kryesor duhet të hartojë politika për parandalimin e këtyre problemeve dhe jo të bëhet vetë pjesë e tyre.

Transparenca dhe llogaridhënia duhet të burojnë nga Këshilli Drejtues dhe të shtrihen edhe në njësitë akademike të Universitetit, deri tek mësimdhënësit dhe stafi administrativ.

© zëri.info