Zërat

Mentor Nazarko

Zgjedhja e Merkelit: konkurrencë dhe bashkëjetesë mes autokratësh

26 shtator 2017 • 20 : 05

Zgjedhjet në Gjermani i dhanë fitoren koalicionit CDU/CSU të Angela Merkelit, që hyn në historinë e gjermane me rekordin si kancelarja e parë femër që siguron katër mandate radhazi. Duke qenë se Gjermania është ekonomia prijatare në Evropë që dikton edhe rrjedhat politike në BE, fitorja e Merkelit tangenton edhe fatet e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe rajon.

Ka pasur komente të shumta në lidhje me fitoren e saj, dhe është e pritshme që një komentator shqiptar të mos ofrojë një analizë shterruese rreth shkaqeve reale të kësaj fitore.

Ajo çka është kurioze për rastin shqiptar është pyetja se çfarë e bën fituese drejtuesen e një partie konservative. Pyetja se a është Gjermania një shtet demokratik, me tonin e saj provokativ, të nxitur nga komentet e disa detraktorëve të Merkelit, nuk ka se si ta shmangë faktin që kemi të bëjmë me një nga sistemet më të konsoliduara demokratike në Evropë.

Në Shqipëri, në rajon, por edhe në gjithë Evropën Juglindore, që ishte pjesë e bllokut komunist, kemi liderë që kanë konsumuar disa mandate (Berisha, Thaçi, Gjukanoviç, Gruevski, Vuçiç e tash edhe Rama). Hiç më larg kemi Erdoganin, i cili, përmes ndryshimeve kushtetuese, po udhëheq Turqinë herë në cilësinë e kryeministrit, herë në atë të presidentit fuqiplotë.

Më e dobishme për analizën e këndvështrimit shqiptar do të ishte vramendja se çfarë e bëri fituese Merkelin?

Në analizat e shumta identifikohen disa arsye: së pari, ekonomia gjermane nën drejtimin e kancelares Merkel ka njohur hove marrëmendëse të rritjes.

Së dyti, shoqëria gjermane, me gjithë krizat e brendshme dhe të jashtme, ka treguar maturi dhe qetësi të admirueshme, veçanërisht përballë stihisë së refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore.

Nën drejtimin e Merkelit, Evropa po konturizohet si një alternativë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diçka që nga komentues të ndryshëm po shihet edhe si kundërvënia më serioze ndaj Amerikës së Trump-it, duke e krijuar një siprani ekonomike dhe politike në skenën globale.

Në analizat e shumta me nuancime kritike është folur edhe për marrëdhënien e Merkelit me partinë e saj, CDU. Gertrud Höhler, si një nga kritiket më të zëshme, e akuzonte Merkelin si një autokrate të thekur, që ka eliminuar të gjithë kundërshtarët politikë brenda dhe jashtë partisë.

Kjo kritikë e vendos theksin edhe te fakti që Merkel është lindur dhe rritur në Gjermaninë Lindore dhe se ajo nuk ka një marrëdhënie të mirë me demokracinë. Sipas Höhler-it, ekziston frika që në Gjermani po vendoset një autokraci e tretë, duke pasuar nazizmin dhe komunizmin.

Edhe kritikë të tjerë shigjetojnë me akuzën se Merkeli po bëhet një autokrate klasike, anipse nuk ka asnjë shenjë të vetme të autokratizimit të jetës politike në Gjermani, në kuptimin që pushtetet vazhdojnë të jenë qëndrueshmërisht të ndara dhe institucionet nuk janë të kapura, siç ndodh në rastin e Rusisë apo Turqisë.

Këto zgjedhje etabluan fitoren e një gruaje aspak karizmatike, e cila nuk administron pushtetin në mënyrë mujshare dhe as nuk është shprehëse e grupeve oligarkike të interesit.

Kemi pra një model të demokracisë funksionale, ku një person që ka fituar mandatin për të katërtën herë me radhë nuk po e ndryshon sistemin.

Krejt ndryshe, në rastin e Erdoganit kemi të bëjmë me një ndryshim rrënjësor të sistemit, dobësimin e qendrave të tjera të fuqisë (siç ishte spastrimi i ushtrisë), rritjen e ingerencave presidenciale si dhe dobësimin e shekullarizmit të traditës së fiksuar nga Ataturku.

Në parantezë do të duhej të shtohej se Gjermania, për shkak të ndikimit të saj të gjithëmbarshëm në BE, vazhdon të ketë rol të dorës së parë edhe në zhvillimet në Ballkan. Gjermania është veçanërisht e interesuar për zhvillimet në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe fitorja e saj sigurisht se do të entuziasmojë Ramën dhe Vuçiçin. Janë pikërisht këta që janë mikluar nga Merkeli si dy udhëheqës rajonalë, si përfaqësues të dy kombeve më të mëdhenj në rajon, në shpatullat e të cilëve rëndon detyra historike e afrimit dhe bashkëpunimit ekonomik.

Rrjedhimisht, Berlini ka vendosur një lloj tutele mbi Ballkanin, që në prapakthim e  minimizon Greqinë në rajon, dhe kjo përbën një rrethanë vërtetë fatlume. Athina do të duhet të heqë dorë nga politika e saj imponuese dhe kushtëzuese ndaj vendeve të rajonit në rrugën e tyre evropiane.

Në Kosovë pati edhe prononcime, si, fjala bie, thirrja e Vetëvendosjes për të orientuar votën e shtetasve gjermanë me prejardhje shqiptare.

Këtu nuk ka asgjë problematike, përderisa solidariteti i partive që janë të fytyrëzuara njësoj ideologjikisht tashmë është një praktikë e njohur.

Por, Vetëvendosja doli dyfish humbëse me thirrjen e saj për mbështetjen e partive të majta, përkatësisht SPD-së së Martin Schulz-it, e cila pati një rënie në përqindjen e saj. Kjo sikur e shkërmoqi mitin e krijuar prej kohësh se gjoja Gjermania përkrah ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet. Nxitimi i Vetëvendosjes (e mbase topitja e sensit të saj) i dha të drejtë atyre politikanëve që bën thirrje në mënyrë të moderuar të votohej CDU e Merkelit. /konica.al/

© zëri.info