Zërat

Mentor Nazarko

Qortimet e ambasadorit Lu, shenjë që amerikanët po e prioritarizojnë Shqipërinë

04 tetor 2017 • 19 : 56

Duke qenë se një grup i konsiderueshëm i ndjekësve tanë në Konica.al vjen pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo përbën edhe njëfarë detyrimi për t’i ushqyer këta lexuesë me debate e ide të ndryshme.

Për analizën e sotme kam veçuar një deklarim të ambasadorit amerikan, Donald Lu, që në ashpërsinë e tij tejkaloi edhe kortuazinë e rëndomtë diplomatike.

Megjithatë ky është një qëndrim i mirëpritur, meqë siç e ka përsëritur në vijimësi ambasadori Lu, Shqipëria nuk është vend i parëndësishëm në rrjetin ndërkomnbëtar.

Në këtë kuptim, stabiliteti dhe siguria e saj nuk janë vetëm një çështje shqiptare, por një çështje ndërkombëtare.

Nëse ambasadori i vendit më të madh mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, mban një qëndrim kritik, kjo është më së e mirëpritur edhe si frymëzim për thellimin e reformave sistemore në vend.

Ky deklarim duhet parë në vazhdimësinë e deklarimeve të ngjashme, që gjakonin vazhdimisht për reformën në drejtësi.

Në pikëpamje organizative dhe ideore, Shtetet e Bashkuara ishin prijatare të kësaj reforme të shëndetshme, si ndërhyrja më e thellë që është bërë në sistemin politik të vendit.

Lu ishte në vijën e qëndrimeve të tij të mirënjohura, të shprehura para gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mesazhet e ambasadorit amerikan vlejnë po kaq edhe për opozitën, sepse procesi i dekriminalizimit u nismua nga vetë ajo.

Zoti Lu e nisi me rastin e Fildez Hafizit, dhe kushdo që e mban mend historinë e saj, ajo i kishte shkruar disa letra, njëra pas tjetrës, ambasadorit amerikan. Në të vërtetë, ato letra ishin një dëshmi se sistemi i drejtësisë nuk ofronte kurrfarë mbrojtje për të nga kërcënimet me jetë.

Duke e përkujtuar këtë rast, ambasadori apeloi mesazhe të qarta tek elita e drejtësisë shqiptare.

Me mbarimin e zgjedhjeve ka një lloj gjallërimi të krimit të organizuar që vjen nga riorientimi i lidhjeve të tij me politikën. Në raste të tilla, krimi aktivizohet ose duke goditur shtetin, apo duke filluar një luftë brenda llojit për një territor të caktuar.

Në një kontekst të tillë, ambasadori Lu e ka pikasur saktësisht hartën e krimit të organizuar. Dhe kjo nuk përbën aspak cenim të sovranitetit shtetëror, sepse sovraniteti shqiptar nuk është çështje e brendshme, sa kohë që Shqipëria është pjesë e një organizate sigurie si NATO. Në këtë kuptim, lufta kundër krimit nuk është një çështje shqiptare stricto sensu.

Ne duhet të marrin në konsideratë këtë deklaratë në disa këndvështrime.

E para e punës, duhet përjashtuar prerazi dhe menjëherë çfarëdo pandehme që Lu vepron i shtyrë nga konsiderata personale, sepse çdo veprim i tij është në përputhje me politikat e jashtme të Uashingtonit.

Nuk qëndron as pandehma tjetër se ambasadori Lu po i bën këto veprime, meqë po i sos muajt e fundit të përfaqësuesit diplomatik amerikan në vendin tonë. Ai është i detyruar gjer në fund të mandatit të tij t’i përmbahet rreptësisht dispozitave të Departamentit të Shtetit.

Pas gjykimit tim, është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një qëndrim kaq të vendosur e të angazhuar në lidhje me reformën në drejtësi.

Shtetet e Bashkuara po e theksojnë rolin e primatit që kanë në reformën e drejtësisë, mbi një model të veçantë të ndërhyrjes së shtetit kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të drejtësisë. Në këtë kuptim askush tjetër nuk mund të fliste më mirë sesa ambasadori Lu.

Ai e ruajti primatin amerikan në vazhdimin e reformës së drejtësisë, por edhe i dha zjarr atyre forcave të brendshme për ta çuar përpara këtë proces.

Teksa vetting-u po etablohet, ka filluar një rezistencë e trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve sepse ata po e shohin që kjo po merr realitet konkret. Në këtë kuptim, ambasadori amerikan ka dashur që të ruajë ashpërsinë dhe të nxis këtë reformë.

Fjala e tij ka peshë, dhe të gjithë e dinë se Shtetet e Bashkuara bëjnë mbikëqyrje intensive të vendeve anëtare të NATO-s.

Kjo paraqitje e tij përbën një lajm të gëzueshëm, për shkak se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ruajnë interesin për Shqipërinë.

Duke kujtuar edhe paralajmërimet se do të vijë një ekip i FBI-së për të bashkërenduar Ministrinë e Brendshme, shohim se kemi të gjitha shenjat se kjo reformë nuk ishte një premtim kot, pasi që ajo s’është vetëm çështje e Shqipërisë…

© zëri.info