Zërat

Bardh Frangu

Komuna si ndërmarrje publike e partisë

29 shtator 2017 • 13 : 00

Më bëri përshtypje sjellja e kryetares së Shkodrës, Voltana Ademi. Në një shfaqje premierë kishte dalë e para në hollin e teatrit “Migjeni” dhe po i priste mysafirët, duke i përshëndetur me radhë. Në fillim mendova se ishte ndonjë përgjegjëse e teatrit, por kur mësova se ishte kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, ndjeva diçka të veçantë. Për më tepër, kjo zonjë, pasi mbaroi ceremoninë e mirëseardhjes, erdhi dhe u ngjit, pa u vërejtur fare, në mes të sallës për ta përcjellë shfaqjen. Kjo më bëri përshtypje shkaku se një sjellje të tillë nuk mund ta hasësh tek liderët tanë lokalë, të cilët, edhe shkaku i kompetencave të mëdha që kanë, sillen si sherifët nëpër filmat vesternë. Jo se dinë t’i respektojnë mysafirët, përkatësisht publikun, por ata me qëllim vinë të fundit, madje me shumë minuta vonesë, vetëm e vetëm që t'i dëshmojnë publikut se sa të rëndësishëm janë për ta. Natyrisht se vendet e tyre si zakonisht janë të rezervuara në rendin e parë.

E bëra këtë parantezë shkaku për ta vënë në pah faktin se liderëve tanë para së gjithash u mungon edhe një kulturë, përkatësisht një edukatë elementare, gjë e cila gjithnjë e më shumë po bëhet e dukshme edhe nëpër këto debatet televizive në kuadër të fushatës paraelektorale. Sigurisht që gjatë këtij muaji do të qeshim me debatet në formë burleske, por ama gjatë katër vjetëve të ardhshme do të qajmë nga problemet që jo vetëm nuk do t'i zgjidhin këta, por, për më keq, edhe nga problemet që do t'i krijojnë vetë.

Në fakt këta sherifët lokalë akceptohen si të tillë nga niveli komunal se në nivel qendror këta nuk kanë më shumë se kuptimin e shërbëtorëve të partisë, si të deleguar për ta shndërruar Komunën në ndërmarrje publike të partisë, duke u mbështetur në logjikën se politika vazhdon të jetë biznesi më profitabil në vendin tonë. Dhe këtë mision vazhdojnë ta kryejnë si është më së miri që nga paslufta e deri më sot. Pasi të zënë vend në karrigen e njeriut të parë të Komunës krejt çka duhet të bëjnë është fakti se duhet shpërblyer me një vend pune militantët që vrapojnë pas grumbullimit të votave. E kur qeveria lokale bie në duar të tyre, çfarë të mire mund të presin qytetarët!?  

Këta heronj të vegjël tragjikomikë as që e kanë idenë se sa të pafuqishëm janë në zgjidhjen e problemeve me interes për qytetarët. Po nuk kanë edhe pse të lodhen për këtë, ndërsa nuk ekziston institucioni i përgjegjësisë, por nuk  ekziston as sistemi i drejtësisë; mund të abuzojnë e të keqpërdorin sa të duan. Këta nuk kanë nevojë as të kërkojnë dhe as të japin përgjegjësi, këta kanë të vetmin obligim, që t'i shërbejnë si duhet shefit të partisë, i cili njëkohësisht është edhe në rolin e drejtorit gjeneral të ndërmarrjes publike, në këtë rast Komunës.

Vërtet të qeshet kur i dëgjon si flasin për asfalt, për kanalizim, për ujësjellës e për shkolla. Po këto shërbime i kemi kryer vetë si qytetarë edhe gjatë kohës së okupimit serb. Nëpërmjet vetë organizimit kemi mbledhur para për të gjitha këto shërbime dhe i kemi kryer. Po tani kur taksat tona keqpërdoren në format më kriminale, si mund të shpjegohet kjo!? Si mund të shpjegohet që ne qytetarët duhet t'i paguajmë pushtetarët, ndërsa ata t'i paguajnë grupet e interesit për të na i shkatërruar pyjet, lumenjtë, fushat, madje për të na i zënë edhe hapësirat publike, deri edhe trotuaret, nëpërmjet ndërtimeve të larta pa kriter dhe pa përfillur asnjë kusht urbanistik?    

Sigurisht që pushteti lokal shpërfaq krizën e pushtetit qendror, ndërsa është i ndikuar drejtpërsëdrejti nga ai. Dhe nuk mund të presim gjë më të mirë në organizimin e jetës dhe të kërkojmë shërbime më të mira dhe më cilësore. Sikur të ishin pak të përgjegjshëm këta liderët lokalë, në vend të premtimeve për krijimin e vendeve të reja të punës do të kishin guximin që të premtonin largimin nga puna të gjithë atyre militantëve partiakë që kanë stërngarkuar institucionet publike. Kjo edhe për faktin se ata bëhen pengesë në kryerjen e shërbimeve cilësore dhe në anën tjetër abuzohet me taksat tona. Për më tepër, në këtë rast jemi të obliguar që të përfillim standardet evropiane në numrin e të punësuarve në administratë.

Duket krejt e natyrshme që ne do të vazhdojmë ta delegojmë vullnetin tonë tek ata që do të vazhdojnë me politizimin e shkollave për të pasur një cilësi edhe më të dobët në arsim, do të vazhdojnë të delegojnë militantë nëpër institucione shëndetësore për të pasur shërbime edhe më të dobëta që kemi aktualisht. Bazuar në përvojat e deritashme, vota jonë nuk do të na ndihmojë që të dalim fitues as në përballje me bërllokun dhe me qentë endacakë. Sigurisht që këtyre zgjedhjeve mund t'u gëzohen vetëm fëmijët, ndërsa dëgjoj nga shumica e kandidatëve për kryetarë komunash se prioritet do ta kenë sigurimin e kifleve për ta.        

© zëri.info