Zërat

Urtak Hamiti

(Jo)humaniteti i serbëve dhe i rusëve në Kosovë

27 shtator 2017 • 12 : 28

Është një film i shkëlqyeshëm dhe tronditës nga regjisori i famshëm polak Andrzej Wajda, quhet “Katyn” (https://www.youtube.com/results?search_query=katyn+full+movie) dhe ka qenë i nominuar për çmimin “Oskar” në vitin 2008, por edhe ka fituar mbi 80 shpërblime të tjera. Motivi i filmit është ekzekutimi i mbi 20.000 oficerëve dhe intelektualëve polakë në vitin 1940 në pyjet e Rusisë Perëndimore pasi ishin arrestuar/mbledhur pas okupimit të Polonisë nga forcat ruse në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Ngjarja përcjell jetën e familjarëve të oficerëve dhe intelektualëve për vite derisa presin të kuptojnë se çka ka ndodhur me më të dashurit e tyre, ndërsa pamjet grafike të ekzekutimit janë krejt në fund të filmit. Në mënyra të ndryshme, gati të gjithë familjarët vdesin. Nga pushteti pro rus që instalohet në Poloninë e pasluftës, nga kryengritja ndaj tij, nga pikëllimi. Pra, ndonëse gjenocidi/krimi është i përgjithshëm dhimbja dhe humbja janë individuale. Tema themelore e filmit është se një popull ndaj të cilit ushtrohet gjenocidi i organizuar për t’ia zhdukur më të mirët dhe më të mençurit e ka vështirë të ringrihet dhe të ringjallet. 

Në Kosovë ka ndodhur pothuajse e njëjta gjë, nëse jo edhe më keq sepse në vitet 1998 dhe 1999 serbët kanë vrarë jo vetëm oficerët dhe intelektualët në mënyrë të organizuar, por edhe fëmijët. Dhe jo që nuk janë penduar dhe nuk kanë kërkuar falje, por kanë shpërndarë dhe vazhdojnë të shpërndajnë dekorata për këtë që kanë bërë. Pra, nuk jemi të vetmit që kemi përjetuar një gjenocid dhe, ndoshta, kjo ndjenjë është edhe një ngushëllim. Në Kosovë ishin së bashku atëherë edhe serbët, edhe rusët.

Tash së fundmi serbët dhe rusët përsëri janë vendosur së bashku të kthehen nën petkun e një iniciative humanitare. Drejtuesit e Zyrës për Kosovën në Beograd njoftuan opinionin publik se kanë nënshkruar një marrëveshje me një OJQ që quhet “Misioni humanitar rus” për të ndihmuar popullin serb në Kosovë. Një vështrim i veprimtarisë së kësaj organizate dhe strukturës së saj tregon se nuk janë fare joqeveritare, por edhe një degë më shumë e veprimtarisë politike të Rusisë në Serbi dhe në Ballkan, nga shumë të tilla që në vitet e fundit janë themeluar edhe në Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi. Lidhja e kësaj organizate me Ambasadën e Rusisë në Beograd është e drejtpërdrejtë dhe financimi bëhet nga fondet që financojnë edhe “Qendrën Humanitare Serbo-Ruse”, e cila gjendet në Nish.

Kjo qendër është veçanërisht e rëndësishme sepse ka qenë kontroverse që nga themelimi i saj në vitin 2012 pas marrëveshjes në mes të ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiq dhe ministrit të Mbrojtjes së Rusisë Sergej Shoygu. Në këtë qendër veprojnë një numër i shtetasve rusë dhe serbë. Statusin e saj e ka kontestuar Departamenti i Shtetit të SHBA-së, përkatësisht Hoyt Brian Yee, i ngarkuar me çështjet e Evropës dhe të Euro-Azisë, dhe Ambasada e SHBA-së në Beograd, nga ambasadori Kyle Scot, sepse kanë dyshime të bazuara se veprimtaria e saj është e mbledhjes së informatave dhe e veprimtarive të ndryshme subversive. Thënë më thjesht, dyshimin e kanë se është qendër spiunazhi e jo humanitare. Këtë e bazojnë edhe në faktin se Rusia këmbëngul që shtetasve të saj që punojnë në Qendër në Nish t’u njihet statusi dhe imuniteti diplomatik. Serbia këtë ende nuk e ka bërë sepse vazhdon të luajë politikën e dyfishtë të bashkëpunimit edhe me SHBA-në, edhe me Rusinë. Mirëpo, synimi i Serbisë duket se është të fusë në Kosovë iniciativa e grupime qeveritare dhe joqeveritare ruse për të komplikuar edhe më shumë situatën dhe për të pamundësuar jetën e shtetit të Kosovës dhe të shqiptarëve tani me një dimension të ri - duke bërë presion tek aleatët e tyre SHBA-së.

Kjo dëshmon se serbët, po edhe rusët, nuk e kanë ndërmend t’i ndërrojnë planet e tyre të para njëzet vjetëve dhe se për të mbrojtur popullin e Kosovës institucionet e saj, por edhe faktorët e tjerë joqeveritarë shqiptarë duhet të jenë vigjilentë, koshientë dhe në radhë të parë veprues. Nuk mjaftojnë përkujtimet e aleatëve të udhëhequr nga SHBA-ja se qëllimet e serbëve dhe të rusëve nuk janë humanitare, por politike dhe janë përpjekje për të minuar progresin e arritur në Kosovë. Ata këtë e dinë. Nuk mjaftojnë as përkujtimet për shqiptarët e vrarë nga serbët si formë e viktimizimit të përjetshëm mbrojtës. Nevojitet ringritje e shqiptarëve të Kosovës për të krijuar mekanizmat mbrojtës ushtarakë dhe diplomatikë për të mos lejuar rrezikun për popullin dhe për shtetin. Nevojitet rishikim i raporteve në mes të popujve, rishikim i asaj se deri kur ka arritur Kosova prejse është çliruar dhe pavarësuar, i asaj se çka ka fituar nga dialogu me serbët e Beogradit dhe rivlerësim i vetë shqiptarëve se a janë të mbrojtur sa duhet dhe sa është e rrezikuar e ardhmja e tyre dhe e shtetit të tyre - Kosovës.

Dhe në fund, babai i regjisorit Andrzej Wajda, Jakub Wajda, ishte njëri nga oficerët e pushkatuar në pyjet e Katinit. Wajda, në një prononcim pak para vdekjes për gazetën “Guardian”, kishte thënë se filmin e kishte bërë për të mos harruar, jo për t’u hakmarrë dhe për të treguar se humaniteti diku nuk ekziston. Filmi “Katyn” kurrë nuk është shfaqur në kinematë e Rusisë.  Polakët kurrë nuk e kanë harruar krimin e Katinit edhe me të gjitha kërkimfaljet e rusëve.

 

© zëri.info