Zërat

Urtak Hamiti

Demarkacioni dhe diplomacia, çmimi i Arbitrazhit

04 tetor 2017 • 14 : 08

Rasti Slloveni - Kroaci

Në Kosovë dhe jashtë saj në dy vjetët e fundit temë gati numër një përcaktuese për zhvillimet e brendshme dhe raportet ndaj SHBA-së dhe posaçërisht BE-së është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Çështja e përfundimit të procesit, respektivisht miratimit të Marrëveshjes së nënshkruar nga ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nga Kuvendi i Kosovës është vënë kusht për procesin e liberalizimit të vizave nga BE-ja, ishte kauza gati kryesore e opozitës për rrëzimin e Qeverisë së kaluar, ku ka polarizuar gjithë shoqërinë shqiptare në Kosovë dhe së fundi bartësit e institucioneve të Kosovës kanë dhënë mesazhe disonante publike.

Thaçi, tani si president, ka deklaruar se çështja është vetëm e kosovarëve, pra e Kuvendit të Kosovës, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka deklaruar se Marrëveshja ekzistuese do të miratohet në muajin mars 2018, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj refuzon ta quajë marrëveshje ndërkombëtare, sepse nuk është miratuar nga të dyja vendet.

Për Malin e Zi kjo punë është çështje e mbyllur. Në ndërkohë të gjitha porositë diplomatike të vendeve perëndimore janë që kjo Marrëveshje të miratohet sa më shpejt, sepse është në interes të vetë Kosovës në radhë të parë, e pastaj të stabilitetit në rajon në radhë të dytë. Nuk është vetëm ky proces i demarkacionit që rëndon raportet në rajon.

Sllovenia dhe Kroacia, edhe pse që të dyja vende anëtare të BE-së dhe të NATO-s, për shkak të demarkacionit të vijës detare kanë arritur në pikën kulmore të ftohjes së raporteve bilaterale saqë kryeministri slloven Mirosllav Cerar anuloi vizitën e planifikuar këtë javë në Zagreb dhe takimin me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq.

Sllovenia, që ka marrë atë që ka kërkuar në procesin e demarkacionit dhe pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, vendim të cilin Kroacia nuk pranon ta zbatojë, do të kërkojë nga Komisioni Evropian që të ushtrojë presion te Zagrebi Zyrtar dhe është duke konsideruar ta padisë Kroacinë në Gjykatën Evropiane me seli në Luksemburg.

Në ndërkohë, zëvendësi i parë i kryesuesit të Komisionit Evropian, Frans Timmermans, ka theksuar se Komisioni i përkrah vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit, që obligon të dyja vendet që këtë vendim ta zbatojnë brenda gjashtë muajsh. Diplomatikisht ai ka theksuar se megjithatë kjo është në radhë të parë çështje bilatelare e Sllovenisë dhe Kroacisë. Cili është problemi në mes të këtyre vendeve fqinje që janë ngushtë të lidhura historikisht dhe ekonomikisht?

Çështja qëndron në mosdefinimin e vijës detare nga koha e ish-Jugosllavisë. Sllovenia ka pretenduar se ka të drejtë daljeje të hapur, pra jo përmes ujërave kroate, në detin Adriatik në gjirin e Piranit, ndërsa Kroacia këtë nuk e ka lejuar. Ekonomikisht kjo lidhet me funksionimin e portit të Koprit në Slloveni, që është porti kryesor detar për vendet e Evropës së Mesme, në radhë të parë Hungarisë.

Vija detare nuk është definuar as pas pavarësisë së dyja vendeve e as pas përfundimit të luftës në Kroaci, në vitin 1995. Është lënë si çështje e hapur për ditë më të mira. Në vitin 2003 Javijer Solana, atëkohë përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ishte ofruar t’i ndihmojë negociatat, por ishte refuzuar nga ana kroate. Në vitin 2005 propozimin e palës kroate për t’i dërguar çështjet e hapura në Gjykatën e Arbitrazhit e pati refuzuar pala sllovene.

Mirëpo në vitin 2009 është arritur marrëveshja që çështja e përcaktimit të vijës detare dhe tokësore kufitare të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit sepse Kroacisë i duhej pajtueshmëria sllovene për ta vazhduar procesin e anëtarësimit në BE.

Në vitin 2015 Kroacia, me vendim të Kuvendit, është tërhequr nga procesi i Arbitrazhit nën arsyetimin se përfaqësuesi slloven në Gjykatë, Jernej Sokolec (sipas rregullave të dyja shtetet kanë të drejtë ta kenë përfaqësuesin e tyre) në koordinim më Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, përkatësisht Simona Drenik, ka marrë instruksione se si të sillet në proces dhe mundësisht të ushtrojë ndikim në pjesën tjetër të trupit gjykues. Kroacia ka përdorur nenin 60 të Konventës së Vjenës, që lejon “tërheqjen nga marrëveshja në rast të dëmtimit të rëndë të saj”.

Parimi i Gjykatës së Arbitrazhit është parim ku gjykatësi vendos për atë që mendon se është më e mira dhe më e drejta (ex aequo et bono) dhe praktikohet në vendet si Britania e Madhe, Australia, etj (common law) dhe jo gjithherë është në përputhshmëri me të Drejtën Ndërkombëtare, parimet e së cilës i zbaton Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Prandaj, faktori njeri është i rëndësishëm dhe ndikimet diplomatike me peshë të madhe dhe pikërisht këtë e potencoi Kroacia si arsye të tërheqjes nga procesi i Arbitrazhit.

Në qershor të këtij viti, pas analizës së mbi 5000 dokumenteve, dëshmive të ndryshme, marrëveshjeve të mëparshme, gjykatësi francez Gilbert Guillaume shpalli vendimin sipas të cilit Sllovenia fitoi daljen ekskluzive në detin e hapur Adriatik. Gjykata e Arbitrazhit kishte marrë parasysh edhe dokumentin që Ante Paveliq, kryetar i shtetit të pavarur Kroat (një krijesë shtetërore fashiste) e kishte nënshkruar në vitin 1941 dhe në bazë të së cilit Kroacia i bashkëngjitej Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste, duke ia falur kësaj të fundit gjithë gjirin kontestues të Piranit. Me fitoren e forcave antifashiste sllovene në vitin 1945 kjo pjesë i takonte përkohësisht Sllovenisë deri në rirregullimin e kufijve të republikave në-ish Jugosllavi.

Rezultatin tani Kroacia nuk e pranon, thirret në Të Drejtën Ndërkombëtare dhe jo në Arbitrazh dhe tani janë ku janë. Prej fillimit e deri në përfundim të procesit, pra 2009-2017, në emër të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor Sllovenia ka shpenzuar 6.71 milionë euro, ndërsa Kroacia 3.05 milionë euro.

Tani përsëri në skenë është diplomacia, përkatësisht lufta diplomatike dhe fitues në proces do të dalë shteti që ka më shumë ndikim në radhë të parë në institucionet evropiane.

Pse është kjo me rëndësi për Kosovën? Në radhë të parë për të parë se shumë pranë nesh ndodhin procese të demarkacionit edhe nga vende që janë në BE dhe në NATO, plus të rajonit dhe se ne nuk jemi qendra e botës. Në radhë të dytë, për të parë që një proces i tillë zgjat shumë dhe është i kushtueshëm.

Dhe, në radhë të tretë, për të parë se me gjithë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit pala që e konsideron veten më të fortë nuk e zbaton edhe vazhdon luftën diplomatike. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, zëvendëskryeministri Hoxhaj e ministri i Jashtëm Pacolli, duhet ose të dorëzohen dhe ta pranojnë versionin aktual të Marrëveshjes, duke rrezikuar ndoshta edhe zgjedhjet e reja në Kosovë, ose ta bëjnë gati opinionin publik për një proces të rëndë, të gjatë dhe të kushtueshëm të Arbitrazhit, të cilin aq lehtë po e përmendin publikisht.

Natyrisht, me kusht që Mali i Zi ta pranojë këtë ide, që duket se nuk do të ndodhë. Sido që të jetë, disonanca, largimi nga përgjegjësia e loja me data aspak nuk i ndihmon qytetarët e Kosovës, të vetmit në Ballkan të privuar nga lëvizja në vendet evropiane për shkak të mossqarimit të problemit të demarkacionit me Malin e Zi.

(Autori është ligjërues i lëndës “E drejta Ndërkombëtare, Diplomatike dhe Konsullore” në Universitetin “Kadri Zeka”, në Gjilan)

 

 

© zëri.info