Zërat

Muhamet Hamiti

Elsie u bë pjesë e dijes sonë

09 tetor 2017 • 11 : 48

Kontaktin me shqipen e gjallë e ka nisur në fund të viteve shtatëdhjetë, në Shqipërinë absurde të diktaturës së Hoxhës (“Shqipëria në atë kohë ishte si Koreja e Veriut sot”, ka thënë Elsie së voni), ndërsa e ka vazhduar në Kosovë, në kohën e vlimeve kulturore e trazirave politike gjatë viteve tetëdhjetë e tutje; më shumë këtu, nga ardhja e tij pothuaj e përvitshme në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare.

Ka përkthyer këngë kreshnikësh, ndërsa (bashkë me Janice Mathie-Heck-un) edhe epin kombëtar shqiptar, “Lahutën e Malcis” të Fishtës; përkthimi i tretë në një gjuhë botërore, pas italishtes dhe gjermanishtes. Ka redaktuar përkthimin gjermanisht të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”. “Lahutën” Elsie e quante kontributin e parë që i dha gjuha shqipe letërsisë botërore.

Shumë prej librave të tij, botuar fillimisht në anglisht, janë botuar edhe shqip në Prishtinë e Tiranë. Përveç publikut lexues të huaj, vepra e Elsie-t kishte ç’t'i thoshte edhe lexuesit shqiptar. U bë pjesë e dijes sonë.

Botoi në vitet e fundit libra referencash të natyrës enciklopedike si “Fjalori Historik i Shqipërisë” dhe “Fjalori Historik i Kosovës”, në anglisht dhe në shqip. Ka botuar më herët “Histori të letërsisë shqipe” në anglisht, përkthyer më vonë edhe në shqip e polonisht.

Robert Elsie e qau jo një herë mungesën e përkthyesve letrarë nga shqipja në anglisht. Faqja e tij e internetit www.albanianliterature.net përmban përzgjedhjen më të madhe të letërsisë shqipe në anglisht. Përkthimet janë punë e Elsie-t, punë e mallit për letërsinë shqipe. Punën e hallit, për të mbetur gjallë, e bëri si përkthyes e interpret për Qeverinë gjermane e institucione të tjera, por edhe te Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. Kush ka përcjellë gjykimet atje kujton zërin e tij.

Robert Elsie ka shkruar recensione te revista e njohur “World Literature Today” e Universitetit të Oklahomas, nga viti 1985 deri në vitin 2002. Pesë-gjashtë, nganjëherë edhe shtatë-tetë recensione në vit, për botime në shqip e në gjuhë të huaja të letërsisë shqipe. Te këto shkrime me karakter paraqitës, ai jepte edhe rriska të jetës shqiptare në Kosovë e Shqipëri, herë duke denoncuar shtetin diktatorial e dogmën e realizmit socialist shqiptar, herë duke afirmuar letërsinë e Kosovës dhe përpjekjet e shqiptarëve këtu për ekzistencë, për liri e demokraci përballë shtypjes e terrorit serb. Me këto shkrime ai bëhej pjesë edhe e diskutimeve për letërsi e kulturë shqiptare, me vlerësime e karakterizime me peshë, të vlefshme edhe sot.

Prozën shqipe e shihte më të zhvilluar në Shqipëri, ndërsa poezinë më të mirë dhe kritikën letrare më imagjinative në Kosovë.

Robert Elsie-n e kam njohur tridhjetë vjet. Mund të them se kemi qenë miq. Më lini të kujtoj se Elsie pat ardhur enkas nga Gjermania në Londër në dhjetor të vitit 2009 për të marrë pjesë në ceremonitë përcjellëse pas dorëzimit të letrave kredenciale te Mbretëresha Elizabeta II, që kisha bërë unë, ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar. I gëzohej afirmimit të Kosovës në botë, si pjesëmarrës e dëshmitar, ky anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nga viti 2000.

Robert Elsie, që po e kujtojmë këtu në mes miqsh e dashamirësh, ka qenë njeri i dashur, punëtor i madh, qëmtues bukurish e të vërtetash shqiptare.

(Pjesë nga fjala e mbajtur në takimin përkujtimor për Robert Elsie-n që u mbajt më 6 tetor 2017 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”)

 

© zëri.info