Zërat

Arsim Canolli

Kosova, UNESCO dhe propaganda serbe

23 shtator 2017 • 15 : 55

Propaganda serbe po vazhdon egër në prag të kohës së aplikimit potencial të Kosovës për anëtarësim në UNESCO dhe dialogut potencial të Kosovës me Serbinë.

Në Paris, para disa ditësh, u shfaq dokumentari propagandistik, i pasaktë dhe urrejtës i Boris Malagurskit në prani të ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s duke krahasuar shqiptarët me ISIS-in. Kjo propagandë e pandërprerë bëhet për t’i bindur vendet perëndimore se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë duhet të marrë status special të tipit të “Atosit” në Greqi.

Intensiteti propagandues i elitës politike, kulturore dhe i medieve serbe është sforcuar jo vetëm për arsye të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, por kryesisht për arsye të dialogut potencial Kosovë–Serbi, ku synohet të flitet edhe për trashëgimi kulturore.

Serbia dëshiron ta krijojë shtratin argumentues për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja me kërkesën e saj “të argumentuar” për statusin e “kishë-shtetit” për Kishën Ortodokse Serbe dhe pronat e saj. Sepse, sipas Serbisë, kishat dhe manastiret serbe do të rrezikohen nga shqiptarët, që sipas propagandës serbe janë “si ISIS-i”.

Sa qëndron ky argument në aspektin politik, ligjor e profesional?

Së pari, pas dëmtimeve të trashëgimisë kulturore në përgjithësi, në vitin 1999 dhe pas dëmtimeve të kishave dhe manastireve serbe, në vitin 2004, Kosova ka pësuar dëm të madh.

Madje, ngjarjet e marsit të vitit 2004 janë ngjarje për t’u dënuar si akte të tmerrshme të dhunës ndaj trashëgimisë kulturore, përkatësisht ndaj objekteve të kultit të besimit ortodoks serb.

Gjatë negociatave për pavarësinë e saj Kosova ka pranuar Planin e Ahtisaarit, i cili nxjerr ligje specifike për Kishën Ortodokse Serbe dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës dhe mbikëqyrjes së saj këto ligje kanë hyrë plotësisht në fuqi. Madje, mund të argumentohet se në asnjë vend të rajonit e më gjerë nuk diskriminohet trashëgimia kulturore mbi baza etnike e fetare si në Kosovë.

Politikisht Kosova ka pranuar ta akomodojë Kishën Ortodokse Serbe brenda juridiksionit të saj kushtetues dhe ligjor, ndonëse ka pasur refuzime mjaft të mëdha nga një pjesë e spektrit politik. Akomodimi i tillë ligjor është çmim i lartë politik për shtetin e Kosovës, pavarësinë dhe sovranitetin e saj: pranohet Kisha Ortodokse Serbe me seli në Beograd si pjesë e kushtetutshmërisë dhe kornizës ligjore të Kosovës.

Së dyti, Kosova ka ligje jashtëzakonisht specifike, të cilat konsiderohen edhe si “sui generis” në botë për kishat dhe manastiret që konsiderohen si prona të Kishës Ortodokse Serbe. Këto ligje kanë dalë nga Plani i Ahtisaarit dhe, në fakt, janë ligje që kanë përmbajtje të fjalëpërfjalshme me përmbajtjen e “Aneksit V” të Ahtisaarit. Derivati kryesor ligjor është Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, i cili po ashtu nxjerr ligje të tjera edhe më specifike, si Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, Ligji për Hoçën e Madhe dhe Ligji për Fshatin Zym.

Si në Prizren, si në Hoçë të Madhe ekzistojnë këshille që vendosin për çdo intervenim brenda zonave speciale ku ekzistojnë kishat dhe manastiret serbe, ku secili objekt ka perimetër të mbrojtjes dhe nuk lejohet as ndërtim, as intervenim, madje as grupime të njerëzve qoftë edhe për argëtim. Serbët lokalë dhe Kisha Ortodokse Serbe përfaqësohen në këto këshille dhe pa lejen e tyre nuk mund të merret asnjë vendim.

Po ashtu Kisha Ortodokse Serbe ka diskrecion të plotë në menaxhimin e objekteve të saj dhe madje pa lejen e saj as nuk mund të hyhet në objektet e tyre. Ekziston edhe Këshilli për Monitorin dhe Zbatim, këshill me përbërje ndërkombëtare me dispozita ligjore, ku zë vend Kisha Ortodokse Serbe, BE-ja, OSBE-ja, institucionet shtetërore të Kosovës, përkatësisht Ministria e Kulturës dhe Ministria e Planifikimit Hapësinor.

Krejt kjo për ta siguruar Kishën se, pos institucioneve vendore, edhe institucionet më të larta ndërkombëtare marrin pjesë në vendimmarrjen për pronat e kishës ortodokse serbe. Evidenca ekziston se ky këshill ka funksionuar mirë që nga viti 2012 dhe në mandatin e vet ka marrë vendime të shumta, duke ndërtuar mirëbesim mes Kishës Ortodokse Serbe dhe institucioneve të shtetit të Kosovës.

Pra, në aspektin ligjor, kishat dhe manastiret janë fortifikuar sikurse të ishin “ishuj” brenda kushtetutshmërisë së Kosovës. Megjithatë, Kosova këtë e ka pranuar dhe ka dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme se zbaton këto ligje në përpikëri.

Së treti, në aspektin profesional kishat dhe manastiret e dëmtuara gjatë vitit 2004 i janë nënshtruar procesit të restaurimit, ku mbi 70% e tyre janë restauruar plotësisht nën mbikëqyrjen e institucioneve ndërkombëtare dhe vendore dhe me mbikëqyrjen e organeve të përcaktuara edhe nga vetë Kisha Ortodokse Serbe. Miliona euro e dollarë janë shpenzuar për t’i restauruar këto objekte të dëmtuara sipas raportit të Këshillit të Evropës (2012).

Po ashtu Qeveria e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme ka ndarë fonde për t’i restauruar edhe 30% të pjesës së mbetur, fonde të cilat janë kthyer në buxhetin e Kosovës, sepse Kisha Ortodokse Serbe nuk i ka pranuar, evidencë që mund të shihet në ligjet vjetore për buxhetin e Kosovës dhe në programet e institucioneve shtetërore relevante për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Ekziston evidencë se institucionet e trashëgimisë kulturore kanë bashkëpunuar vazhdimisht me Kishën Ortodokse Serbe dhe me komunitetin serb në Kosovë. Madje, institucionet shtetërore të trashëgimisë kultura kanë mbrojtur “zonat specifike”, ku ka objekte kulti edhe nga vetë padija dhe obsesioni mitik i Kishës Ortodokse Serbe për të rikonstruktuar mbi gërmadha, një gjë që nuk lejohet as me ligje vendore, as me ligje, konventa e praktika ndërkombëtare.

Atëherë, ku qëndron synimi i shantazhit të Kishës Ortodokse Serbe dhe propagandës perfide të vazhdueshme të Serbisë?

Synimi i Serbisë qëndron te hapja e temës së trashëgimisë kulturore në dialogun potencial mes Kosovës dhe Serbisë. Si thamë, Serbia përmes propagandës nëpër kryeqytete evropiane te zyrtarët e lartë të BE-së dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë synon ta fryjë balonën e argumentit të “rrezikut” të zhbërjes së trashëgimisë serbe dhe identitetit serb në Kosovë nga “shqiptarët që janë si ISIS-i”. Këtë e bën në emër të kundërshtimit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, por i cili duket të jetë te përfitimi i statusit “kishë-shtet” në dialogun e ardhshëm.

Ideja e propaganduesve serbë është denigrimi i institucioneve të shtetit të Kosovës në emër të mungesës ligjore, moszbatimit të ligjit, paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik e institucional për t’i mbrojtur pronat e Kishës Ortodokse Serbe e me radhë.

Përmes kësaj synohet sensibilizimi i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për ta ngritur temën e trashëgimisë në dialog. Pra, dhëmbi dhemb jo vetëm te anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, por te statusi ekstra special i tipit “kishë-shtet” i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Sepse, në një sens, edhe pse propaganda serbe në Paris është perfide ajo mund të ketë edhe efekt kundërpropagandistik te ambasadorët. Sepse pyetja logjike e ambasadorëve të huaj mund të shtrohet: nëse trashëgimia serbe qenka në rrezik, anëtarësimi sa më i shpejtë i Kosovës në UNESCO do të duhej të mos pengohej, por të bëhej sa më parë; në fakt Kosova obligohet ta mbrojë edhe më shumë trashëgiminë kulturore brenda territorit të vetë, sepse ajo bëhet më e dukshme në skenën ndërkombëtare.

Megjithatë, synimi i Serbisë nuk është vetëm te kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, sa është propagandimi për “gjendjen alarmante të trashëgimisë serbe në Kosovë”, në mënyrë që ta hapë dhe ta negociojë (dhe eventualisht ta përfitojë) një status special për “Kishën Ortodokse Serbe dhe trashëgiminë serbe” në Kosovë.

Në aspektin politik përfaqësuesit e Qeverisë dhe të shtetit të Kosovës kanë të gjitha evidencat, arsyet dhe argumentet për të dëshmuar se shteti i Kosovës edhe politikisht, edhe ligjërisht, edhe profesionalisht ka bërë një punë konsistente, jashtëzakonisht të paprecedentë në botë, për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore gjatë dekadës së fundit. Shteti i Kosovës e ka akomoduar politikisht dhe e ka fortifikuar ligjërisht objektin e kultit serb në Kosovë.

Përfaqësuesit e Qeverisë dhe shtetit të Kosovës duhet t’ua kujtojnë përfaqësuesve ndërkombëtarë të gjitha këto evidenca e argumente. Propaganda e Serbisë mund të shkaktojë indinjatë emocionale te Qeveria e Kosovës, por kjo propagandë duhet të refuzohet me evidenca e argumente, jo retorikë boshe. Kosova nuk duhet të pranojë të japë koncesione të reja për Kishën Ortodokse Serbe dhe kishat e manastiret e saj as në dialogun potencial me Serbinë, as në ligjet e ardhshme të Kosovës.

Në fund të fundit Kosova nuk duhet ta pranojë dialogun për Ahtisaari + . Sepse Kosova nuk guxon ta monumentalizojë makthin serb për Kosovën, duke negociuar kërkesën e Serbisë për status “kishë-shtet” për Kishën Ortodokse Serbe. Këtë duhet ta dijë edhe bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht veshnleshët e BE-së, të cilët janë edhe pjesë e kornizës ligjore për trashëgimi kulturore dhe konventat evropiane ekzistojnë jo vetëm në ligje, por edhe brenda deklaratës së pavarësisë së Kosovës. Ata këtë e dinë, por është punë tjetër se si e këshillojnë Kosovën e si heshtin para Serbisë.

Sepse një hapje e kësaj teme për ta akomoduar kërkesën e Serbisë do të mundë ta destabilizonte Kosovën dhe rajonin. Fundi i fundit deputetët shqiptarë duhet të jenë garancë e refuzimit politik të këtij sherri, që mund ta prish paqen e këtij vendi në të ardhmen afërt dhe në atë të largët.  

 

© zëri.info