Zërat

Enis Veliu

Patriotë dhe tradhtarë

04 tetor 2017 • 14 : 11

Seancat e Kuvendit të Kosovës përfundimisht janë shndërruar në një arenë akuzash e kundërakuzash të deputetëve mes vete, madje duke mos i kursyer as fjalët më banale që i njeh e nuk i njeh fjalori i gjuhës shqipe.

Në seancën e fundit të jashtëzakonshme, e cila është mbajtur të martën, kryeministri Ramush Haradinaj është thirrur të raportojë për të kaluarën e ministrit aktual të Bujqësisë Nenad Rikalo. Por, në këtë seancë më së paku u fol për këtë çështje. Të gjithë kishin thashetheme. Por, si zakonisht asnjëri prej tyre nuk kishte fakte.

Aty gjatë seancës deputetë nga pozita e opozita ofenduan dhe akuzuan rëndë njëri-tjetrin. Madje për dallim nga seancat e kaluara këtë herë deputetët keqpërdorën foltoren e Kuvendit të Kosovës duke akuzuar dhe duke ofenduar rëndë gazetarë dhe pronarë të medieve në Kosovë.

E disa të tjerë u kujdesën që opinionit t’i tregojë se cila deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e opozitës nuk e ka nënën shqiptare. Madje ai i rekomandoi kësaj të fundit që të ketë kujdes kur flet për pakica, pasi që, sipas tij, mund edhe t’i hidhërohet nëna e saj.

Gjatë seancave të Kuvendit e të cilat transmetohen direkt në televizione të shumë medieve në vend, deputetët duhet të tregojnë dhe të promovojnë kulturë. Ata në mes vete është dashur të debatojnë me gjuhën e fakteve e jo të akuzave politike ndaj njëri-tjetrit, siç është duke ndodhur gjatë muajve të fundit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës çdo ditë e më shumë po irritojnë qytetarët, ata që ua kanë dhënë votat atyre për të qenë zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar dhe për t’u bërë zgjidhje problemeve të shumta që ata përballen çdo ditë.

Por, përfundimisht një gjë e tillë nuk po ndodh. Deputetët i janë futur garës se kush po ofendon më shumë, kush po kërcënon më shumë, kush po e mbron më shumë “shefin” e për votuesit këta çuditërisht e fatkeqësisht nuk e çajnë kokën thuajse asnjëherë.

Sidomos në seancat e fundit në Kuvendin e Kosovës ka vetëm akuza, nuk ka debat, nuk ofrohet zgjidhje, por përkundrazi çdo ditë e më shumë po krijohet një ndarje më e thellë. Jo pozitë-opozitë siç ndodh në çdo shtet të botës demokratike, por në Kuvendin tonë janë ndarë taborët e patriotëve në njërën anë e të tradhtarëve në anën tjetër. Por, së paku deri më tash asnjëra palë nuk ka ofruar fakte ndaj palës tjetër.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës përmes akuzave nuk po mbrojnë institucionet, por përkundrazi vetëm sa po i dëmtojnë ato, duke e njollosur njëri-tjetrin. Në Kuvend po e shqyejnë fytin duke akuzuar, por të tillët gjithmonë ngurojnë për të raportuar aty ku duhet - në institucionet e drejtësisë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës si duket po harrojnë se nuk kanë marrë votat e qytetarëve për të bërë “show”, por kanë marrë votat për përfaqësim, e fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po ndodh tash e një kohë të gjatë.

Ka kohë që në Kuvendin e Kosovës nuk diskutohet fare për marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë e të cilat nuk realizohen në praktikë, nuk diskutohet për gjendjen e rëndë në sektorin e arsimit, nuk diskutohet fare për zhvillimin ekonomik, nuk diskutohet fare për korrupsionin, i cili çdo ditë e më shumë po e ha shtetin më të ri të Evropës, nuk diskutohet për më shumë se 100 mijë qytetarë të këtij shteti, të cilët jetojnë me më pak se një euro në ditë. Jo, në Kuvend nuk diskutohet asgjë që i preokupon qytetarët e Kosovës.

 

© zëri.info