Zërat

Enis Veliu

Në garë të re me premtime të vjetra

22 shtator 2017 • 13 : 06

Agim Bahtiri gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit 2013 kishte premtuar se në qytetin e tij të lindjes, në Mitrovicë, do të hapte më shumë se 15 mijë vende pune, do ta bashkonte qytetin e ndarë nga lufta, por pati dhënë edhe shumë premtime të tjera, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të qytetit.

Por, pavarësisht se asnjëri nga dy premtimet kryesore të tij nuk është realizuar në praktikë, ai sërish i ka hyrë garës për të marrë edhe një mandat “timonin” e Komunës së Mitrovicës.

Por nuk është vetëm Bahtiri i AKR-së që mashtroi elektoratin gjatë fushatës parazgjedhore dhe më pas gjatë menaxhimit të Komunës për 4 vjet. Në Prishtinë, kështu veproi Shpend Ahmeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, në Prizren Ramadan Muja i PDK-së, në Gjakovë Mimoza Kusari e AKR-së, ku në fund të mandatit për interesa personale kjo braktisi partinë e Pacollit, por edhe Komunën.

Kjo e fundit, por edhe shumë nga kryetarët aktualë kanë dalë në “gjah” duke dhënë premtime mashtruese, vetëm e vetëm për t’i marrë votat e tyre. Ata i kanë hyrë garës së re derisa në ditën e parë po promovojnë premtime të vjetra që i kanë dhënë qysh gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve të kaluara në vend.

Nga një hulumtim, që të enjten e ka publikuar Instituti GAP, shihet se nga 548 premtimet e dhëna deri në gjysmën e dytë të muajit shtator 2017 janë përmbushur plotësisht 283 premtime, 78 premtime janë përmbushur pjesërisht, janë iniciuar procedura për realizimin e 121 premtimeve, ndërsa në 66 premtime nuk ka pasur asnjë hap në përmbushjen e tyre. Në hulumtimin e bërë të GAP-it shihet se kategoria ku më së shumti janë përmbushur premtimet lidhet me infrastrukturën, përkatësisht me premtimet për rregullimin dhe asfaltimin e rrugëve, instalimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit, impiante për trajtimin e ujërave të zeza, ndriçimit publik, ndërtimin e urave, etj.

Ndërkaq fushat ku komunat nuk kanë arritur t’i përmbushin premtimet lidhen me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, tërheqjen e investimeve nga diaspora, hapjen e ndërmarrjeve të reja, funksionalizimin e zonave ekonomike dhe parqeve industriale, zhvillimin e projekteve në partneritet publiko-privat, përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, krijimin dhe financimin e ekipeve për hulumtime arkeologjike, mbulimin e zonave me plane rregulluese, hartimin e strategjive sektoriale, etj.

Është momenti i fundit kur qytetarët duhet të vetëdijesohen dhe t’u japin votën kandidatëve të cilët do të hapin vende të reja pune, që do t’i zhvillojnë komunat ku ata jetojnë, që do ta luftojnë korrupsionin e jo të votojnë kandidatët që edhe më tutje do të vazhdojnë të abuzojnë me para të shtetit siç ka ndodhur deri më tash.

Qytetarët duhet të zgjedhin kandidatët të cilët kanë plan të detajizuar për zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit të arsimit e jo kandidatët që kanë në plan të ndërtojnë shkolla të reja, vetëm e vetëm për të marrë përqindje gjatë procesit të prokurimit.

Është momenti i fundit kur duhet t’u jepet mundësi gjeneratave të reja të pakorruptuara e jo t’u jepet që të vazhdojnë edhe më tutje atyre kryetarëve të komunave që shumë qytetarëve ua kanë humbur shpresat për të jetuar në këtë shtet.

© zëri.info