Zërat

Enis Veliu

Agjencia e Varur e Akreditimit

27 shtator 2017 • 13 : 43

Vendimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së pavarur të Akreditimit përfundimisht futi nën “komandën” e tij një institucion, i cili deri më tash ka funksionuar si i pavarur, e që së fundi ka tentuar të vendosë rregull në sektorin e arsimit të lartë të Kosovë.

Me këtë veprim kryeministri Haradinaj ndërhyri direkt në një agjenci të pavarur, e që në kushte dhe rrethana normale është dashur dhe duhet të jetë e tillë, jo në shërbim të politikës, siç po dëshiron ta shndërrojë ky, por në shërbim të qytetarëve të këtij shteti.

Është për të ardhur keq se ndërhyrja e kryeministrit erdhi vetëm atëherë kur ky institucion së fundi mori vendime të mëdha në të mirë të sektorit të arsimit të lartë, në të mirë të qytetarëve të Kosovës. 

Por, vendimet e tilla të Bordit të Akreditimit kanë goditur direkt “bosët” e këtyre kolegjeve, të cilëve filloi t’u humbë “tregu” i diplomave.

Është i çuditshëm vendimi i kryeministrit Haradinaj, ndonëse Agjencia e Akreditimit për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore ka zvogëluar numrin e programeve të studimit nga 486 në vitin 2015, në 346 programe në vitin 2017, pasi që këto nuk kanë plotësuar kriteret as minimale të cilësisë, sipas Kornizës Ligjore në fuqi.

Po ashtu Agjencia kishte pezulluar mbi 140 programe të studimeve për mungesë të stafit akademik, kishte mbyllur 8 institucione private të arsimit të lartë për shkak të mosplotësimit të kritereve minimale të cilësisë të përcaktuara sipas Kornizës Ligjore në fuqi. Po ashtu iu ndalua puna mbi 60 profesorëve nga rajoni (Maqedonia, Shqipëria dhe vendet tjera) vetëm për letra në institucionet tona të arsimit të lartë. Këta 60 “profesorë” kanë ofruar deklarime të rreme në Agjenci për qëllime të akreditimit, madje disa prej tyre as nuk ishin në dijeni që emri i tyre përdorej nga institucionet e arsimit në Kosovë, e disa nuk kanë qenë asnjëherë këtu.

Bordi është shkarkuar, ndonëse nuk ka lejuar që arsimi i lartë të shndërrohet në biznes qebaptoresh.

Sektori i arsimit në Kosovë është në gjendje alarmante dhe tash së fundi vendimi i kryeministrit për ta hequr pavarësinë edhe më shumë do ta rëndojnë gjendjen e këtij sektori.

Është për të ardhur keq se shumica e kolegjeve private të akredituara kanë nxjerrë studentë të diplomuar me mesatare të lartë të notave, derisa të njëjtit kanë probleme elementare me gjuhën amtare.

Është për të ardhur keq se në vend çdo ditë e më shumë po rritet numri i analfabetëve me diploma nën sqetull.

Është për të ardhur keq se në këto kolegje private qytetarët e këtij shteti janë pajisur me diploma universitare, e që në disa raste është dyshuar se ata nuk kanë të përfunduar as shkollën e mesme.

Andaj është momenti i fundit kur politika duhet të heqë dorë përfundimisht nga sektori i arsimit, por çuditërisht po ndodh e kundërta, politika po fut direkt duart në kontrollin e sektorit të arsimit të lartë.

Në kushte dhe në rrethana normale janë qytetarët ata që duhet ta çojnë zërin karshi kësaj ndërhyrjeje të madhe, jo se janë shkarkuar disa anëtarë të Bordit, e që në mesin e tyre ka pasur edhe zyrtarë të partive politike, por me ketë veprim është goditur arsimi, është goditur e ardhmja e rinisë kosovare, pasi që Bordi i Agjencisë nuk ka lejuar që shumë matrapazë të “shesin” diploma, por ka kërkuar që diplomat t’u takojnë vetëm atyre që e meritojnë.

 

 

© zëri.info