Zërat

Mimoza Ahmetaj

Zgjedhjet në Gjermani dhe ndikimi i tyre në Ballkan

22 shtator 2017 • 13 : 04

Zgjedhjet e së dielës në Gjermani nuk do të sjellin ndryshime sa i përket fituesit ngase kjo gjë tanimë dihet, por dilema është se si do të duket koalicioni i ardhshëm qeverisës. Sondazhet e deritanishme tregojnë se në Bundestagun Gjerman me 703 ulëse, CDU-ja e kancelares Merkel do të fitojë 36% të ulëseve për dallim nga SDP-ja, socialdemokratët e ish-kryetarit të Parlamentit Evropian, Schultz, që supozohet se do të fitojnë 22% të votave. Partia e tretë del të jetë Aleanca për Gjermaninë (AfD), parti e ekstremit të djathtë e cila llogaritet të fitojë 11%. Në Parlament do të jenë edhe Liberalët (FDP) me 11% dhe të Gjelbrit.

Se si do të duket koalicioni qeverisës, sipas të gjitha gjasave do të përcaktohet nga numri i votave të AfD-së. Rritja e numrit të votave për këtë parti është alarm dhe mesazh për mobilizim për partitë pro evropiane gjermane , por  edhe ato evropiane për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian më 2019-n. Një koalicion me shtrirje  të  gjerë në mes CDU-së, SPD-së dhe të gjelbërve  apo liberalëve është formula më e mundshme e qeverisjes së re të Gjermanisë në nivel federal. Koalicioni “Jamaica” (për shkak të ngjyrave të tri partive zezë, verdhë dhe gjelbër) i përfolur për një kohë të gjatë në mes CDU-së, FDP-së dhe të Gjelbrit duket me pak i mundshëm në një kohë kur votat për AfD-në janë në rritje, ani pse liderët e partive gjermane nuk preferojnë të flasin për koalicionet paszgjedhore në kohë të fushatës.

 

Një gjë është e ditur se kancelarja Merkel do të arrijë që për të katërtën herë t’i fitojë zgjedhjet me një diferencë signifikante me partinë e dytë SPD. Edhe pararendësi i saj Helmut Kohl nga e njëjta parti, po ashtu e kishte udhëhequr Gjermaninë për katër mandate. Ajo mbetet figura që përkrahet në masë nga opinion gjerman. Nga 36% e votuesve gjerman 75% janë gra që besojnë në udhëheqjen e saj.

Vendimet e marra gjatë mandatit të fundit edhe pse jo çdoherë ishin popullore dhe shkaktuan reaksion në opinionin publik gjerman edhe vetë brenda CDU-së, nuk e zbehën përkrahjen e opinionit gjerman ndaj CDU-së dhe Merkelit personalisht.

Pranimi i një milion refugjatëve në Gjermani nga Siria, votimi pro martesave homoseksuale, pensionimi para moshës së duhur i atyre që kanë përvojë pune të mjaftueshme, ndihma dhënë Greqisë në miliarda euro për ta tejkaluar krizën e thellë ekonomike, sanksionet ndaj Rusisë dhe përkrahja ndaj Ukrainës, dënimi i regjimit të Bashar al Assadit në Siri, lufta kundër ISIS-it, janë vetëm disa nga masat e ndërmarra të kancelares gjermane në mandatin që e la pas. Të gjitha këto vendime si brenda ashtu edhe  jashtë  vendit do të mbahen në mend si veprime të guximshme dhe në kohë të duhur. Ani pse të kushtueshme ekonomikisht nuk e ndaluan Gjermaninë që ajo ta zvogëlojë shkallën e papunësisë edhe ta rritë edhe më tepër BPV-në dhe influencën në politikën evropiane dhe në botërore. 

 

Gjermania vazhdon të mbetet boshti rreth së cilës do të sillen politikat jo vetëm të Evropës, por edhe të mbarë botës në katër vjetët e ardhshme. Partneriteti në mes Merkel dhe Macron (Gjermani-Francë) si dy shtete themeluese të BE-së, do të jetë mesazh për qytetarët e BE-së dhe më gjerë, se parimet mbi të cilat është krijuar Unioni, pas Luftës së Dytë Botërore (paqja, barazia dhe solidariteti) janë të panegociueshme dhe janë bazë mbi të  cilën është ndërtuar edhe ekonomia, lëvizja e lirë dhe çdo vlerë tjetër qytetare e Evropës.

Për Evropën dhe më gjerë, në një kohë kur bota rreth nesh po përballet me shumë sfida, që nga Lindja e Largët, Koreja e Veriut dhe provokimet e saj mbi qiellin e Japonisë e deri te kriza e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, finalizimi i Brexit, problemi me Ukrainën, radikalizmi fetar, kërkesat e shteteve anëtare për më tepër sovranitet brenda BE-së, ndryshimi i Traktateve të Unionit, reforma në Eurozonë dhe sistemin e tatimeve etj, janë disa nga arsyet pse Evropa dhe më gjerë kanë nevojë për binomin Merkel-Macron. Para së gjithash nga ta kërkohet që ta mbrojnë dhe ruajnë tërësinë e vlerave të BE-së që u sfidua disa herë pas referendumit pro Brexit dhe përveç kësaj edhe të garantojnë zgjerimin me përfshirjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor si shtete anëtare me të drejta të plota në një perspektivë të afërt.

Se cili është roli i Gjermanisë në Ballkan e tregon edhe fakti se Gjermania si garantuese e mori nën patronatin e saj - udhëheqjen e iniciativës WB6 (Western Balkan 6) që tashmë njihet si Procesi i Berlinit dhe që do të shërbejë për bashkëpunimin rajonal në mes qeverive (nder kushtet kryesore për anëtarësim në BE), konektivitetin e Ballkanit Perëndimor me projekte infrastrukturore dhe energjisë si dhe bashkëpunimin e shoqërisë civile. Në ndërkohë Gjermania ka dalë edhe me një propozim tjetër me Planin Marshall për BP-në ose Berlin+Process që do t’i ndihmonte këto vende në rimëkëmbje ekonomike. Nënshkrimi i Traktatit të Transportit, si dhe Marrëveshjes së Zonës së Lirë Ekonomike do të jenë faktor suplementar në procesin integrues për rajonin po ashtu të fascilituara nga BE-ja, por të sponsorizuara nga Berlini zyrtar.

Deklarata e fundit e presidentit të KE-së, Juncker se deri më 2025-n Mali i Zi dhe Serbia mund të anëtarësohen në BE dhe zënia në befasi e zyrtarëve në Bruksel nga kjo deklaratë tregon se Berlini zyrtar është gjeneratori i proceseve të rëndësishme dhe një hap më larg nga të tjerët.

 

Për të gjitha shtetet e rajonit Gjermania e ka bërë të qartë se luftimi i krimit dhe korrupsionit, respektimi i të drejtave të njeriut, liria e fjalës, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi ekonomik janë elementet kyç që garantojnë progres në proces të integrimit për secilin shtet veç e veç.

Nga shtetet e rajonit Mali i Zi si shteti më i ri anëtar në NATO prin edhe në procesin negociues për anëtarësim në BE. Serbisë i është bërë e qartë se vetëm përmes dialogut dhe me arritjen e marrëveshjes për pajtim me Kosovën mund të ecë përpara drejt BE-së.

Kosova është bllokuar për gati tre vjet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe nga një problem teknik është shndërruar në problem politik dhe qytetarët e vendit tonë edhe më tutje mbeten të izoluar. Çështja e demarkacionit, vazhdimi i dialogut, krijimi i Asociacionit janë pika për të cilat Berlini zyrtar ia ka bërë të qartë pozitës dhe opozitës se asnjëherë nuk do të ndryshojë mendim dhe për Kosovën janë obligime që duhet plotësuar në mënyrë që të vazhdohet më tutje në proces integrues. Kjo do të pasohej me aplikimin për statusin kandidat dhe me pas hapjen e negociatave.

Shqipëria pas zgjedhjeve në Gjermani pritet t’i hapë negociatat për anëtarësim, kjo pasi që Shqipëria bëri reformat në sistemin e drejtësisë, si dhe pritet të konfirmohet implementimi i vetingut. Gjermania është treguar e vullnetshme ta ndihmojë Maqedoninë me tejkalimin e problemit e emrit me Greqinë, gjë e cila do t’i hapte rrugë për hapjen e negociatave me BE-në e po ashtu edhe drejt anëtarësimit në NATO.

Bosnja dhe Hercegovina ka aplikuar për marrjen e statusit kandidat dhe pritet që pasi t’i ketë plotësuar mjaftueshëm kriteret e Kopenhagës dhe të ketë arritur konsensus të brendshëm të vazhdojnë me procesin e integrimit.

 

Për gruan më të fuqishme në Evropë dhe me gjerë kancelaren Merkel mandati i ardhshëm qeverisës sigurisht që nuk do të jetë më pak sfidues dhe kërkues për vendimet dhe veprimet e saj dhe shtetit gjerman. Nga ajo do të kërkohet të bëjë balancë në mes forcave politike brenda Gjermanisë dhe rrymave politike jashtë vendit, në mënyrë që Gjermania si shtet lider brenda Evropës të mbetet garantuese e paqes, sigurisë, stabilitetit politik dhe perspektivës ekonomike. 

(Autorja ka qenë ministre e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës)

 

 

 

 

© zëri.info